Natyrë njerëzore

Astrit Lulushi

Në periudhen kur Skënderbeu luftoi, Arbëria ishte plotësisht e Krishterë, dhe ai bëri gjithçka a sa mundi për ta ruajtur në harmoni këtë përbërje, por jeta nuk e ndihmoi dhe vdekja nuk e fali. Gjergj Kastrioti – Skënderbeu vdiq, lufta dhe qëllimi i tij dështuan. Arbërit ikën, duke u bërë arbëreshë në Itali e arvanitas në Greqi, sepse ata që mbetën u ndëshkuan me dëbime në krahina më të largëta të perandorisë osmane; në trojet e fshatrat e tyre u vendosën banorë të ardhur osmanllinj; të tjerët u nënshtruan, morën kryesisht, jo të gjithë, fenë e pushtuesit duke përqafuar islamizmin me forcë a përfitime, madje ndërruan edhe emrin nga Arbëri në Shqipëri nën ndikimin e shumicës. Dhe hesperidium>perëndim>vdekje per ‘ta u be ‘ri-lindje’.

Vdekja është e përherëshme, çka do të thotë se jeta është ndërprerje e e përkohëshme vdekjes. Realiteti është bota që krijojmë. Kur dikush ikën e kemi të vështirë të pranojmë se ka shkuar në tjetër realitet. Prandaj, të besosh në Zot, është njësoj si të besosh në UFO ose në ekzistencën e një planeti tjetër të banuar. Jeta është kaq e gjerë; vdekja harrohet; e keqja kryesisht sundon, dhe njeriu i mirë beson se është ne gjendje ta ndryshojë. Por pas përpjekjesh, shumë prej tyre të dështuara, çdo gjë zbehet, humbet besimin e shpresën se kjo botë mund të ndreqet, dhe ai i lë gjërat të rrjedhin në drejtimin e vet, të marrin udhën e fatit, jeta vazhdon me shumë pak ndryshime sesa kishte dashur. Për të ngushëlluar veten, në mendje, ai krijon parajsën ku mund të bëjë çdo gjë të mirë, në formë simbolesh, që nuk e lanë ta bënte në Tokë. Por për çfarë apo kujt i vlejnë të mirat kur “parajsa”, tjetër jetë në qiell, është e ndarë nga kjo botë?

Trashëgimi mund të quhet shprehje e pa fat, kur ajo sjell vetëm fatkeqësi, kur çdo brez i dorëzon brezit pasardhës një vend edhe më të shkatërruar. Dhe tjetri që vjen, i zemëruar ndërton sa për të qenë; i mjerë është njeriu në këtë gjendje natyrore, ku mbijetesa e vetes është qëllimi më i lartë; ai është i justifikuar për të dëmtuar cilindo që mendon se kërcënon mbijetesën e tij dhe nuk ka asnjë që ta ndalë, as autoritet, as ligje, përveç ligjit të xhunglës, ku kapriçot e natyrës njerëzore lejojnë orekset e momentit dhe sjelljet e shfrenuara të përcaktojnë drejtimin e jetës dhe të ardhmen e gjithë vendit.

Prandaj, thonë disa, një dorë e fortë duhet; dhe kështu lind mbretëria, tirania e diktatura. Forma të tilla regjimi, janë ato që të tjerët i kanë përmbysur, ndërsa ne, mbyllur në salla konferencash, piramida, pallate kongresesh duartrokisnim a dridheshim nga frika, dhe prisnim të tjerët, të huajt, të na hiqnin prangat nga duart e këmbët dhe ne të vërsuleshim të lirë si kafsha të mbjellave, si lumë i fryrë i rrëmbyer që përmbyt çdo trashëgimi.

Comment

*