Ndërroi jetë veprimtari veteran i komunitetit, Sadik Ukperaj

Ka ndërruar jetë dje, më 1 shtator 2018, në New Jersey, SHBA, veprimtari veteran i komunitetit, Sadik Ukperaj (Perolli), lindur me 20 shtator 1920 në Perollaj të Hasit në Shqipërinë e Veriut.

 

Sipas njoftimit të familjes të pamet do të mbahen:

Të hënën, 3 shtator, në orën 6:00 PM – 9:00 PM

Në Shtëpinë e Funeralit “Browning Forshay”

557 Lafayette Avenue,

Hawthorne, New Jersey 07506

 

Ditën e martë nga 9:00 AM deri më 11 AM do të mbahen shërbimet përgatitore për udhëtimin drejt varrezës “Rosemont”, në Elizabeth, New Jersey.

Për çdo informacion, telefononi, djalit të tij, Skënder Perolli, 917 200-1269

Botuesi Vehbi Bajrami dhe gazeta “Illyria” i shprehin familjes ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e figurës së respektuar të komunitetit dhe njeriut të tyre të dashur.

Nga arkivi i gazetës po ribotojmë me këtë rast shkrimin e gazetarit Dalip Greca, kushtuar jetës dhe veprimtarisë të të ndjerit në atdhe dhe këtu në SHBA.

 

 

Rrëfim për një tragjedi shqiptare

 

Kur  Sadik Ukperaj (Perolli) mbronte kufirin nga provokacionet greke në jug të Shqipërisë, shteti i pushkatoi të atin në Perollaj, si strehues i nacionalistëve antikomunistë. Më 1990, djali i tij, Skënderi, ishte pjesë e delegacionit amerikan që rivendosi marrdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe USA.

 

Nga Dalip Greca

Sadik Ukperaj (Perolli) është një ndër shqiptarët e emigruar në mesvitet gjashtëdhjetë në ShBA. Është në moshë pensioni dhe siç thotë vetë, ka një pension të mirë, falë punës me benefite në Nju Jork. Ditët i kalon në shtëpi me nipër e mbesa, sheh emisione televizive, sidomos në gjuhën shqipe, dhe ndonjëherë takohet edhe me shoqërinë e vjetër, e cila përbëhet prej tij dhe dy legalistëve të tjerë; Hajdar Tonuzit dhe Idriz Fetahut. Jetojnë së bashku në Brooklyn dhe për të kujtuar shoqërinë e vjetër dalin shëtitje ose kalojnë ndonjë drekë bashkë. Ashtu si edhe legalisti veteran, Hajdar Tonuzi, edhe Sadik Ukperaj, para se të antarësohej në Partinë e Mbretit, në rininë e tij, ka qenë partizan i Nacionaçlirimtares.

Por siç shprehet ai, partizan jo me dëshirë e vullnet, por partizan me zor. Kur kalonin brigadat partizane nëpër veriun e Shqipërisë drejt Kosovës shkonin shtëpi më shtëpi dhe merrnin me vete djemtë që gjenin aty. Kështu i pat ndodh edhe Hajdar Tonuzit. Gjithësesi që të dy u bënë përkrahës dhe anëtarë aktiv të partisë së Mbretit pasi lanë vendlindjen dhe kaluan në mërgim.

 

Partizan në Kosovë

Sadik Ukperaj ka lindur me 20 shtator 1920 në Perollaj të Hasit në Shqipërinë e Veriut. Është i biri i Ramadan Binakit. Mbiemri Perolli, që përdoret krahas Ukperaj, përcakton fshatin e lindjes ose vllazninë Perollaj. I ati i tij , Ramadan Binaki, ka qenë derë e përmendur në Has e të gjithë Malësinë e Gjakovës. Përmendet si pikë orientimi për bujari e atdhetari.Në kohën e luftës ai u përpoq që të mos përzihej me asnjë pale ndërluftuese, por të shihte punët e tij dhe të vllaznisë së vet. Mirëpo, një ditë vjeshte, aty nga fillimi i tetorit 1944, brigada e pestë që komandohej nga Veli Nimani, kalon nëpër Has, shkon dhe në Perollaj, dhe merr me vete djemtë që gjenë nëpër shtëpi.Sadiku, atëhere  24 vjeçar, nuk pati kohë të thoshte as ”Po” as”Jo”, ashtu siç ishte i veshur, me një këmishë të hollë italiane dhe me një xhaketë verore të Essesëve gjerman, u fut nën komandën e komandantit të batalionit, i cili me sa kujton sot, quhej Ismail Goga.

