Ndërron jetë Mustafë Elezi, veteran i Vatrës dhe komunitetit shqiptar

Mustafë Elezi, një nga figurat më të njohura të komunitetit shqiptar ka mbyllur sytë përgjithmonë sot, në moshën 92-vjeçare. Lajmin e kanë dhënë në rrjetet shoqërore fëmijët e tij.
Të pamet happen nesër, e martë, 2 tetor:
Në orën 2:00 – 9:00
Adresa:
F. Ruggerio & Sons
732 Yonkers Ave
Yonkers NY 10704
914.375.1400
Varrimi ditën e mërkurë në mëngjez.
Mustafë Elezi ishte një figurë e shquar e Federatës PanShqiptare Vatra, po ishte edhe një mik, dashamirës i gazetës “Illyria” e i shumë organizatave, lëvizjeve dhe nismave të mira në komunitetin shqiptar të Amerikës.
Një i mbijetuar i madh i stuhive të ndryshme historike të kombit shqiptar.

Redaksia e gazetës “Illyria” dhe botuesi Vehbi Bajrami i shprehin ngushëllimet familjes të Mustafë Elezit. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij.

(Me këtë rast po botojmë një shkrim të gjerë për jetën e tij të botuar në “Illyria”, në maj 2009, nga gazetari Dalip Greca).

 

 

Mustafë Elezi, nga Dragobia në SHBA, një jetë mes dy botëve

 

Nga Dalip Greca

Mustafë Elezi është një ndër shqiptarët që erdhi në SHBA në fundvitet ’60 të shekullit të shkuar. Ai jeton në shtëpinë e tij dy katëshe në Yonkers, NY. Ftesa e Illyria-s për një intervistë për sfidat dhe sukseset e jetës së tij, e gëzoi pa masë. Na priti në krye të shkallëve të shtëpisë dykatëshe. Atë ditë kishte mysafirë nga Shqipëria, të nipin me të shoqen, që të dy juristë. Mustafa ka siguruar një mirëqenie të kënaqshme falë punës dhe përkushtimit të vetë atij dhe të fëmijëve, që i ka të mbarë e të suksesshëm. Ndjehet i gëzuar nga mirënjohja dhe përkujdesja që tregojnë fëmijët për të, për të cilët ai thotë se janë krenaria dhe gëzimi i jetës së tij. Ka investuar por dhe ata ia kanë shpërblyer. I ka shkolluar të gjithë dhe mundimi nuk i ka shkuar kot. Edhe pse vitet ia kanë shtuar pleqërinë, Mustafë Elezi nuk ndahet nga veprimtaritë e komunitetit. As nga Shqipëria që e do aq shumë, paçka se ia patën mohuar. Tani është në prag të një udhëtimi drejt vendlindjes. Vizitat në vendlindje, ia mbajnë shpirtin ngrohtë, siç shprehet vetë ai.
Mustafa ndjehet vatran në shpirt dhe që prej vitit 1968, ku është bërë pjesë e saj, nuk mund t’i largohet.Ishte edhe në veprimtarinë e fundprillit organizuar nga Vatra në promovimin e librit “Zonja e zezë, Nexhmije Hoxha”. Është antikomunist me shpirt nga që komunizmi ia pat nxirë jetën, jo vetëm atij, por të gjithë fisit.
Familja e Jah Elezit të Dragobisë, pjesë e së cilës është Mustafa, në shekullin e shkuar ishte me emër në të gjithë Malësinë e Gjakovës e më tej. Ajo përmendej për tradita e trimëri në Kosovë , Plavë-Guci e Shqipëri. Para Luftës së Dytë Botërore, kjo familje e madhe prej më shumë se 50 anëtarësh i nënshtrohej rregullave të traditës patriarkale, ku punët përballeshin bashkë e miku pritej me bujari e besë. Familja e Jah Elezit ka jetuar në Dragobi dhe Çerem. Sa herë mësynin sllavët nga Gryka e Dragobisë, Eleztë ishin në ballin e luftës. Komunizmi këtë familje të madhe nacionaliste, e shpalli armike të popullit! Për pesëdhjetë vjet kalvari që përshkoi familja e Jah Elezit, qe i përgjakur; me të pushkatuar, të burgosur e të internuar deri në vitin 1990.

