Ndërron jetë këngëtarja Vaçe Zela, e la me gojë të prehet në atdhe

Familja njoftoi se Vaçe Zela ndërroi jetë rreth orës 01:00 të 6 shkurtit pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë

Denion Ndrenika

Kur lindi në ditën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia në 7 prill 1939, askush nuk e dinte që Vaçe Zela do të shndërrohej në njeriun më të madh të muzikës së popullit të saj.

Sot, në 6 shkurt 2014, 75 vjet pas lindjes në Lushnjë, Vaçe Zela këngëtarja e madhe ndërroi jetë në Bazel të Zvicrës ku jejtonte me të familjen e së bijës.

Familja njoftoi se Vaçe Zela ndërroi jetë rreth orës 01:00 të 6 shkurtit pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë.

Këngëtarja e madhe e ka lënë me gojë që të prehet përgjithmonë në atdhe.

Vaçe Zela është e vetme që duke gjallë mori titullin “Nderi i Kombit”, kur ia ndau ish-presidenti Alfred Moisiu me motivacionin e vlerave të rralla si artiste e shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm në interpertimin e këngës dhe muzikës.

Shqipëria në e vlerësoi për vlerat dhe rolin në art vitin 2009 si “Viti i Vaçe Zelës.

Vaçe Zela lindi në Lushnje në vitin 1939 dhe më 7 prill të këtij viti do të mbushte 75 vjeçe. Ajo është gruaja e parë shqiptare e nderuar sa qe gjallë me titullin “Nderi i Kombit.

Me dëshirën e saj të lënë amanet tek të afërmit e saj, artistja e madhe shqiptare Vaçe Zela do të prehet në atdhe.

Artistja e madhe e skenës shqiptare njihej me disa epitete. “Zëri i Artë i Shqipërisë”, “Ikona e Shenjtë e Këngës Shqiptare”, “Mbretëresha e Këngës Shqiptare”, “Ylli Polar që vërtitet i vetëm në Galaktikën e Këngës së Lehtë Shqiptare”, “Gjigandja e Skenës Shqiptare”.

U zbulua rastësisht në moshë të re në Lushnjë. Vaçe Zela ka një zë të jashtëzakonshëm. Me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj të pavdekësisë duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut. Këngët e saj në vite mbeten popullore dhe të preferuara edhe sot nga publiku.

Vaçe Zela u largua përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Sidoqoftë Vaçe Zela mbetet “Zëri i Jashtëzakonshëm” që mbushte me energji skenat shqiptare duke u bërë idhulli i shumë brezave.

Vaçe Zela i dhuroi publikut shqiptar si edhe Historisë së Muzikës Shqiptare zërin e saj të artë.

Një kulm që nuk do të shlyhet kurrë nga kujtesa artistike. Vaçe Zela ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës në Radio dhe më vonë në Radiotelevizion që prej organizimit të parë të tyre, duke fituar plot 12 çmime të para, një rekord i paarritur deri më sot.

Vaçe Zela është fituesja e parë e Festivalit të Parë. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj.

Vaçe Zela ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave. Prej disa vitesh jeton në Zvicër.

Ajo është e vetmja femër shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” nga presidenti Alfred Moisiu me motivacionin: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”.

Për nder të këngëtares, viti 2009 është shpallur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj.

Comment

*