Mustafa: Për zgjedhjen e presidentit të ri duhet të ketë marrëveshje

Prishtinë, 9 nëntor 2020 – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se në takimin me grupin parlamentar të kësaj partie nuk është diskutuar për zgjedhjen e presidentit.

Por, ai ka thënë se për zgjedhjen e presidentit nevojitet një marrëveshje politike që do të sigurojë shumicën e votave në Kuvend.

Kreu i LDK-së ka thënë se i takon PDK-së të propozojë kandidatin për president.

“Është parti, e cila është pas nesh, parti e tretë me radhë për nga numri i deputetëve. Kjo është evidente. Por, nga pikëpamje jonë, presidenti është çështje e tyre, por edhe çështje e jona që duhet ta diskutojmë”, ka thënë ai.

Mustafa ka thënë se aktualisht nuk po duskutojnë me PDK-në për përfshirjen e saj në koalicion. Ai ka thënë se vendi gjendet në situatë që kërkon më shumë bashkërendim të veprimeve.

“Pavarësisht kush kë e ka përkrahu, jemi në situatë që presidentin e kemi në Hagë, i kemi dy ish-kryeparlamentarë atje dhe një kryetar të grupit parlamentar në Hagë. Nuk është situatë që duhet ta ketë brengën dhe vëmendjen tonë”, ka thënë ai.

Koalicioni qeverisës aktual nuk e ka shumicën prej 80 deputetëve të Kuvendit që do të sigurinte zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Për zgjedhjen e presidentit duhen votat e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës apo të Lëvizjes Vetëvendosje.

Lëvizja Vetëvendosje kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

(r.m.)

Comment

*