Luftëtarët e lirisë shpallen armiq

Mustafe Elezi – i ri

Lufta e Dytë Botërore i gjeti Eleztë në ballin e Luftës për liri. Tre djemtë e Sali Jah Metalisë; Jah Sali Metalia, Abaz Sali Metalia dhe Mustafë Sali Metalia ishin rreshtuar në radhët e luftëtarëve të lirisë kundër pushtuesve. Njëri vëlla, Jah Sali Metalia i ishte përgjigjur menjëherë kushtrimit për të shkuar në Kosovë. Ai kishte përfunduar gjimnazin e Shkodrës dhe ishte ndër ata djem që me thirrjen e parë të Mit’hat Frashërit shkoi në Kosovë. Gjatë kohës së pushtimit ai ishte kryetar i komunës së Junikut. Ishte koha kur një pjesë e inetelektualëve të Shqipërisë dhe të Kosovës menduan se ishte realizuar bashkimi kombëtar dhe rrezikuan veten për të shërbyer sipas aftësive intelektuale, kudo ku kishte nevojë Kosova. Ishte koha kur Ago Agaj, Kudret Kokoshi, e intelektualë të tjerë të Shqipërisë i shkonin në ndihmë Kosovës. Jah Metalia mbeti ushtar dhe idhtar i Mit’hat Frashërit dhe iu përgjigj thirrjes së tij. Në betejën e Junikut Jah Sali Elezi ishte në ballë të luftës. Tri ditë zgjati beteja, por heronjtë u ndëshkuan duke u shpallë armiq të popullit. Komunistët shqiptarë dhe ata jugosllavë e akuzuan Jahon për bashkëpunim me pushtuesin, ndërkohë që Juniku i tij dhe e tërë Kosova ranë sërish në pushtimin sllav. Ai u masakrua së bashku me 100 kosovarë. U pushkatuan pa gjyq ata që deshën të mbronin Junikun dhe Kosovën.Familja Elezi trashëgonte patriotizmin e Jah Elezit, që kishte prirë në betejën e Valbonës. Ai kishte marrë pjesë së bashku me Bajram Currin në mbrojtje të Prizrenit, pat luftuar për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë dhe kudo ku kriste pushka e shqiptarit për liri.
Mustafë Elezi ishte vetëm 17 vjeç kur iu përgjigj thirrjes së Atdheut për të luftuar për liri. Ishte një ndër partizanët e vegjël në moshë të Brigadës 25 partizane. Kur partizanët çliruan Tropojën, i kërkuan atit të tij që të niste me ta djalin. Ishte djalë i ri plot ideale dhe mendonte se populli shqiptar pas lufte do të vendoste pushtet demokratik dhe do të gëzonte një jetë më të mirë.Sakrifikoi rininë e vet nëpër male në të ftohtë e shpesh i pangrënë. Luftoi që nga Tropoja në Gjakovë, Ferizaj, Prishtinë, Mitrovicë etj. Por u zhgënjye shpejt; në vend të demokracisë komunistët vendosën diktaturën më të egër në të gjitha vendet ish komuniste.Jo vetëm kaq, por komunistët