Ndahet nga jeta Aneta Rama, nëna e kryeministrit Rama

Tiranë, 1 gusht 2020 – Aneta Rama, nëna e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, është ndarë nga jeta sot në mëngjes, në moshën 82-vjeçare.

Lajmin e ka publikuar vetë kryeministri Rama, përmes një postimi në Facebook.

Raportohet se Aneta Rama ka qenë e shtruar në spital, kurse pak ditë më parë ishte kthyer në banesë.

” Ishe drita dhe guri këndor i shtëpisë ku u rritëm e u bëmë burra, e ku mbetëm gjithnjë fëmijë. E di, që deri sa të shoh dot diellin e yjet do të jesh me mua, e bukur dhe e fortë si askush. Do të na mungosh shumë, por asgjë më shumë nuk bëje dot për ne sesa e pamundura që bëre plot përkushtim gjithë jetën, prandaj prehu në paqe mam”, ka shkruar Rama në Facebook

Varrimi do të bëhet në orën 17:00. Për shkak të pandemisë së koronavirusit, familja Rama u ka kërkuar mirëkuptim të gjithë miqve dhe familjarëve që të kenë dhe u ka bërë thirrje të respektojnë masat parandaluese të përhapjes së epidemisë.

“Përulësisht u lutemi familjarisht mirëkuptim të gjithë të afërmve e miqve të mirë, për pamundësinë e pritjes së ngushëllimeve e të ceremonisë së përcjelljes së nënës sonë në banesën e fundit, në kushtet e detyrimit për të respektuar rregullat e mbrojtjes së shëndetit të gjithësecilit. I falenderojmë të gjithë për mesazhet prekëse që vazhdojnë ta na vijnë për humbjen e nënës sonë të shtrenjtë dhe e vlerësojmë shumë respektin e mirëkuptimin e kujtdo që do të donte të ishte edhe fizikisht pranë nesh në këtë ditë të vështirë. Edi dhe Olsi Rama!”, thuhet në mesazhin e familjes Rama.

Aneta Rama lindi në qytetin e Vlorës, më 1 shtator 1939. Shkollën dhe arsimin e mesëm e mbaroi në qytetin e lindjes me rezultate ekselente. Në vitin 1955 filloi studimet në një nga Universitet më me emer të Polonisë dhe i mbaroi me rezultate te shkëlqyera në vitin 1961.

Pasi u diplomua si mjeke stomatologe filloi punë në poliklinikën e qytetit të Vlorës. Dr.Aneta më vonë ka punuar në kryeqytet, ku e ka drejtuar poliklinikën dentare. Ajo ishte e specializuar në Radiologji dhe Fizioterapi Stomatologjike.

Dr.Aneta Rama është dekoruar me çmime të ndryshme për rezultate shkencore dhe për përkushtim në shërbimin ndaj qytetarëve.

(r.m.)

Comment

*