Mustafa shpreh përkushtimin e Qeverisë për fuqizimin e sektorit privat

Prishtinë, 24 mars – Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Financave, Avdullah Hoti, ministrja e Tregtisë e Industrisë, Hykmete Bajrami, dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka vizituar sot disa nga bizneset e suksesshme të kësaj komune.

Fillimisht, Mustafa e ka vizituar Fabrikën për prodhimin e betonit “Burimi”, e më pas fabrikën e mobileve “Vali”, kompaninë projektuese e ndërtuese “Lin Projekt” dhe Fabrikën e Kërpudhave “Hirano Mushroom”.

Gjatë këtyre vizitave, Mustafa e ka vlerësuar lart suksesin e këtyre bizneseve, të cilat kanë arritur t’i plasojnë produktet e veta edhe jashtë Kosovës.

“Është fjala për biznese të cilat po arrijnë të eksportojnë produkte dhe të jenë të barabarta, ndoshta edhe konkurruese shumë të forta, në tregjet e Bashkimit Evropian dhe në tregjet regjionale. Ne jemi të interesuar që t’i përkrahim këto biznese”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Ai ka shprehur përkushtimin e Qeverisë që edhe më tutje të punojë në plotësimin dhe ndryshimin e politikave ekonomike dhe politikave fiskale, për të fuqizuar edhe më shumë sektorin privat në Kosovë.

“Në rend të parë, ajo që duhet të bëjmë është që të përkrahim bizneset private, të zhvillojmë sektorin privat. Kur ne e zhvillojmë atë, pastaj edhe sektori publik funksionon shumë më mirë”, ka theksuar Mustafa.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, është shprehur i kënaqur me rezultatet e arritura nga masat e që i ka ndërmarrë Qeveria.

“Mua më vjen mirë që këto masa në fakt po shihen çdo ditë, në aktivitet të shtuar të biznesit në Mitrovicë dhe gjithandej”, ka thënë ministri Hoti.

Ndërsa kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili është njëri nga pronarët e Fabrikës së Kërpudhave “Hirano Mushroom”, ka bërë të ditur planin e tij për të ndërtuar edhe një fabrikë të tillë në Lipjan. Ai ka bërë të ditur gjithashtu se synon haphen e 5 fabrika të tilla në tërë Kosovën.

“Po shpresojmë se do t’i bëjmë 5 fabrika në tërë Kosovën dhe t’u tregojmë edhe shteteve trë tjera që edhe në dimë të prodhojmë. Këto fabrika, kur të prodhojnë 50 tonë, do të përbëjnë 33 për qind të eksportit të gjithë Kosovës”, ka thënë Bahtiri. (r.m.)

Comment

*