Ndahet nga jeta Akademik Idriz Ajeti

Prishtinë, 13 shkurt 2019 – Albanologu, intelektuali, pedagogu dhe veprimtari i palodhshëm Idriz Ajeti ka ndërruar jetë sot, më 13 shkurt 2019, në moshën 102 vjeçare.

Idri Ajetika qenë anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i saj në dy mandate, anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, rektor i universitetit të Prishtinës dhe drejtor shumëvjeçar i Seminarit Ndërkombëtar për gjuhën, letërsin⌂ dhe kultyurën shqiptare.

Profesor Ajeti, dijetar e erudit, personalitet i rëndësishëm shkencor, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshem në studimet albanologjike në Kosovë e më gjerë. Ai ishte dhe mbetet njëra nga figurat më të ndritshme të historisë sonë të re.

Lindi në Tupallë të Jabllanicës së Epërme, me 27 janar 1917. Shkollën fillore e kreu në Banjë të Sijarinës, të mesmen në Shkup, më 1938. Po atë vit u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit, në Degën e Romanistikës. Studimet i mbaroi pas lufte, më 1949 në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Beogradit. Deri në vitin 1953 ishte profesor i gjuhës shqipe në Gjimnazin e Prishtinës. Në vitet 1953-1960 punoi lektor në Degën e Albanologjisë në Beograd. Në vitin 1958 u doktorua me temën: “Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë”. Nga viti 1960 ka dhënë mësim në Degën e Gjuhës e të Letërsisë Shqipe në Fakultetin e Filozofisë të Prishtinës, një herë docent, pastaj profesor inordinar dhe nga viti 1968 profesor ordinar. Fushat kryesore të interesimit të tij shkencor kanë qenë studimet e dialekteve nga pikëpamja diakronike, raportet e shqipes me gjuhët fqinje, në rrafshin e studimeve ballkanologjike, trajtimi i dokumenteve të hershme gjuhësore, shkruar me alfabet arabo-turk etj. Është marrë dhe me çështje të gjuhës së sotme shqipe dhe ka organizuar takime e konsulta gjuhësore për të kërkuar zgjidhjet e përhershme rreth njësimit të gjuhës shqipe. Prof. Ajeti ka merita të veçanta në proceset e standardizimit të shqipes.

Veprimtaria  e tij shkencore është e gjerë dhe e gjithanshme. Ka botuar: Pamje historike e ligjërimit shqip të Gjakovës në fillim të shekullit XIX, (1960), Istorijski razvitak gegijskog govora Arbanasa kod Zadra (1961), Hymje në historinë e gjuhës shqipe (1963), Ortografia e gjuhës shqipe (bashkautor) (1964), Historia e gjuhës shqipe (Morfologjia historike), (1969), Probleme të historisë së gjuhës shqipe, (1971), (zgjodhi e mbarështroi), Studije iz istorije albanskog jezika (1982), Studime gjuhësore në fushë të shqipes I, (1982), II (1985), III, IV (1989), Shqiptarët dhe gjuha e tyre (1994). Në Prishtinë, Tiranë e gjetiu janë botuar vëllime me studime të zgjedhura të tij. Ka hartuar tekste shkollore për nxënës të shkollave të mesme e studentë të Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe.

Në vitet 1997-2002 Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës botoi veprën e tij të plotë në pesë vëllime.

Në bibliografinë e tij gjejmë qindra artikuj, studime, kumtesa të mbajtura në Konferenca shkencore, seminare, takime kombëtare e ndërkombëtare, të botuara në revista e periodikë në shqip, por edhe në gjermanisht, frëngjisht apo në gjuhë të tjera.

Me nismën e tij, si shef i Departamentit të Gjuhës Shqipe pas hapjes së Fakultetit në Prishtinë (1960), u nxor revista shkencore “Gjurmime albanologjike” (1962) e më 1974 u organizua Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare për të huaj.

Gjatë vitit 1969-1971 ishte drejtor i Institutit Albanologjik, më 1971-73 dekan i Fakultetit Filozofik, në vitet 1973-75 rektor i Universitetit të Prishtinës.

Anëtar i ASHAK u zgjodh me gjeneratën e parë ta akademikëve dhe menjëherë mori titullin akademik, ndërsa në vitin 1979 u zgjodh kryetar i saj deri më 1981. Më 1996 ai do të rizgjidhet kryetar dhe do ta drejtojë Akademinë deri më 1999.

Prania e Idriz Ajetit në jetën shkencore e kulturore si dhe në të gjitha zhvillimet shoqërore ka qenë e dukshme dhe thelbësore. Puna e tij është shtrirë edhe në fushën e të drejtave të njeriut dhe në veprimtarinë shoqërore. Akademik Idriz Ajeti ka qenë Kryetar i Parlamentit të Kosovës në njërën nga periudhat më të vështira të saj si dhe pjesëmarrës i Konferencës së Rambujesë.

Me vdekjen e Akademik Idriz Ajetit Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka humbur autoritetin nga më të mëdhenjtë të punës shkencor te ne, profesorin, veprimtarin, njeriun e urtë dhe të dijshëm. (r.m.)

One Response to “Ndahet nga jeta Akademik Idriz Ajeti”

Read below or add a comment...

  1. Ismaili says:

    Sot u nda nga kjo bote e te gjalleve,Nderroi jete Monumenti I gjuhesise,e kultures kombetare shqiptare.Pas mbi nje shekulll,mrekulli njerezeore,qe ne asnje rrethane e ne asnje situate,nuk beri lekundje me te vogel as shkencore,as politike e as kombetare,Por, qendroi si rrap I vjeter,pa lekundur per asnje çast asnje situate e rrethane, edhe kur ato ishin edhe te rrezikshme.Akademiku,Mesuesi Yne I Madh,Mesuesi I shume brezeve te thelbit kombetare, gjithe jeten sa punoi, nuk mori asnje vrejtje, nuk ju ngjite asnje danke,as nje dyshim per veprimet e Tija shkencore,kombetare e njerezore.Nuk besoj qe ka nje te dyte si Akademiku,Mesuesi Yne I Madh Idriz Ajeti, te kryeje e te jetoje jeten e vete,kaq mrekullueshem,kaq shembelltyreshem,Kaq monument e vlere e madh njerezore,shkencore kombetare e politike duke llogaritur jeten e tija ne rrethana e sisteme te ndryshme edhe antishqiptare. Lavdi eshte jeta dhe vepra e Tij,Krenaria eshte e jona qe kishim nje lavdi te ketij niveli.Do te rroje sa te rroje gjuha shqip,E fgjuha shqipe do te rroje deri sa te rrone edhe nje shqiptar I vetem,Shqipatret do jetojne sa te kete jete ne kete planet te te gjalleve.Lavdi Rrapi Yne I Madh.Ngushlime gjithe shqiptareve.

Comment

*