Naftëtarët duan që Kosova të krijojë rezerva, siç e kërkon BE-ja

Prishtinë, 13 prill 2018 – Edhe këtë vit, Ministria e Tregtisë ka dështuar të sigurojë rezervat e naftës.

Kjo pritet të shënohet sërish si një pikë e zezë në Raportin e ri të Progresit, raporton KTV.

Vazhdimisht i është sugjeruar Ministrisë së Tregtisë që të ketë rezerva në përputhje me kërkesat e vendit për tre muaj, e që vlera e saj arrin në 1.8 milion euro.

Lidhur me këtë, në të kaluarën ishte deklaruar edhe vetë ministri i Tregtisë, Bajram Hasani.

“Ligji për naftën dhe rezervat shtetërore janë edhe sipas agjendës së reformave ekonomike dhe duhet të plotësohet patjetër”, ka thënë Hasani.

Që nga e enjtja Kohavision ka dërguar kërkesë në Ministrinë e Tregtisë për të mare një deklaratë nga ministri Bajram Hasani për këtë kusht të Bashkimi Evropian, mirëpo Hasani që nga ora 14 gjendet në një aktivitet partiak dhe ka refuzuar vazhdimisht të deklarohet.

Në Raportin e Progresit të vitit 2016 thuhej se Kosova nuk ka shënuar përparim në këtë drejtim.

“Nuk është shënuar përparim në përafrimin e legjislacionit në fushën e rezervave të naftës. Rezervat aktuale të naftës vlerësohen të zgjasin vetëm deri në katër ditë”, thuhet në Raporti i Progresit, 2016.

Në Shoqatën e Naftëtarëve thonë se kanë kërkuar që ky kusht të plotësohet.

Tregu i naftës në Kosovë është kritikuar shpesh edhe për shkak të mospërputhjes së çmimeve me bursat ndërkombëtare. Kur çmimi rritet, Kosova është në hap me trendin, por kur çmimet bien në bursë, kjo vërehet pak në vendin tonë. (r.m.)

Comment

*