shqiptarë bënë pakt vëllazërimi dhe u bashkuan me Titon duke zhgënjyer vëllezërit kosovarë. Ata dorëzuan Kosovën dhe shumë nga djemtë shqiptarë që kishin ushqyer iluzionin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë ose kishin luftuar me parullën “Kosova është Shqipëri” , u ndëshkuan. Tronditjen më të madhe Mustafë Elezi e pësoi kur u kthye nga lufta, shtëpia e tij në Dragobi ishte djegë nga bashkëluftëtarët e tij partizanë. Ishte një zhgënjim tronditës. Familja e madhe qëndronte në qiell të hapur, pa patur një strehë ku të fusnin kokat. Shpërblim i bukur për kontributin e dhënë në luftë!-psherëtinë gjatë rrëfimit Mustafë Elezi.Ai i kishte kërkuar pushtusit nëpër male, por ata paskishin qenë aq pranë!
Era e së keqes po frynte me tersëllimë edhe në grykën e Dragobisë. Tani sllavët nuk vinin më me taborre sulmi përmes luginës së Valbonës për ta ndalë turin tek shpella e Bajram Begut! Ata ishin ulur këmbëkryq në Tiranë dhe u dorëzonin komunistëve shqiptarë listat e atyre që kishin luftuar për një Kosovë bashkë me Shqipërinë, pra ishin kundër vëllazërimit me serbët. Pas djegies së shtëpisë erdhën të tjera fatkeqësi për familjen Elezi; në vitin 1945 komunistët kishin pushkatuar pa gjyq xhaxhanë e Mustafës; Asim Jah Elezin, duke lënë në katër rrugë të shoqen dhe tre fëmijët e tij.Mustafës ende nuk i kishte ardhë radha. Ai kishte ende meritat e luftës. Po sa do ta mbronin ato? Vazhdonte të shërbente si nënoficer në ushtri duke qenë shef i prapavijës në batalionin e artilerisë bregdetare. Dukej se ishte larg rrebeshit që po i rrëzonte një nga një burrat e familjes Elezi, por ky ishte vetëm iluzion i përkohshëm.
Tragjedia vazhdon të godasë familjen e madhe të Elezëve me një fuqi goditëse si një tërmet nëntë ballësh; në vitin 1946 arrestohet tek po kryente shërbimin ushtarak në brigadat shqiptare në Maqedoni, vëllai tjetër i Mustafës. Tragjedia në familjen e Jah Elezit nuk ka të ndalur. Rrethi po i afrohej edhe vetë Mustafës. Arrestohet dhe vëllai tjetër i tij, Adem Sali Elezi, ish myfti në Kukës, vetëm pse predikonte që Kosova dhe Shqipëria janë një. Pas pak kohësh në pranga përfundon edhe xhaxhai Azem Jahja, ish imam në Tropojë.Të dy ata u përballën përmes një kalvari të tmerrshëm nëpër burgjet e diktaturës komuniste. I vetmi “faj” i tyre ishte nacionalizmi, patriotizmi ndaj Kosovës, e cila i ishte dorëzuar Jugosllavisë.