Kohëluftën Sadiku e kujton me trishtim e dhimbje.Edhe pse lufta ishte në përfundim dhe gjermanët kishin marrë rrugën e tërheqjes, brigadat partizane shqiptare, në emër të internacionalizmit “proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni” kishin kaluar nëpër viset e Jugosllavisë dhe në tokat e Kosovës dhe vazhdonin luftën.

Ukperaj e kujton atë kohë më shumë si kohë vuajtjesh, ku për ditë të tëra, tri a më shumë ditë e net, nuk kishin vënë në gojë as një kafshatë bukë, ndërkohë që ishte dimër i ashpër secili ishte i veshur keq. Ndërsa përsa i përket armatimit ai kujton se nuk kishte më shumë se 20 fishekë me vete dhe me ato do të luftohej gjermani!

Në ditarin e kujtesës së tij, parakalojnë ngjarje dhe vende, ku ai me formacionin partizan, ku ishte rreshtuar, kaluan në dimrin e ashpër të 1944.

Ish partizani Ukperaj kujton se komandanti i Brigadës 25, Veli Nimani ishte  sëmur rëndë dhe kishte mbetë në spitalin e Prizrenit dhe komandën e kishte marrë Nuri Arapi. Ishin kohë të vështira. Kosovës po i përgatitej t’i ngulej thika pas shpine. Bashkimi i përkohshëm i saj me Shqipërinë dukej se kishte qenë një ëndërr e shkurtër.

Ukperaj kujton se marshohej në të ftohtë në gjurmët e autokolonave të gjermanëve.

Kur i kërkoj që të tregojë ndonjë episod nga lufta, ai mendohet për një çast dhe më pas kujton se një ndër përprjekjet që i vjen ndër mend, është ajo e zhvilluar në Preakole, ku bora ishte deri në brez dhe armatimi për të qarë hallin. Ukperaj kujton se zbrazën disa fishekë atje dhe më pas u tërhoqën.

Pasi mendohet pak, shton: “Më kujtohet ndodhia e një nate, me një ushtar që po mburrej se kush ishte e çfarë do t’i bënte armikut po t’i dilte përpara. Pasi mbaroi së foluri, më pyeti se çfarë mendoja. Unë i thashë se për këdo që ishte dikushi në grupin tonë, preferoja të dëgjoja nga të tjerët dhe jo nga ai vetë.

Mëngjesin e të nesërmes kur filluan të shtënat po ai burrë ishte fshehur në një kanal me automatikun e tij, duke u dridhur prej frikës. I thashë se armiku ishte ende duke pritur që të dilte ai trimi i madh që po fliste një natë më parë. Gjithësesi ia mora automatikun dhe vazhdova rrugën.”

Sadik Ukperaj ka kaluar më shumë se dy muaj nëpër malet e Kosovës; Ka luftuar në Prizren, në Mitrovicë, në Ashkë, Senicë, Apole, Bukovik etj. Kujton se në Gjilan kishin urdhër të zinin Mulla Idrizin. Sadiku ishte pikërisht me skuadrën që mori urdhërin që të shkonte tek shtëpia e tij. Aso kohe i kishin rrasur në shpinë një mitroloz 12, 7 milimetrësh. Për t’i dhënë shenjë mullait, u shkrehën pushkët para se të ngjiteshin tek shtëpia e Mulla Idrizit, që ishte në një bokërrimë. Kështu që Mullai iku para se të mbërrinte atje skuadra partizane.

