Ndarjet e Vetëvendosjes pritet ta ndajnë edhe votën për Specialen e Demarkacionin

Prishtinë, 3 janar 2018 – Lirimi i Albin Kurtit nga paraburgimi nga shumëkush u pa si një rast për të ndihmuar partitë e koalicionit qeverisës që po synojnë shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Por, analistët vlerësojnë se vota e Vetëvendosjes për këto dy tema në Kuvendin e Kosovës nuk do të jetë unike, për shkak të përçarjes brenda kësaj partie.

Të martën, Visar Ymeri dha dorëheqje nga pozita e kryetarit, e anëtarit të kryesisë dhe e anëtarit të Këshilit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, gjë që besohet se e ka thelluar edhe më tej hendekun brenda partisë.

Tani shtrohet çështja se sa do të ndikojë kjo ndarje në mënyrën e votimit të deputetëve të kësaj partie për Demarkacionin dhe për Gjykatën Speciale, në qoftë se ato procedohen për votim në Kuvend.

Analisti politik Imer Mushkolaj, në një prononcim për Gazetën Express, ka thënë se zhvillimet brenda Vetëvendosjes do të prishin homogjenitetin e grupit parlamentar të kësaj partie gjë që pritet të sjellë frymë të re në politikë. Sipas tij, kjo mund të ndryshojë edhe mënyrën e votimit për  Demarkacionin me Malin e zi dhe për nismën për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

“Do të ketë qasje të ndryshme dhe kjo është vërejtur edhe në kohën kur në Kuvend është tentuar të shfuqizohet Ligji i Gjykatës Speciale. E them këtë pasi që në disa takime të mbajtura në parti dhe gjithashtu me ambasadorë, të gjithë deputetët nuk kanë qenë të një mendimi, pasi që disa kanë qenë pro shfuqizimit të Speciales dhe disa kundër”, ka thënë Mushkolaj për gazetën Express.

Ai ka thënë se edhe pikëpamjet politike të një pjese të Vetëvendosjes s’do të jenë të njëjta, prandaj mund të ketë edhe ndryshime në skenën politike.

“Tanimë e dimë të gjithë që Vetëvendosja nuk është unike dhe vetë ideja që nuk është unike lë shumë hapësirë për manovrime të ndryshme, që do të thotë se këto dallime brenda partisë reflektojnë edhe në vendime për çështjet e mëdha”, ka shtuar Mushkolaj.

Por, tash për tash, nuk dihet se cili krah i Vetëvendosjes do t’i përkrahë këto marrëveshje dhe cili do të vazhdojë t’i kundërshtojë.

Sipas Mushkolajt, votat do të jenë ndoshta edhe befasuese. Ai e merr shembull deputetin Liburn Aliu, i cili ka nënshkruar peticionin e veteranëve të luftës, dhe, sipas tij, është distancuar nga i  ashtuquajturi “krah i Molliqajt”.

Mirëpo, analisti Nexhmedin spahiu nuk mendon kështu. Sipas tij, ndarja e Vetëvendosjes mund t’ia zgjasë jetën Qeverisë Haradinaj, por nuk do të ndikojë shumë në vendimet e mëdha për vendin.

“E shumta mund të jetë që disa nga deputetët të ndahen nga Vetëvendosja, por kjo nuk mund të mjaftojë për t’i zhvilluar proceset e mëdha. Kjo ndarje mund të ndikojë në rezistencën e qeverisjes Haradinaj, por jo të bëjë ndonjë ndryshim rrënjësor”, ka thënë ai.

Por, Spahiu nuk e përjashton mundësinë që deputetë të caktuar të Vetëvendosjes të veprojnë edhe krye më vete. Sipas tij, brenda vetëvendosjes mund të ketë edhe ndryshim të votës për temat e mëdha e pastaj mund të ketë edhe largime nga partia.

Kuvendi i Kosovës është në pushim dimëror deri më 15 janar.

Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë me temat e nxehta kur të fillojë sesioni i ri parlamentar. (r.m.)

Comment

*