Mustafa:LDK është unike në qëndrimet për dialogun me Serbinë

Prishtinë, 8 korrik 2018 – Ish kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se Lidhja Demokratike e Kosovës qëndron unike në çështjet madhore, siç është dialogu me Serbinë.

“LDK është unike në çështjet madhore siç është edhe pozicionimi i saj lidhur me fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë. Të gjitha qëndrimet e LDK-së janë të koordinuara me Kryesinë e LDK-së, me nënkryetarët e LDK-së, me sekretarin e përgjithshëm, me shefin e Grupit Parlamentar, me nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e LDK-së dhe me kryetarët e degëve të LDK-së”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë kontributin e saj në të gjitha fazat e shtetndërtimit të Kosovës dhe këtë kontribut po e jep edhe tani si subjekt opozitar parlamentar”, ka shkruar ai.

Mustafa ka bërë të ditur se qëndrimet e LDK-së i ka shprehur në takimin që ka pasur mbrëmë me  Kryeministrin Ramush Haradinaj.

“Mbrëmë prita Kryeministrin Haradinaj, me të cilin diskutuam lidhur me qëndrimet e LDK-së për dialogun me Serbinë, qëndrime këto të cilat i kemi bërë publike si Kryesi e LDK-së dhe nga takimi me kryetarët e degëve të LDK-së”, ka shkruar Mustafa.

Mustafa i ka falënderuar liderët shtetërorë e politikë të vendit dhe diplomatët e huaj që e kanë vizituar gjatë periudhës së rehabilitimit të tij fizioterapeutik në Kosovë.

“Pas kthimit tim në Kosovë, para tre muajsh, ku akoma jam në proces të rehabilitimit fizioterapeutik, më kanë vizituar Presidenti Thaçi, Kryeministri Haradinaj, zv.Kryeministri Limaj, zv.Kryeministri Pacolli si dhe Kryetari i VV-së, z.Kurti. Jam takuar me Ambasadorin e SHBA-së, Greg Delawie, me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Ruairí O’Connell, më ka vizituar Ambasadorja e BE-së, znj.Apostolova dhe Shefja e EULEX-it, znj.Papadopoulou. Të gjithëve u jam falenderues për kujdesin dhe korrektësinë e treguar”, ka shkruar ai.

Prononcimi i Mustafës vjen pas takimit të Kryesisë së LDK-së me kryetarë të degëve të partisë, ku është kundërshtuar qëndrimi i Presidentit të vendit, Hashim Thaçi, lidhur me fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë.

LDK vlerëson se Thaçi “pa asnjë autorizim, ende pa nisur mirë dialogu me Serbinë, i ka hequr të gjitha vijat e kuqe”.

“Rezultati përfundimtar i dialogut duhet të jetë normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes të dy shteteve, i cili arrihet vetëm me njohje reciproke”, ka theksuar LDK-ja.

Por, brenda LDK-së ka pasur edhe qëndrime të tjera, dalluese, lidhur me rolin udhëheqës të Thaçit në dialog me Serbinë. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, është shprehur pro rolit drejtues të Thaçit, ndërsa kryesia e LDK-së e ka cilësuar këtë si “qëndrim personal” të Hazirit. (r.m.)

Comment

*