Ndërroi Jetë Esat Bajraktari

Mithat Gashi

Muharrem Bajraktari dhe Esati dale në Greqi në vitin 1949.

Esat Bajraktai, i biri i Muharrem Bajraktarit, ndërroi jetë në Valley Hospital në Ridgewood, New Jersey me 14 janar 2021. Esati u lindi me 5 korrik 1931 ne Dome të Imishtit të Lumës. U internue me familje në Ballsh të Fierit nga forcat pushtuese italiane, dhe qysh në moshën 13-14 vjeçare, ai iu bashkangjit çetës së babës së tij në luftë kundra brigadave partizane, të cilat në pabesi, i kishin shpallë luftë Muharrem Bajraktarit në vitin 1944.

Muharrem Bajraktari ishte shque për qëndrimin dhe rezistencën e tij kundra forcave fashiste e naziste, dhe kishte refuzue ofertat e shumta që i kishin ba udhëheqësit komunistë që ai të bante pjesë në frontin “nacionalçlirimtar”. Komunistët shqiptarë, të cilët ishin të mvarun tek serbët, nuk mund të pranonin dy kushtet e M. Bajraktarit. Kushti i pare ishte: Të luftojmë derisa të lirohet Shqipnia, dhe mbas, në menyrë demokratike, me vota të lira, të formojmë qeverinë. Kushti i dytë: Kosova asht pjesë e Shqipnisë. Këto kushte Bajraktari i kishte deklarue si me gojë ashtu edhe me nji letër që ia kishte dërgue Winston Churchill-it.

Gjatë periudhës 1944-1946, Esati kaloi shum prita dhe përleshje me forcat partizane të cilat ishin në ndjekje të Muharrem Bajraktarit dhe të shum lumjanëve të tjerë që ishin në arati. Dy vëllezën, Hamdija dhe Brahimi, iu plagosën nga forcat partizane në vitin 1946, dhe të dy vdiqen. Brahimi vdiq nga plagët, dhe për Hamdiun thonë që e mbytën partizanët pasi e dërguen në Bicaj. Pjesa e tjetër e familjes iu internue në Berat. Vellau, Genci, kaloi gjith jetën e tij në internim dhe burg -deri më 1991. Nana i vdiq në Tepelenë kur Genci ishte në Burg, dhe eshtnat e saj kurrë nuk u gjetën. Motrat, Dija dhe Liria, e kaluen jetën nëpër kampet e internimit deri me 1991

Me daten 26 gusht 1946, Muharrem Bajraktari kishte mbledhë nji grup luftëtarësh nga Luma, Hasi, Kosova si dhe nji nga Labëria, gjithsej 56 vetë, që ndiqeshin nga forcat komuniste si në Kosovë ashtu edhe në Shqipni. Janë nisë për Greqi nga Lera e Sorrave (Bjeshka e Kolesojanit), kanë kalue kufinin e Shqipnisë në tokat shqiptare të Maqedonisë, dhe në kufinin greko-maqedon, kanë ra në nji përlejshje të përgjakshme me forcat ndjekëse jugosllave me datën 7 shtator 1946. Pas humbjes së 21 luftëtarëve në atë betej tragjike, Esati del në Greqi me 13 shtator 1946, dhe u vendos në kampet e refugjatëve në afër Athinës ku qendroi për disa vjet.

Esat Bajraktari dalë në nëntor 2015, në New Jersey.

Mbas formimit të Komitetit Kombtar “Shqipnia e Lirë” në korrik 1949, ku Muharrem Bajraktari ishte anëtar i grupit drejtues, Esati, pa e pyet babën e vet, u regjistrue dhe u trajnue në Kompaninë 4000 në Gjermani. Kjo kompani finanancohej nga Shtetet e Bashkueme të Amerikës si operacion i fshehte për të rrezue regjimin komunist të Shqipnisë, dhe logjistikisht ishte nën drejtimin e Komitetit “Shqipnia e Lirë”. Esati tregonte që iu bashkangjit kësaj kompanije se e ndjente në ndërgjegjen e tij me ba diçka me lirue popullin shqiptarë nga diktatura komuniste. Pas dështimit të këtij operacioni, Kompania 4000 u shkri. Esati emigroi fillimisht ne Kanada, dhe mandej në SHBA.

Pasi erdhi ne SHBA, Esati u martue me Nurien, vajzen e antikomunistit Hamit Perollit të Hasit. Nuk u angazhue me aktivite në formacione politike shqiptare në SHBA. Qendroi independent, por gjithnji mori pjesë në protestat që shqiptarët antikomunistë organizonin në New York dhe Washington D.C. në mbështetje të Kosovës si dhe kundra regjimit komunist të Tiranës

Esati len mbrapa bashkëshortën, Nurien; dy femije, Dritën dhe Klitin; vëllaun, Gencin, si dhe shum nipa e mbesa.

Familja hapë të pame të dielen me 17 janar nga ora 1:00 – 17:00 në

Michigan Memorial Funeral Home
17 Michigan Ave.
Paterson N.J. 07503

Vorrimi bahet të hanën me 18 janar në
LAUREL GROVE CEMETERY
295 Totowa Road Totowa, NJ
Në orën 11:00 dalin nga shtepia e funeralit dhe nisen drejt vorrezave.

Comment

*