Ndahet nga jeta shkrimtari Fatos Arapi

Tiranë, 11 tetor 2018 – Shkrimtari Fatos Arapi është ndarë nga jeta, në moshën 89-vjeçare.

Arapi lindi në vitin 1929 në Vlorë, ku e kreu shkollën e mesme. Studimet e larta i ndoqi në Bullgari (Sofje) në fakultetin e Matematikës dhe të Ekonomisë. Ka punuar shumë vjet si gazetar dhe si pedagog në Fakultetin Historisë e Filologjisë të Universitetit të Tiranës.

Disa herë ka fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi. Në vitin 2008, ai ishte fitues i “Kurorës së artë” të manifestimit poetik “Mbrëmjet e poezisë” në Strugë.

Fatos Arapi la prapa një opus të gjerë letrar. Përveç disa vëllimeve me poezi, ai i ka botuar novelat: “Patat e egra”, 1969; “Cipa e borës”, 1985; “Gjeniu pa kokë”, 1999 etj; romanet: “Dhjetori i shqetësuar”, 1970; “Shokët”, 1977; “Deti në mes”, 1986; dramat: “Partizani pa emër”, 1962; “Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk”, “Në front diku”, 1995;

Arapi ka bërë përkthimin e disa veprave letrare, si:” Këngë për njeriun” të Nikolla Vapcarov, 1981; “Poezi” të Pablo Neruda, 1989; “Safo”, 1990; “Antologji e poezisë turke” etj. Ka shkruar edhe një numër të madh artikujsh publicistikë e studime të ndryshme. (r.m.)

 

(Një foto çasti, e bërë nga mjeshtri Qerim Vrioni, në vitin 2004, para Galerisë së Arteve të Tiranës. Botuar me lejen e autorit.)

Comment

*