Arrestimi i Mustafë Elezit
Mustafa po e parandjente se po i afrohej arrestimi edhe pse tregohej i kujdesshëm, që të mos i shpëtonte asnjë fjalë e pamatur apo ndonjë gabim teknik në detyrën që kryente, ai nuk mundi ta shmangte të keqen. Hafijet kishin filluar t’ia përgjonin hijen. Iu vunë prangat në vitin 1949.Ishte duke kryer shërbimin ushtarak në Shëngjin të Lezhës në artileri bregdetare, kur dëgjoi akuzën e tmerrshme: “Në emër të popullit je i arrestuar!”. Filluan edhe për atë vuajtjet dhe torturat e tmerrshme. Hetuesia vazhdoi për më shumë se dy muaj. Një hetuesi e ashpër me tortura spartane të huazuara nga rusët ra mbi të. Pas hetimit, ku ai nuk pranoi asgjë, erdhi gjyqi ushtarak.U gjykua për faje që nuk i kishte kryer. Cilësohej armik ai që kishte luftuar për liri. Nuk kishte as avokat që të mbrohej; prokuror, gjykatës, avokat ishte Partia Komuniste. Prokurori kërkoi dhjetë vjet burg, ndërsa trupi gjykus e la me tetë vjet. Nga burgu i Tiranës e çuan në Korçë. Atje u përball me vdekjen. Këneta e vdekjes mori shumë trupa të sfilitur të burgosurve politikë. Mustafa thotë se ishte me fat që i shpëtoi vdekjes. Në kujtesë ka ende ënjtjen e trupit nga sëmundja e skorbutit, që ra mes të burgosurve dhe mori shumë jetë. Edhe Mustafa s’mund të bënte përjashtim. Dr. Isuf Hysenbegasi, që ishte i burgosur, arriti t’i shpëtojë duke kërkuar me këmbëngulje domate në mungesë të vitaminave për të burgosurit. Nuk i harrohet as Ram Halili, një i burgosur, që e kanë lënë policët tërë ditën në diell e tërë natën jashtë, të lidhur këmbë e duar dhe më pas çonin tek ai të gjithë vargun e të burgosurve, që ta pështynin. I shkreti, mezi e përballoi Maliqin, por nuk përballoi Peqinin. Vendosi që të ikte nga skëterra, por e tradhëtoi shoku me të cilin pat vendosë të arrastisej. Ai ishte spiun dhe në momentin e arratisjes e kapën dhe e vranë Ramën. Nga viti 1949 deri në vitin 1957 jeta e Mustafës kaloi sprovat e qëndresës në burg dhe kampet e internimit. Ka punuar edhe në kanalin Peqin-Kavajë. Aty ka gjetë vëllanë e vet Ademin. Vuajtjet nuk kishin të mbaruar. Më pas e kanë çuar në ndërtimin e fushës së aviacionit në Kuçovë. Nuk mbaruan me kaq vuajtjet. Pasi të burgosurit përfunduan ndërtimin e fushës së aviacionit i dërguan në ndërtimin e kanalit Vjosë-Levan-Fier.Vuajtën shumë në Shtyllas.Një vit e gjysëm ka qëndruar në ndërtimin e kanalit.Më pas i kanë çuar për ndërtimin e fushës së aviacionit në Tiranë.Edhe pse kampi ruhej në mënyrë të rreptë, pesë nga të burgosurit hartojnë një plan arratsije. Të prirur nga Abaz Korçari ata hapën një kanal të nëndheshëm në fshehtësi dhe hartuan planin e arratisjes. Pasi kanë bërë gati kanalin, kanë dalë, por në dalje e sipër i ka dikutuar roja dhe ka qëlluar me breshëri automatiku. Njëri prej të arratisuarve është vra. Pas kësaj ngjarjeje në kamp ka shkuar vetë Mehmet Sheu dhe u ka mbajtë një fjalim të ashpër, duke i cilësuar armiq, të poshtër e fundrina të shoqërisë. Pas kësaj ngjarjeje kanë shtuar masat e sigurisë.Vuajtjet ishin të pafundme.Kur është liruar nga burgu, Mustafa e ndjeu veten të shkatërruar e tepër të lodhur.

