Ndërpriten përkohësisht aktivitetet zgjedhore të presidentit Trump

Uashington, 3 tetor 2020 – Shefi i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows tha se Presidenti Donald Trump ka simptoma të lehta pas testimit pozitiv për COVID-19 por pritet që ai të vazhdojë punën. Zoti Meadows shprehu optimizëm se presidenti do të shërohet shpejt.

Pas shtrimit të Presidentit Trump në spitalin ushtarak “Walter Reed”, këshilltarët e tij po nguten të rivlerësojnë planet për muajin përfundimtar të fushatës për zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit. Ata e anuluan planin për një tubim në Florida dhe e shtynë tubimin e planifikuar në Wisconsin.

Ekipi i Presidentit Trump njoftoi se të gjitha aktivitetet e fushatës për zgjedhjet presidenciale në të cilat merr pjesë presidenti do të zhvillohen në mënyrë virtuale ose do të shtyhen përkohësisht.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se tubimet e presidentit do të ndërpriten për të paktën 10 ditë.

Ekipi i fushatës zgjedhore të Trumpit, në një deklaratë pë medie, bëri të ditur se shtyhen përkohësisht edhe aktivitetet e paralajmëruara në të cilat do të merrnin pjesë edhe anëtarët e familjes Trump.

Fushatën zgjedhore të presidentit Trump do ta udhëheqë përkohësisht zëvendësmenaxheri i fushatës, Justin Clark, pasi menaxheri Bill Stepien ka dalë pozitiv në testin për Covid-19. Stepien ishte të martën në Cleveland për debatin presidencial. Të hënën, ai ishte bashkë me presidentin amerikan në aeroplanin “Air Force One” dhe në Shtëpinë e Bardhë.

Një zyrtar i lartë i fushatës së Trumpit tha se Stepien ka simptoma të lehta, të ngjashme me ato të gripit. Njerëzit e afërt me Stepienin thanë se ai planifikon të futet në karantinë derisa të shërohet.

Ndërkaq, nënpresidenti Mike Pence, i cili ka rezultuar negativ në testin për koronavirusin, planifikon të rifillojë aktivitetet e tij në kuadër të fushatës.

(r.m.)

 

One Response to “Ndërpriten përkohësisht aktivitetet zgjedhore të presidentit Trump”

Read below or add a comment...

  1. Victor says:

    Baj lutje te Zoti e Jezusi qe sa ma shpejte Preidenti Trump die Zonja e Pare Melania te sherehen sa shpejte dhe te kthehen ne pune.

Comment

*