Herë pas here ish partizani i marrë me zor në radhët e ushtrisë ndjehet i lodhur nga kujtimet e kohës së largët. Duke përfitur nga një heshtje e pazakontë, pas rrëfimit të një episodi të trishtuar, i drejtoj një pyetje disi provokuese:

– A nuk ndjeni ndonjë peng për faktin se Kosova nëpër të cilën ju luftat iu dorëzua Jugosllavisë nga Enver Hoxha, i cili në ato kohë që ju ishit në radhët e ushtrisë partizane mbante postin më të lartë, atë të komandantit të përgjithshëm?-

Sadik Peraj, përsëri pllakoset nga një heshtje disaminutshe dhe duket se  ndjen një dhimbje të pafajësisë së vet. Më pas ngre kokën dhe më sheh me vështrim të përqëndruar:

– Nuk ishte faji ynë, pjesën më të madhe tonën i kishin marrë ashtu si edhe mua, me zor. Përgjegjësia është e komunistëve me Enverin në krye. Ku e dinim ne se çfarë bëhej me Kosovën. Ne kishim shkuar të çlironim vëllezërit tanë të gjakut. Mendoj se përgjegjësi historike edhe mbajnë  fuqitë e mëdha që ndanë fatet e pasluftës. Shqipëria qëlloi në Ballkan, të cilin  të mëdhenjtë ia lanë në pjesë Rusisë dhe Jugosllavia; kjo e fundit ishte e përkëdhelura e Stalinit.

 

Komunistët i pushkatojnë të atin kur ai mbronte kufinjtë në jug

Si shumë nga familjet shqiptare, edhe ajo e Sadik Ukperajt nga Hasi, është mbartëse e një historie tragike, të shkaktuar nga diktatura komuniste. Pasi ikën nga Kosova, Sadikun e trasferojnë në Jug të Shqipërisë, ku kishte trazira nga grekët, që po ndërmerrnin provokacione kundër kufijve të Shqipërisë. Ai ishte dislokuar në Dropull dhe për shumë kohë iu desh që të stacionohej në Kakavijë, ku provokimet ishin të vazhdueshme. Por ndërsa ai sakrifikohej për të mbrojtur kufijtë e Atdheut, në familjen e tij në Perollaj po shkruhej historia tragjike e atit të tij, i cili nuk shihej me sy të mirë nga regjimi i ri komunist. Shtëpia e tyre në Perollaj po vëzhgohej natë e ditë për shkak se dyshohej si bazë ku strehoheshin nacionalistët që nuk i kishin ulur armët, edhe pse lufta ishte deklaruar e përfunduar.

Pasi kishin mbledhë faktet e duhura, komunistët e shpallën familjen Ukperaj si bazë të”armiqëve të popullit”, që strehonte”diversantë”. Arrestuan të atin e Sadikut, Ramadan Binaki. Dhe ashtu siç e kishin në praktikën e tyre ai u dënua edhe pse nuk kishte kryer asnjë akt të dhunshëm apo të dënueshëm, por thjesht u kishte çelë derën nacionalistëve, që ishin dhe miq të familjes, si Muharrem Bajraktari me luftëtarët e vet.Për të terrorizuar ata që mbështesnin nacionalistët, babait të Sadikut i dhanë një dënim ekstrem. Ai u pushkatua dhe familja që nga ai çast do të ishte me shenjë për regjimin e epitetuar si ”Armike e pushtetit popullor”..

Sadikut, që aso kohe vazhdonte të shërbente në mbrojtje të kufijëve të atdheut të rrezikuar, iu desh që të gëlltiste lotët e dhimbjes dhe ta vajtonte në heshtje atin e tij.Që nga ai çast ai e pa se nuk ishte i besuar i atij pushteti dhe që nga ai moment do t’i duhej që të bënte kujdes se ata nuk do t’ia falnin faktin se ishte “I biri i armikut të popullit”.

