Ndërroi jetë kantautori Françesk Radi

Shuhet kantautori i njohur në moshën 67 vjeç Francesk Radi.

Këngëtari mbylli sytë në reanimacionin e Qendrës spitalore universitare pasi 8 ditë më parë pësoi një hemorragji cerebrale.

Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, autoritet e shëndetësisë dhe mjekët nuk mund ta transportonin për trajtim jashtë Shqipërisë pavarësisht kërkesës së familjes.

Ora News shpreh ngushëllimet familjes Radi, gazetares së mirënjohur Tefta Radi për humbjen e bashkëshortit dhe babit të dy fëmijëve.

Kush është Françesk Radi

Ai ka kryer Liceun Artistik dhe më pas Akademinë e Arteve në Tiranës.

Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar në Estradën e Shtetit me instrumentin e kitarës, por njëkohësisht dhe si kantautor. Në vitin 1992 ai ka filluar punë në Radio Tirana si solist, instrumentist, gjatë kësaj kohe ka kompozuar dhe kënduar shumë këngë në festivalet e ndryshme.

Në fillimet e tij me krijimtarinë muzikore solli për publikun këngët “Adresa” dhe “Biçikleta”, dhe që nga ai moment Françesk Radi u bë një emër i vlerësuar.

Ishin pikërisht dy këngët e tij të para të realizuara në vitet ’70, që bënë që krijimtaria e tij artistike të niste rrugëtimin drejt suksesit muzikor. Kënga “Adresa” dhe “Biçikleta” kanë qenë dhe videoklipet e para shqiptare në këngë të xhiruar në vitin 1972.

Më pas krijimtaria e tij muzikore do të shënonte sërish një tjetër kulm pas viteve ’90, duke sjellë disa krijime për publikun. Përmendim këtu këngët “Rroku i burgut”, “Humba pranverën”, “Telefonatë zemrash”, “Zemër e lodhur”, “Ky fat na ra”, “Kemi dasëm ‘o” etj, të cilat kanë mbetur në kujtesën e publikut.

/Ora News/

Comment

*