My Fair Lady rivihet ne Broadway

Julika Prifti

April 19, 2018  – Ditën e enjte, më 19 prill, 2018, në orën 7 të mbrëmjes, në Nju Jork , në teatrin Vivian Beaumont në Lincoln Center u dha premiera e “My Fair Lady”. Dashamirësve të shumtë, pëlqyes të kësaj vepre të njohur me fjalët e këngët e shkruara nga Alan Jay Lerner dhe musikë të Frederick Loewe iu dha rasti të mbushnin sallën e madhe të teatrit.

Me George Bernard Shaw unë njihesha prej dekadesh, që në dhjetëvjeçarin e parë të jetës sime. Jo sepse u takave me të, jo sepse lexova veprat e tij në moshë të njomë, jo sepse pashë në skenë interpretimet e tyre. Shaw-n e njoha në fillim nga babai im që e pëlqente shumë humorin e tij të hollë, shpues e elegant. Aq bukur i përkthente dhe i deklamonte babai shprehjet e famshme të shkrimtarit të madh sa mua më dukej se Shaw mendonte shqip. “Djalosh, paske lindur pa fat. Nuk u fute dot në histori si vrasësi i Shaw –ut” i tha ai një djali që duke i dhënë me shpejtësi e pakujdes biçikletës e përplasi shkrimtarin e famshëm në tokë. Më vonë kur lexova veprat e tij admirimi për të mu shumëfishua. E kur mësova se ai e la pasurinë e tij për personin që do ta bënte shkrimin e gjuhës angleze më të lehtë, më fonetike, ku fjalët të shkruheshin ashtu siç shpiptoheshin (night = nite, knife = nife etj.) , duke lehtësuar kështu mësimin e kësaj gjuhe kolonialiste e tani më imperialise, adhurimi për Shaw- n tek unë arriti lartësi të pakapshme për autorë të tjerë.

Ne fillim te viteve 1970 ne kinematë e Tiranës u shfaq filmi me ngjyra “Shitesja e luleve” bazuar në komedinë e Shaw – ut Pygmalion, e vitit 1913. Filmi u pëlqye mjaft nga qytetarët kryeqytetas të cilët e panë disa herë me radhë.

“My Fair Lady” u shfaq për herë të parë në Broadway në vitin 1956. Në rolet kryesore debutuan Julie Andrews dhe Rex Harrison. Vepra u dha për 2,717 herë, më shumë se çdo pjesë tjetër në Broadway. 62 vite më vonë rivënia në skenë nga regjizori Barlett Sher e bën veprën të ndihet e freskët dhe elegante. Problemet e saj varfëri-pasuri, edukim-injorancë, shtresë e ulët- shtresë e lartë, etj tingëllojnë aktuale. Trupa prej 37 vetësh përdoret me mjeshtëri nga regjisori i suksesshëm. Orkestra prej 29 vetash drejtohet nga Ted Sperling dhe koreografia nga Christopher Gattelli. Skenat e Michael Yeargan janë një zgjidhje e mrekullueshme e efektive për veprën. Në rolet kryesore shkëlqejnë Lauren Ambrose dhe Harry Harden-Patron. Publiku këndonte nën zë meloditë e njohura e në fund duartrokiti me enthuziasëm e ovacion shfaqen e re të “ My Fair Lady”. Pjesëtare e brohoritje isha edhe unë. Ndoshta kisha edhe një arsye më shumë. Me këtë pjesë isha njohur për herë të parë gati 5 dekada të shkuara. Të ndjeja të njëjtën kënaqësi të brendshme, të njëjtin ndjeshmëri artistike, ta mbaja veprën në të njëjtën lartësi si në fëmijërinë time ishte vërtet një emocion i rrallë, një emocion që pak vepra arrijnë të ta japin. Ato janë veprat me vlere, ato janë vepra që i flasin gjeneratave që vijnë, ato janë vepra qe mbeten në të njëjtën lartës në shkallët e artit botëror.

Lexuesit e gazetës nuk duhet ta humbasin rastin e parjes së kësaj shfaqjeje të bukur.

Comment

*