Mustafa: Vendi shkon në zgjedhje, nëse AAK-ja kushtëzon me postin e presidentit

Prishtinë, 15 shtator 2020 – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka paralajmëruar zgjedhje të reja nëse partia partnere e koalicionit qeverisës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kushtëzon qëndrimin në koalicion me përkrahjen e kandidatit të saj për president.

“Unë mendoj se do të ishte, dhe është jo parimore që ajo të kushtëzohet. Nëse vijmë tek kushtëzimi, e prishim qeverinë, shkojmë në zgjedhje dhe nuk kemi alternativë tjetër se do të ishte gabim. Po flas për parimet, sepse nuk mund të shkojmë me një qëndrim të tillë që të votojmë presidentin për arsye se po na kushtëzojnë koalicionin. Nëse e kemi punën ashtu, atëherë shkojmë në zgjedhje”, ka deklaruar Mustafa në një intervistë në “EuroNeës Albania”.

Mustafa ka thënë se Presidenti nuk mund të zgjidhet pa marrëveshje me partitë opozitare. Ai ka thënë se bashkëpunii me PDK-në është më i lehtë, pasi Vetrëvendosje kërkon me ngulm zgjedhje të parakohshme dhe nuk lë hapësirë për konsensus për çështje të tjera.

“Posti i presidentit nuk mund të zgjidhet nëse ne nuk kemi bashkëbisedim edhe me subjektet e tjera, me PDK-në dhe me Vetëvendosjen. Në këtë situate, është më lehtë të bisedohet me PDK-në dhe më vështirë është të gjendet zgjidhje me Vetëvendosjen. Ajo është shprehur që të shkohet në zgjedhje të reja. Nuk krijon hapësirë të diskutohet për çështje të tjera. Në këtë moment nuk jam për zgjedhje të reja, sepse mendoj se neve nuk na përgjigjen zgjedhjet, për shkak se po humbim shumë kohë. Zgjedhjet e reja, unë dyshoj se prapë do na sjellin në të njëjtën situatë”, ka thënë ai.

Kryetari i LDK-së ka thënë se me kreun e PDK-së, Kadri Veselin, ka biseduar në mënyrë jo të drejtpërdrejtë për zgjedhjen e presidentit dhe ka shtuar se deri tani nuk është përmendur asnjë emër për këtë post. Ai ka thënë se Ramush Haradinaj është propozimi i vetëm deri më tash.

“Kemi biseduar jo në mënyrë të drejtpërdrejtë me zotin Veseli për çështjen e presidentit, sepse çdo sfidë që do ta kemi me presidentin nuk mund ta kapërcejmë pa PDK-në ose edhe Vetëvendosjen, sepse duhet t’i kemi votat.  Në asnjë bisedë që kemi pasur me Veselin nuk kemi biseduar për asnjë emër. Emri i vetëm që është thënë, por që është thënë nga partia e tij, është emri i zotit Haradinaj. Ai është emër i propozuar nga Aleanca, por nuk është trajtuar në asnjë nga subjektet e tjera”, ka thënë Mustafa. (r.m.)

Comment

*