Nderime, mirënjohje e falënderime për Nexhmije Pagarushën

Prishtinë, 7 shkurt 2020 – Autoritetet shtetërore dhe personalitete të shquara nga bota e artit e kulturës, në Kosovë, Shqipëri e në hapësirat tjera shqiptare shprehën pikëllimin për shuarjen e “bilbilit” të muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha.

Të gjithë shprehën dhembjen për ndarjen nga jeta të ikonës së muzikës shqiptare dhe shoprehën vlerësimet më të larta për vlerat e saj kulmore.

 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një dedikim në Facebook, thekson se Nexhmije Pagarusha ishte dhe të të mbetet një ikonë e papërsëritshme e muzikës shqipe.

“Të pikëlluar me vdekjen e artistes së madhe, Nexhmije Pagarushës, e cila me zërin e saj e përjetësoi muzikën shqipe, duke i dhënë vlera të përjetshme, me të cilat krenohet krejt bota shqiptare.

Ndarja nga jeta e Nexhmije Pagarushës është një humbje e madhe për kulturën dhe artin tonë kombëtar.

Zëri i saj karakteristik e shndërroi në një ikonë të papërsëritshme, bazuar në dhuntitë dhe talentin e saj të pakufishëm. I përjetshëm do të mbetet emri dhe zëri i Bilbilit të Kosovës!”, shkruan Thaçi.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, shpreh dhembje të thellë për ndarjen nga jeta të Nexhmije Pahgarushës, të cilën e quan ikonë të muzikës shqiptare. Ajo vlerëson se këngët e Nexhmoijes do të mbeten pjesë e trashëgimisë kulturore dhe vlerë e patjetërsueshme e identitetit kombëtar të shqiptarëve.

“Sot, me dhimbje të madhe, mësova se është ndarë nga jeta ikona e muzikës shqipe, znj. Nexhmije Pagarusha.

Për dhjetëvjetësha të tërë, me zërin e saj kumbues, ajo e kultivoi muzikën e mirëfilltë shqipe, duke u shndërruar në mbretëreshën e saj.

Nga ‘Baresha’ e deri te ‘Zambaku i Prizrenit’, këngët e saj do të mbeten pjesë e trashëgimisë sonë kulturore dhe vlerë e patjetërsueshme e identitetit tonë.

Ne e kemi rritur shtatin duke i dëgjuar e ridëgjuar perlat e ‘Bilbilit të Kosovës’. Ndarja nga jeta nuk na ndan nga këngët e saj e nga trashëgimia e pasur artistike që na e la”, shkruan kryeparlamentarja Osmani.

Kryeministri i Kosovë, Albin Kurti, e vlerësoi vdekjen e Nexhmije Pagarushës si humbje të madhe për muzikën dhe për gjithë popullin.

“Sot për ty të gjithë i kemi sytë e njomë!

Bilbili na la. Këngët e saj po më sillen nëpër kokë. Zëri i saj s’pushon. Mes pak minutave të lirë nga takimi në takim, që po i kam, po e gjej veten duke menduar rreth këtyre këngëve.

Nexhmije Pagarusha, talentja e papërsëritshme muzikore, vdiq sot në moshën 86 vjeçare. La pas vetes plot 5 albume e 88 këngë. Më shumë vepra se vite jete. Secila këngë më e mirë se tjetra.

Ngushëllime të gjithë artdashësve. Kjo është humbje e madhe për gjithë popullin e për muzikën”, shkruan Kurti.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e vlerësoi Nexhmije Pagarushën Mbretëreshë të këngës shqiptare. Ai themkson se Nexhmija do të jetë përherë model referimi për brezat e rinj të artistëve shqiptarë, do të jetë një yll i pashuar i muzikës shqiptare.

“Me shumë dhimbje e hidhërim të thellë mora lajmin tragjik të ndarjes nga jeta të Mbretëreshës së këngës shqiptare, artistes sonë të madhe e të papërsëritshme, Nexhmije Pagarusha.

E dashur dhe e admiruar nga të gjitha brezat për vokalin e jashtëzakonshëm, emocionet dhe krenarinë që i dhuroi kombit në dekada, kjo humbje e pazëvendësueshme i ka prekur sot të gjithë shqiptarët dhe admiruesit e saj kudo.

Si artiste që bëri histori në momente të vështira, falë talentit artistik, personalitetit fisnik e të spikatur, Nexhmije Pagarusha, do jetë përherë një model referimi për brezat e rinj të artistëve, një yll i pashuar i muzikës shqiptare, këngët e së cilës do të këndohen përjetë.

Unë isha fatlum ta njihja nga afër dhe të ndaja me të shumë momente të bukura dhe të paharrueshme. Ajo nuk ishte magjike, vetëm në skenë dhe ekran, por në çdo moment të jetës së saj.

Duke ndarë dhimbjen e thellë për këtë humbje të madhe, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë artdashësve shqiptarë.

Si një nga përfaqësueset më të mëdhaja të artit e muzikës, e nderuar dhe vlerësuar ndërkombëtarisht, me trashëgiminë e vyer që la pas, Nexhmije Pagarusha do të mbetet e paharruar për të gjithë ne”, shkruan Meta në Facebook.

(r.m.)

Comment

*