 

Arratisja, 40 vetë bashkë  me bagtitë

Tregimi i Sadik Ukperaj për të atin është i dhimbshëm: “Kisha kohë që nuk isha parë me tim atë. Askush nuk ma dha lajmin e pushkatimit të tij. Kur u lirova nga ushtria, në shkurt të 1947, shtëpinë e gjeta në zi. Vajtohej i pafajshmi, që nuk kishte kryer asnjë krim në jetën e vet. E kishin pushkuatuar në dhjetor të 1946.”

Ukperaj tregon se çdo ditë që kalonte ata ndjenin mbi vete peshën e dyshimit të regjimit komunist. Të gjithë; Sigurimi, Fronti, Këshilli e shihnin me dyshim familjen e tyre. Ndërkohë matanë kfirit kishin mbetur shumë kushrinj, nipër e të afërm të tjerë të familjes, të cilët herëpashere UDB-ja, pas prishjes mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë i dërgonin në tokën shqiptare me mision, që të propagandonin se Jugosllavia nuk i kishte bërë tradhëti komunizmit, Shqipëria dhe Stalini ishin në rrugë të gabuar. Me mision të tillë dërgoheshin dhe të afërmit e Ukperajt. Sigurimi shqiptar po e vëzhgonte nga afër familjen Ukperaj dhe plotësohej dosja: Kush hynte e kush dilte. Dukej se po afrohej koha e një dënimi të ri. Edhe pse kishte qenë partizan dhe ushtar i mbrojtjes së Popllit, Sadik Ukperaj po e ndjente rrezikun kanosës.

Miqtë e tyre që jetonin në Kosovë u kishin çuar fjalë:”Kur të jeni gati për të kapërcyer kufirin, na lajmëroni dhe ne vijmë e ju marrim.”

Dhe koha kishte ardhë. U caktua një natë prilli. Ishte natë e hidhur, e ankthshme, nata e ndarjes me gjithëçka të dashur. Sadik Ukperja ka bërë luftë me veten atë natë. Jo se kishte ndërmend që ta prapsonte vendimin e arratisjes, por në gjoks i ishte mbledhur një gulç, që po i merrte frymën. Mendimet i përplaseshin dhe ai s’mundëte t’i ftillonte. Vetë ish partizani me baba të pushkatuar, me ikjen mund të shpëtonte nga komunistët, por pas po linte gjithçka, varret e të parëve, po linte atin e tij të pushkatuar nga ata, po linte vendin ku ishte lindur dhe kishet kaluar 24 vjet jetë. Përjetonte dhe një dramë tjetër djaloshi, që ende nuk ishte martuar: Atje  po i  mbetej edhe e fejuara. Sipas zakonit ajo nuk mund të martohej pa i dhënë leje dera që e kishte kërkuar nuse. Dhe kohë më vonë, kur shkoi në Kosovë, Sadiku i dërgoi fjalë babait të fejuarës se e linte të lirë dhe të shihte e jetën e saj. Ai nuk do të mund të kthehej dhe atë s’mund ta mbante peng për gjithë jetën.

Atë natë para nisjes i kishin kaluar para syve dhe mendjes gjithëçka nga jeta. I ishte shfaqur edhe i ati i pushkatuar.

Gjithësesi vendimi ishte i formës së prerë. Ata, nipërit dhe kushërinjtë kishin ardhë që matanë kufirit dhe do të dinin që t’i nxirrnin pa rënë në sy të rojave të kufirit. Ishin të armatosur të gjithë.Si sot e kujton natën e 16 prillit 1949 Sadik Ukperaj. Në sytë i endet një perde e përhime lotësh, që bie në rezonancë me kohën e hershme, ku ai la vendlindjen.Tani i duket si një ëndërr e largët, e mbështjellë në mjegullnajëne  kohës. Ishte një karvan i tërë që do të kalonte kufirin. Plot 40 vetë, përfshi edhe qetë e arës të mbrehur në një zgjedhë. I kishin mbreh që të ishin më të kontrollueshëm. Kishin marrë edhe pesë lopë, kuaj e kafshë të tjera. Kufiri  u kalua me kujdes. U kapërcye në kohëndërrimin e rojave, pa përplasje dhe pa kurrfarë incidenti.E nesërmja i gjet në matanë kufirit.Shteti komunist i Shqipërisë dha alarmin të nesërmen, por ishte tepër vonë.

