Mustafa: Procesi i Berlinit dëshmon njohjen e plotë të shtetit të Kosovës

Prishtinë, 29 nëntor 2017 – Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se tregu ekonomik evropian mbetet synimi kryesor i Kosovës, ndërsa Procesi i Berlinit ka dëshmuar njohjen e plotë të shtetit të Kosovës. Ai ka thënë se në Procesin e Berlinit Kosova trajtohet njëjtë me vendet e tjera, gjë që nënkupton njohje të plotë të shtetit të Kosovës.

Mustafa ka deklaruar kështu në tryezën shkencore “Rruga drejt integrimit ekonomik evropian e Kosovës”, e organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës.

Në punimin e tij “Procesi i Berlinit i vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ku shtjellon Procesin e Berlinit, Mustafa ka argumentuar se Procesi i Berlinit ka kontribuar në zhvillimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke i nxitur këto vende në zhvillim infrastrukuror.

“Si rezultat i këtij procesi vendet e rajonit kanë filluar të bashkëpunojnë në sektorin ekonomik. Për Kosovën tregu ekonomik evropian mbetet synimi jonë. Kemi ardhur në përfundim se ky proces ka kontribuar në zhvendosjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku rruga e konfliktit është shndërruar në rrugë të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit. Procesi i Berlinit ka dëshmuar njohjen e plotë të shtetit të Kosovës, pasi që Kosova është trajtuar njëjtë si vendet e tjera”, ka thënë Mustafa.

Ish-ministrja e Energjisë, Justina Shirika Pula, ka folur për legjislacionin në sektorin e energjisë. Ajo ka thënë se Kosova, qysh prej përfundimit të luftës, ka bërë hapa të rëndësishëm për harmonizimin e legjislacionit dhe rregulloreve të këtij sektori me direktivat e Këshillit të Evropës.

Ajo ka theksuar se shthurja e Korporatës Enegjetike të Kosovës (KEK)  si operatori i vetëm i integruar vertikalisht, është një proces mjaft i rëndësishëm që vjen nga direktiva e parë dhe direrktiva e dytë e Këshillit të Evropës. (r.m.)

Comment

*