Ndarja e Angelinës dhe Bradit i ka dëshpëruar fansat e tyre

Divorci i dy yjeve të Hollivudit, Angelina Jolie dhe Brad Pitt, dy aktorëve më të famshëm në botë, ka bërë bujë të madhe në mbarë botën.

Të hënë u njoftua se ishte Angelina ajo që ka kërkuar divorcin, për shkak të mosmarrëveshjeve të saj dhe të bashkërshortit të saj Brad Pitt lidhur me edukimin e fëmijëve të tyre biologjikë dhe të adoptuar, pasi Brad ka shfaqur probleme me nervat dhe me alkoolin.

Kjo ngjarje i ka mbushur faqet e shtypit të përditshëm dhe të shtypit rozë.

Sipas raportimeve të medies, Brad Pitt është i zemëruar me vendimin e Angelina Jolie për të kërkuar divorc.

“Do të luftoj me ty për fëmijët”, mësohet të ketë thënë ai, duke sfiduar pretendimet e 41-vjeçares se aktori kishte probleme me nervat dhe me alkoolin.

Adhuruesit e çiftit nuk e fshehin trishtimin që u ka ngjallur ky lajm, pothuaj i papritur.

“Sapo e mora vesh u trondita shumë. Mendoja se do të qëndronin bashkë përgjithmonë”, ka thënë Jeri Lara nga San Diego.

“Ai është i përqëndruar tek aktrimi, ajo te çështjet humanitare e gjëra të tilla. Mendoj se thjesht nuk kishin më asgjë të përbashkët”, ka deklaruar Hervert Degans, turist holandez në Hollivud.

“U mërzita shumë, shumë. Doja t’i shihja bashkë gjithmonë. Ishin një çift i përkryer”, ka thënë Peg Verdi, një turiste nga Cape Cod.

“Jam e befasuar, por në fakt, edhe aq për t’u çuditur nuk është. Gjithë ata yje që interpretojnë në krah të njëri-tjetrit, në fund diçka edhe mund të ndodhë”, është shprehur Sue Doëding, turiste australiane. (r.m.)

Comment

*