 

Rruga drejt lirisë

Jeta në Kosovë qe e vështirë. Gjatë të gjithë kohës nën kontrollin e sistemit policor jugosllav. Trajtohej si çdo familje tjetër emigrantësh nga Shqipëria.Kohën më të shumtë familja Ukperaj e kaloi në Gjakovë. Atje Sadiku krijoi familje, u martua me një vajzë vendase, gajkovare. Atje i lindën djemtë Skënderi dhe Esati.Pas 17 vitesh kërkoi që të nerrte një vendim të rëndësishëm për jetën; të ikte e të shpëtonte njëherë e mirë nga kontrollet policore.Këtë vendim e kishte përshpejtuar rënia e Rankovicit. Familjeve shqiptare u ishte thënë:Ju mund të ikni në Shqipër! Një fjalë goje, po si mund të shkoje si cjapi tek kasapi?! Familja Ukperaj ishte kundërshtare e regjimit komunist dhe si e tillë ajo do të dërgohej direkt ose në burg ose në kampe internimi. Kurrësesi nuk mund të kishte kthim pas.Sadik Ukperaj sjell ndërmend ato çaste kur atij i thanë se mund të largohej nga survejimi policor sllav nëse vihej në kontakt me familjen e Nderim Kupit. Në fakt ishte nëna e Nderimit ajo, së cilës ia dedikon ikjen nga ferri i survejimeve Ukperaj me familjen e vet. Nëna e Nderimit kishte të njohur në Beograd dhe i hapeshin dyert, kujton Sadik Ukperaj.

U siguruan dokumente të përkohshëm kalim-kufiri, duke shfrytëzuar pasaporta të shqiptarëve të Malit ët Zi. Nga Jugosllavia kaluan në Triestë, ku i vendosën në një kamp refugjatësh. Dy muaj i kaluan në një kamp refugjatësh në Latina. Fëmijët ishin ende në moshë të vogël, Skëndëri 16 vjeç, ndërsa Esati 8 vjeç. Dy muaj kaluan në kamp. Ishte një kohë që u shpenzua me intervista dhe mbushje formularësh. Në kampin e refugjatëve takuan me Shaban Gjurën, një nacionalist i njohur, që kishte luftuar në malet e Shqipërisë për rrëzimin e komunizmit.Ai  kishte mundësuar garancinë për në SHBA. Shpenzimet e udhëtimit dhe ushqimet i kishte marrë përsipër Kisha Katolike.

Pas dy muajësh udhëtuan për në Nju Jork. Kur mbërritën në Nju Jork gjithëçka ua kishin bërë gati. Shtëpinë e gjetën të rentuar dhe të mobiluar thjesht. E falenderuan Gjurën me shpirt.

Sadik Ukperaj sapo mbërriti në Nju Jork i hyri punës, ndërsa fëmijët i dërgoi në shkolla.Arriti të kursente, të mos bënte shpenzime të tepërta. Arriti që të blente shtëpi të vetën. Gjithëçka i eci mbarë. Kishte punë të mire, kishte shokë, përjetonte lirinë që kishte ëndërruar. Fëmijët iu bënë të mbarë. Tani jeton me djalin e  vogël, Esatin, por dhe Skënderi, djali i madh e trajton mjaft mirë, ndërsa vajza, e cila ka lindur këtu është martuar me një shqiptar nga Prizreni. Tani kanë shkuar dhe jetojnë në Prizren, ku kanë zhvendosur edhe biznesin e tyre. U ka ecur mirë deri tani.

