Mustafa publikon letrën e Mogherinit lidhur me kompetencat e Asociacionit

Prishtinë, 16 tetor 2020 – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka publikuar të enjten një letër që ia kishte dërguar ish-Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Frederica Mogherini, lidhur me kompetencat e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kur ky asociacion do të jetësohej.

Mustafa ka thënë këtë letër e kishte pranuar më 24 gusht të vitit 2015, një ditë para nënshkrimit të marrëveshjes për parimet kryesore të Asociacionit.

“Në kontekstin e diskutimit tonë për themelimin e Asociacionit/ Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, dua të konfirmoj se është kuptim i BE-së, se Asociacioni/Bashkësia – në harmoni me Marrëveshjen e Parë dhe ligjet e Kosovës – nuk do të konstituohet si nivel i tretë i qeverisjes dhe nuk do ketë fuqi ekzekutive. BE, në ushtrimin e rolit të tij si fascilitator i dialogut Prishtinë-Beograd do të vazhdojë të monitorojë respektimin dhe implementimin nga të dy palët të Marrëveshjes së Parë dhe marrëveshjeve të tjera të arritura në dialog”, thuhet në letrën e Mogherinit, publikuar nga kreu i LDK-së.

Image may contain: text that says "FEDERICA MOGHERINI VICE RESIDENTO COMMIGSION Brussels, 24 AOUT 2015 A(2015)3884141 H.E. Mustafa Prime Minister Republic Kosovo Dear Prime Minister, In the context of our discussions the establishment of the ssociation/Community of Serbian majority Municipalitics, would like confirm that the EU's understanding that the not n/Community in with First Agreement and Kosovo Law constitute third will the exercise govermmen executive powers. The role Facilitator the Dialogue, continue to the respect and by the First Agreement all other agreements reached in the Dialogue. look forward seeing you on 25 August. Yours sincerely, Flluda' Federica Mogherini"

Mustafa ka thënë se të njëjtin dokument ia ka prezantuar edhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, gjatë takimit të zhvilluar të enjten, në Prishtinë.

Mustafa ka thënë se këtë letër nuk e ka bërë publike më herët, pavarësisht se atij I janë drejtuar Kritika dhe akuza lidhur me marrëveshjen.

“Dua të theksoj se këtë letër nuk e kam bërë publike në kohën kur akuzohesha nga VV dhe partitë e tjera të opozitës për këtë marrëveshje, sepse ato akuza i kam konsideruar të pabaza dhe vetëm si një kauzë politike kundër Qeverisë që e drejtoja”, ka shkruar ai në Facebook.

Mustafa e publikoi letrën e Mogherinit pas deklaratës së Lajçakut se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është obligim të cilin Kosova e ka marrë me marrëveshjen e vitit 2013.

Lajçak tha se Kosova duhet ta zbatojë marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe menjëherë pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Mirëpo, para se të ndodhë kjo, Lajçak ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të fillojnë diskutimin për statutin e Asociacionit dhe t’i përfundojnë të gjitha çështjet tjera të rëndësishme për këtë proces.

“Gjëja tjetër është të diskutojmë mbi statutin dhe kjo është ajo që ne presim. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Marrëveshja do të fillojë të zbatohet pas nënshkrimit. Pra, kjo do të thotë që zbatimi i marrëveshjes së Asociacionit, do të pasojë nënshkrimin e marrëveshjes. Por, detajet e Asociacionit duhet të dakordohen si pjesë e negociatave, sepse nuk duhet të mungojë qartësia e ndonjë çështjeje në momentin e nënshkrimit”, ka deklaruar Lajçak të enjten, në Prishtinë.

Marrëveshja e Brukselit është dokumenti i parë mbi normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Kjo marrëveshje, një nga pikat kryesore të së cilës është formimi i Asociacioni të Komunave me shumicë serbe, është nënshkruar më 2013 në Bruksel.

Por, kjo marrëveshje u dërgua në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës e cila ka konstatuar se 23 pika të marrëveshjes nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, por ato mund të shmangen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

(r.m.)

Comment

*