Mustafa: Rihapja e çështjes së kufijve – e barabartë me rihapjen e çështjes së statusit

Prishtinë, 10 gusht 2018 – Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se ideja për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë është një retorikë e papërgjegjshme dhe e rrezikshme.

Kryetari i partisë më të madhe opozitare ka thënë se as Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe as kryeministrit, Ramush Haradinaj, nuk mund t’u besohet për çfarëdo që flasin.

“Është një retorikë shterpe, e papërgjegjshme dhe e rrezikshme. Njëri premton se e marrim Luginën e Preshevës dhe nuk japim asgjë, kurse tjetri se korrigjimi i kufijve shkakton luftë, por ata qeverisin bashkërisht, së bashku i ndajnë rolet, së bashku paraqiten në Bruksel dhe bashkërisht mundohen të mashtrojnë opinionin. Nuk i besohet as njërit e as tjetrit”, ka deklaruar Mustafa në një intervistë për Koha.net.

Mustafa ka thënë se rihapja e çështjes së kufijve të Kosovës është e barabartë me rihapjen e çështjes së statusit të Kosovës.

Ai ka theksuar se askush nuk ka të drejtë të bisedojë për kufijtë e shtetit dhe se me Serbinë është e nevojshme një marrëveshje për njohje reciproke. Serbia duhet ta njohë shtetin e Kosovës në kufijtë aktualë, të cilët janë pranuar edhe ndërkombëtarisht.

“Nevojitet normalizim i marrëdhënieve dhe fqinjësi e mirë mes dy vendeve”, ka thënë ndër të tjera Mustafa. (r.m.)

Comment

*