 

Në partinë e Mbretit

Kur erdhi në Nju Jork Sadik Ukperaj fillimisht u mor me familjen dhe punën, por pas dy vitesh vendosi që t’i bashkohej me Organizatën Lëvizja e Legalitetit. U bë anëtar aktiv i Lëvizjes së Legalitetit. Më parë pat shumë ftesa nga partitë dhe organizatat e tjera, por iu përgjigj negativisht atyre për arsye se e shihte veten më afër monarkistëve

Aktiviteti i Lëvizjes së Legalitetit ka qenë një variacion që ka plotësuar boshllëkun e  jetës.Sadik Ukperaj atje gjeti miq dhe shokë, me një pjesë të të cilëve vazhdon që të takohet edhe tani.

Ka marrë pjesë nëpër Kongrese e përkujtime dhe ka qenë aktiv. Ai ishte një ndër të ftuarit në dasmën e Leka Zogut.Ende e ka në kujtesë atë dasëm madhështore, të ftuarit specialë dhe përmasat e  dasmës. Qëndruan atëherë katër ditë në dasëm. Ai ruan ende shumë fotogarfi, që fiksuan kujtimet e asaj dasme.

Sadik Ukperaj ka mendimin se komunistët kanë ushtruar presion dhe diversion ndaj partisë Lëvizja e Legalitetit. Synimi ka qenë për ta shkatërruar nga brenda. Ashtu siç është vepruar edhe ndaj partive të tjera nacionaliste në diasporë.

 

Pas 40 vjetësh, kthim në vendlindje

Fillimi i viteve ’90 do të sjellin ndryshime që askush nuk i kishte çuar ndërmend. Shqipëria dalëngadalë do të hapej dhe do të rivendoseshin marrdhëniet edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas një ndërprerje të gjatë prej 52 vitesh. Në ekipin amerikan që shkoi në Tiranë për rivendosjen e marrdhënieve ishte caktuar edhe i biri i Sadik Ukperaj Perolli, Skënder Perolli.Sadikut iu ngroh zemra dhe iu lagën sytë, kur i biri i tha se do të shkonte në Shqipëri me mision diplomatik dh se kishte vendosur që të merrte me vete dhe atë vetë, pra Sadikun. I kujton me një lloj krenarie ato çaste. Ndërsa i biri fliste, ai ishte mbërthyer nga emocionet. Kishte ikur natën nga vendi i vet, ishte arratisur me kokën të kthyer pas, pa menduar se do të vinte dita e kthimit… Dhe ja tani po shkonte me të birin, i cili ishte përfshirë me palën amerikane për të rivendosur marrdhëniet e ngrira, gati 50 vite të shkuara.

Kur zbriti në Tiranë ndjente një dhimbje të ëmbël. Nuk e kishte menduar kurrë në atë mënyrë kthimin në Atdheun e vet. Askush nuk mund të kishte një fantazi aq të ndezur sa ta parashikonte se një ditë ai do të kthehej përkrah të birit në një delagacion historik, që do të rivendoste marrdhëniet mes dy vendeve. Qëndroi 10 ditë në Hotel “Dajti” ku ishte  vendosur delegacioni amerikan.

Një nga momentet më të rëndësishme për të ka qenë ftesa e dr. Sali Berishës, të cilën e ka ende në kujtesë:

– “Një mbrëmje dr. Sali Berisha na ftoi për darkë në shtëpinë e tij me të ndjerët Ibrahim Rugova dhe Azem Hajdari, si dhe Bujar Bukoshin. Besoj se për shkak të moshës më thanë që të ulesha në krye të tavolinës.Ishte një mbrëmje e paharrueshme.”

Kur i biri kishte mbaruar punët e shtetit, i ati i kishte propozuar:

– A po shkojmë tani atje ku kam lindur unë?

– Po, babë, nisemi, i ishte përgjigjur i biri.

Dhe kishin udhëtuar drejt Hasit. I kishin prit me mall e me respekt. Kishin bërë festë në vllazni, dy ditë dreka dhe darka. Ishte çmallë Sadik Ukperaj dhe ndjehej i lumtur, që ia kishte arritur ta rishihte edhe një herë vendlindjen, edhe pse shtëpisë së vet nuk ia gjeti as gjurmët…

Comment

*