Ndarje e parakohshme nga kjo jetë e inxhinieres shqiptare në Staten Island

Ermira Jasa

Nga Marsida T. Najdeni

Me shumë tronditje po marr vesh ndarjen e parakohshme nga kjo jetë të inxhinieres Ermira Jasa. Nuk kishim ca ditë që kishim komunikuar me dy mesazhe të vogla. Ndjehem e pafuqishme karshi këtij lajmi makabër. Siç dhe ndjehem dhe në faj sepse këto muaj duke qenë e zënë me hallet e mia, ë se do flasim nesër e së nga java, edhe ja kur vjen një ditë që e nesërmja s’është më mundësi. Ermira më kujtonte përherë me këngë e poezi, më pyeste gjithmonë si isha, më tregonte histori të vjetra mbi tironsit, si një goc tironse që ishte vetë nga një familje e nderuar. Mira ishte e mbushur plot jetë, plot dashuri për njerëzit, e donte të renë. Ishte një studiuese dhe intelektuale që rrallë moshataret e saja i kanë shoqet.

Ermira Jasa kishte mbaruar në vitin 1974 Universitetin e Tiranës për Ixhinieri Civile, ku dhe ushtroi profesionin e saj për 20 vite. Punoi në projektet e kohës për hidroenergjinë shqiptare. Zgjeroi rrethin shoqëror aq shumë derisa u largua drejt Italisë në fillim vitesh 90të. Duke qenë mjaft e zonja matanë Adriatikut në Itali, si rrallë veta asokohe, ajo gjeti punë në Milano si specialiste inxhiniere, ku për më shumë se një dekadë punoi në Milano në laboratorin ENEL ku kryente kërkime mbi Teoritë Analitike të kanalizimeve të thella të hidrocentraleve si dhe studime mbi ndotjen e ujrave të porteve. Në vitin 1998 do të bëhej dhe anëtare e shoqërisë së inxhinierëve “La Società di Ingegneria ETATEC s.r.l.” Me ndërrimin e mijëvjeçarit jeta do ta sillte në Amerikë. Në një moshë ku kërkush nuk do të guxonte të ndërronte karrierë, le më të shkollohej Mira vendosi me zgjuarsinë e saj karakteristike të kryente shkollimin universitarë në degën e Teknologjisë Kompjuterike prej vitit 2005-2009 në kolegjin privat të New Yorkut “Globe Institute Of Technology”. Ku për 15 vitet e fundit iu dedikua stafit të kësaj shkolle. Ermira njihte në mënyrë profesionale Italishten, Anglishten, Frengjishten, gjithashtu dhe Rusishten. Ajo i dashuronte udhëtimet, e donte artin dhe historinë, ajo ishte një njohëse klasike e filmave të vjetër. Shkurt, e gjithançme! Ishte një forcë e mbinatyrshme jo vetëm me dijet e saja, por edhe me shpirtmadhësinë e saj. Ishte një grua korrekte dhe me një rreth shoqëror tepër të zgjeruar. E ndjej veten me fat kur ajo më kontaktoi vetë para disa vitesh dhe arrita ta njoh sadopak. Megjithatë, njohjet tona familjare e bënë që ta njihja dhe nga të tjerë miq e farefis të përbashkët.

Komuniteti tironas, komuniteti shqiptar, por edhe ai shqiptaro-amerikan dhe shqiptaro-italian humbën një intelektuale soji. Ashtu siç ishe në jetë modeste, siç e kanë traditë tironsit e vërtetë, ashtu modestisht u largove dhe nga kjo jetë. Pa shamatë dhe pa ojna, ashtu e qetë dhe gjithmonë e zonja, siç e kishe përballuar jetën gjithmonë me krahët e tua, ashtu iu shfaqe dhe vdekjes plot trimëri. Të kërkoj ndjesë e mira Mirë, që nuk komunikuam dot siç duhet. Do lutem për ty që të shkosh pranë prindërve të mrekullueshëm, që Zoti i madh të t’marr pranë vetes. I paç lënë shëndetin gjithë familjarëve dhe të dashurve të tu. U prehfsh në paqe!

Comment

*