Nderim i merituar i ish-botuesit të gazetës “Illyria”, Ekrem Bardha

Nga Ruben Avxhiu

Me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë, në SHBA, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka nderuar ish-botuesin e gazetës “Illyria”, biznesmenin dhe aktivisti e shquar shqiptaro-amerikan, Ekrem Bardha.
Ai ka udhëtuar për në Prishtinë, bashkë me vajzën e tij Donika Bardha e cila gjithashtu ka marrë një mirënjohje nga Presidenti Thaçi.

Ndonëse i lindur në Shqipëri dhe i rikthyer aty për të investuar e jetuar pjesën më të madhe të kohës së tij, Ekrem Bardha është një figurë e diasporës shqiptaro-amerikane.  Ai është një nga pionerët e lobimit modern shqiptar në SHBA, kur udhëhoqi përpjekjet shqiptare në vitin 1986 për të shpëtuar nga burgu jugosllav, një mërgimtar nga Michigani. Ishte hera e parë që shqiptarët u paraqitën në një dëgjesë në Kongresin Amerikan, ku Jugosllavisë iu hoq maska e “vendit mik” që “nuk është s diktaturat e tjera të lindjes” etj.
Në vitet 1990, ai ishte rregullisht pjesëmarrës e mbështetës në organizimet shqiptare për të lobuar për Kosovën në Washington. Bashkëthemelues i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC), një nga nënkryetarët e parë të tij dhe si botues i gazetës “Illyria” në vitet 1998-2006, Ekrem Bardha ka qenë në vijën e parë të frontit të luftës së diasporës sonë që Kosova të kishte një zë në Washington DC.
Ky shqiptar nga jugu i Shqipërisë ishte më radikal se shumë nga miqtë e tij kosovarë kur vinte puna për të ardhmen e Kosovës. Mbështetës i hershëm dhe i paepur i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, restoranti i tij në Tiranë ishte një pikë takimi për gazetarët e diplomatët perëndimorë të angazhuar, përpara, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
I pranishëm në mitingjet e shqiptarëve në Washington, në takimet në Shtëpinë e Bardhë, në negociatat e Rambujesë ku solli me vehte shkrimtarin Ismail Kadare, në përpjekjet për njohjen e Kosovës si të pavarur.
Kur kandidati për President, ish-gjenerali Wesley Clark u bë politikani i parë amerikan i këtij niveli që premtoi mbështetje për pavarësinë e Kosovës, ai pyeti: “Ku është Ekrem Bardha?” gjatë një takimi që NAAC pati me të gjatë fushatës në Nju Hempshajër.
Kur kandidati i Partisë Demokrate John Kerry u shpreh në favor të pavarësisë së Kosovës, në 2004, Ekrem Bardha ofroi 100 mijë dollarë në një takim me shqiptaro-amerikanët, ku në prani të Ambasdadorit Richard Holbrooke u mblodhën gjysëm milioni dollarë në mbështëtje të fushatës presidenciale.
Këto janë vetëm disa momente të një angazhimi të gjatë e domethënës të një prej veteranëve të një brezi të shquar shqiptaro-amerikanësh, që përfshinte edhe figura si Anthony Athanas, Sami Repishti, Agim Leka, etj.

Me rastin e nderimit të Ekrem dhe Donika Bardhës, Presidenti Thaçi u shpreh:  “Me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë kam dekoruar sot lobistin e çështjes kombëtare, shqiptaro-amerikanin, Ekrem Bardha dhe vajzën e tij, Donika Bardha për kontributin e tyre në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ne do jemi mirënjohës për mbështetjen e shqiptaro-amerikanëve që bënë të pamundurën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Sot, në përvjetorin e 242 të pavarësisë së SHBA-së, uroj të gjithë shqiptarët që jetojnë atje dhe që forcojnë miqësinë e përjetshme me shtetin që është lider i lirisë dhe demokracisë globale.”

Në një koment me rastin e këtij nderimi, vetë zoti Bardha, u shpreh: “E ndjej veten te vleresuar nga Presidenti i Republikes se Kosoves, Hashim Thaci.
Me 4 Korrik, 2018 ne Prishtine, ai na beri nje suprize duke me dekoruar me Medaljen Presidentiale ne 10 vjetorin e Pavaresise,per kontributin e dhene per Lirine dhe Pavaresine e Kosoves.
Po ne te njejten dite dekoro dhe vajzen time Donika Bardha
I jemi mirenjohes Presidentit Thaci.”

 

Ekrem Bardha, gjatë takimit të Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan (NAAC), me Presidentin Bill Clinton gjatë Luftës së Kosovës më 1999.

One Response to “Nderim i merituar i ish-botuesit të gazetës “Illyria”, Ekrem Bardha”

Read below or add a comment...

  1. Lavderim Miminllari says:

    Kam nderin qe te falenderoj Presidentin e Kosoves Zotin .THacin per nderin qe i beri Ekrem Bardhes Mandeles se Emigracionit Ne amerike ,ky njeri me virtute te larta Patriotike qe ka punure me mish e me shpirt per KOSOVEN ,PO ka punure dhe ka qene nje nder kryesorit ne rezimin e diktatures komuniste ne shqiperi Kush e ka njohur di cte thote per kete Mandele te emigracionit shqiptar ,Ekerem Bardha nje Bizesmen i Fuqishem me Mekdonalt ne Amerike ,nje
    njeri idashur e i respekture nje Bektashi i Vertetete ndimonte cdo njeri qofte ky shqiptar apo amerikan ,ne jemi krenar qe ky Kolonjar me taban e me nje zemer te madhe u be ne vitin 1999 njeriu qe vuri cdo gje per pavarsine e kosoves ashtu si vuri cdo gje per rezimin e komunizemit ne shqiper ,Mirnjoheje e respekt per komunikimin shume Brilant me te gjithe shqiptaret ne Amerike ai eshte e do te ngelet Ambasadori i popullit shqiptar ne Amerike Kam kenaqesine te Falenderoj Presidentin E kosoves Per nderin Qe i Beri Ketij STRATEGU TE EMIGRACIONIT

Comment

*