Ndërroi jetë kampioni botëror Diego Armando Maradona

Lajmin e publikoi gazeta argjentinase “Clarin”: https://www.clarin.com/deportes/murio-diego-armando-maradona-sufrio-paro-respiratorio-grave_0_hCcpbyiC-.html

Denion Ndrenika, Knid Ndrenika

Në moshën 60-vjeçare ndërroi jetë një ndër dy futbollistët më të mëdhenj të historisë Diego Armando Maradona.

Gazeta argjentinase “Clarin” shkruante se Diego Armando Maradona pësoi një arrest kardio-frymëmarrje në shtëpi, në Tigre ku ishte vendosur pas operacionit në kokë disa ditë më parë.

Kampioni i Botës me Kombëtaren e Argjentinës dha shpirt pas infarktit në zemër këtë të mërkurë në mëngjes në lagjen San Andrés në kryeqytetin Buenos Aires.

“Dhe një ditë ndodhi. Një ditë ndodhi e pashmangshmja. Kjo është një shuplakë emocionale dhe kombëtare. Një ndikim në të gjithë botën. Një lajm që shënon një varg në histori. Fjalia që u shkrua disa herë, por ishte dribluar nga fati, tani është pjesë e realitetit të trishtuar: Diego Armando Maradona vdiq”-shkruante “Clarin”.

“Një goditje që jehon në të gjitha gjerësitë gjeografike”, – vijonte “Clarin” për “El Pibe d’Oro”, Maradonën, i cili më 30 tetor mbushi 60 vjeç.

Maradona është njeriu që mori i vetëm një Kupë Bote në 1986 duke patur në skuadër bashkëlojtarë të niveleve jo të larta deri në mesatare, por që u shndërruan në ikona të botërorit të asokohshëm meksikan

Në 1990 Maradona u mposht në finale nga ish-Gjermania Perëndimore, ndaj së cilës bëri historinë po në finalen në 1986.

Ndonëse me një jetë të trazuar mes luftës kundër drogës, që i solli shqetësime madhore shëndeti dhe përjashtim nga Botërori në SHBA në 1994, shkëlqimi i Maradonës nuk u shuajt kurrë.

Përkundrazi, ai u krahasua për qenien më i madhi i të gjitha kohërave përpara brazilianit tri herë kampion Bote, Edson Narantes do Nashimento “Pele”.

Comment

*