Ndahet nga jeta këngëtarja Shahindere Bërlajolli-Stafaj

Prishtinë, 3 maj 2020– Këngëtarja e njohur e muzikës popullore, Shahindere Bërlajolli-Stafaj, ka vdekur sot, në moshën 73 vjeçare.

Djali i saj, Astrit Stafai, pëmes rrjetit social Facebook, ka bërë të ditur se “Shanka”, siç e kanë quajtur femijët dhe të afërmit tjerë, ka vdekur pas një beteje të gjatë me sëmundjen.

“Sot, më 3 maj 2020, në orët e para të mëngjesit, ndërroi jetë nëna ime Shahindere Bërlajolli-Stafai. Shanka e ime iku në paqe, e qetë dhe pas një beteje të gjatë me sëmundjen që përfundimisht i mori jetën. Shanka, ishe dhe do të mbesësh ikonë e paharrueshme e kangës shqipe dhe person shumë i dashur nga i gjithë populli, të cilin e doje e të donte aq shumë”, ka shkruar Astrit Tafaj.

Shahindere Bërlajolli-Stafaj ka lindur në Pejës. Ajo ka nisur të këndojë në manifestime publike në vitin 1959, kur ishte vetëm 13 vjeçe.

Ajo ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës popullore. Në festivalin kryesor të muzikës në Kosovë, “Akordet e Kosovës”, ka qenë fituese e pesë çmimeve të rëndësishme, përfshirë edhe çmimin kryesor “Okarina e Artë”.

Shahindere Bërlajolli-Stafaj ka qenë e martuar me kompozitorin dhe kitaristin Enver Stafaj, nga Gostivari. Ai i ka kompozuar disa prej këngëve më të suksesshme të kënduara nga Shahinderja.

Gjatë karrierës së saj të gjatë, Shahindere Bërlajolli-Stafaj i ka pasur mbi 280 këngë. Shumica prej tyre janë të regjistruara.

Autoritetet shtetërore të Kosovës u kanë shprehur ngushëllime familjes Stafaj.

Presidenti Hashim Thaçi e ka vlerësuar kontributin e Shahinderes në pasurimin e thesarit të këngës shqipe. Ai e ka quajtur ate vlerë të madhe për trashëgiminë muzikore shqiptare.

Ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka thënë se Shahinderja ka lënë këngë që do të mbeten perla të muzikës shqipe. (r.m.)

Comment

*