 

Mbushet kupa e vuajtjeve, vendos të arratiset

Në vitin 1957 kishin filluar sërish dënimet dhe internimet masive. Familja Elezi kishte ndërtuar një shtëpi të re me 12 dhoma pas asaj që ia dogjën gjatë luftës. Edhe këtë shtëpi ia kishin marrë komunistët dhe po përgatitej internimi masiv pasi ishin shpallë kulakë, duke u hequr edhe kartat e Frontit. I erdhi në mbrëmje një mik nga Kolgecaj. Mustafa kish qenë në luftë me mikun e tij. Ai e lajmëroi se kishin sjellë nga lartë listat e internimeve të reja. Në këto lista ishin të parët emrat e atyre që ishin liruar nga burgjet, ku ishte dhe emri i Mustafës. Falenderoi mikun dhe vendosi që të arratisej. S’kishte rrugë tjetër, ndryshe do t’i duhej të mbyllej në kampet e internimit, ku dera e burgut mbetej përherë e hapur. Pas po linte pengun e zemrës, të fejuarën. S’mund ta merrte se e gjithë familja e saj do të pësonte fatin e familjes së tij, do të internohej. Ka qenë një natë e ftohtë dimri kur u nis . Binte dëborë.Kaloi në mesnatë në Morinë, ku u strehua në një familje myftinjësh, të nesërmen u dorëzua në postë të policisë.Një ditë më pas e dërguan në Junik, ku dha intervistën. I dhanë strehim politik dhe e transferuan në Prishtinë, ku gjeti shumë të ikur nga anët e veta.Më pas e vendosën në Ferizaj. Një jetë e re nisi në Ferizaj. Për dhjetë vjet jetoi mes shqiptarëve të Kosovës. Ndërkohë pjesa e familjes së mbetur në Shqipëri vazhdoi të përballej me dhunën e diktaturës. Pas ikjes së tij u arrestua vëllai, Jakup Elezi, që ishte në moshën 60 vjeçare.Arrestimi i vëllait erdhi në vitin 1957. Një vit më pas u arrestua Abazi, i cili në moshën e arrestimit nuk ishte më shumë se 30 vjeç. Gati të gjithë meshkujt e familjes së madhe Elezi provuan ferrin e burgjeve komuniste. Arsyeja ishte se diktatura kishte vendosur që t’ia ulte kryet nacionalizmit shqiptar. Në vitin 1960 dy vëllezërit e Mustafës, Jakupi, që kishte dalë nga burgu, së bashku me bashkëshorten, Zizën e djalin si dhe Xhemajli me djalin, arratisen duke dalë në Gusi. Ata dolën pas një beteje të ashpër me forcat e kufirit. Kjo ikje në grup e me luftë ishte si reagim dëshprues ndaj burgosjeve dhe internimeve masive të fisit Elezi. Përveç burgosjeve qeveria komuniste mbajti në internim 85 pjestarë të familjes Elezi derisa u shemb sistemi dhe erdhi demokracia. Ndërsa nipi i Mustafës, Riza, u vra dhe mbeti pa varr.
Kur e pyes Mustafën, pse komunizmi e kishte stërmunduar aq shumë familjen e Jah Elezit, ai përgjigjet me rrëfimin e një ngjarjeje, që ka ndodhë në Dragobi në vitet e luftës: Ka shkuar atje Fadil Hoxha i shoqëruar nga disa serbë dhe ka mbledh popullin dhe u ka folë për vëllazërimin dhe miqësinë pas lufte.Është ngritë i ati Mustafës, Sali Jah Elezi dhe i ka thënë:”Fadil Hoxha: Ti je shqiptar dhe je i mirëpritur mes shqiptarësh, por jo me ata që ke me vete. A mund ta harrojmë ne përgjakjen me sllavët në Plave e Guci, në Prizren, Dragobi etj? Mos na i fut sllavët në shtëpi se nuk kanë besë.” Ndoshta që atëherë familja e Jah Elezit u fut në rreth të kuq.

Rrugëtimi drejt lirisë

Në Ferizaj Mustafa e rregulloi në një farë mënyre jetën e tij. Aty u martua me një vajzë nga dera e Nezajve nga Malësia e Gjakovës. I lindën tre fëmijë atje, dy djem dhe një vajzë; Mërgimi, Bashkimi dhe Shpresa. Ata ia mbushën jetën me gëzim, por dhe ia rritën detyrimin për të gjetur një shteg drejt perëndimit. Kjo ishte ëndrra e Mustafës. Jeta në Ferizaj po bëhej përherë e më e vështirë. Shërbimi i fshehtë Jugosllav po shtonte provokimet dhe presionin mbi nacionalistët. Disa nga shqiptarët kishin pranuar që të bëheshin bashkëpunëtorë të UDB, një pjesë rezistonin derisa të gjenin një shteg për të dalë në Evropë.Mustafa thotë se u qëndroi larg ofertave për bashkëpunim. Të bëhej spiun i Beogradit do të ishte një tradhëti për idealet e njerëzve të tij të përgjakur me serbët. Kështu që ai u përpoq që të gjente një mënyrë shpëtimi për t’iu larguar së keqes.
Qëllimi i Mustafë Elezit ishte emigrimi në SHBA. Mes shqiptarësh kishte filluar qarkullimi i pasaportave, me të cilat mund të kaloje deri në Trieste e më pas nuk hynin në punë. I siguruan pasaportat me anë të Nderim Kupit dhe Abedin Mulosmanit. U larguan nga ish Jugosllavia në gusht të vitit 1967. Kaluan nga Ferizaj në Beograd, që andej në Triestë. Familja përbëhej prej pesë vetëve; Mustafa me bashkëshorten dhe tre fëmijët si dhe familja e Muharrem Elezit prej tre vetash. Askënd nuk njihnin në Beograd. Dikush u kishte rekomanduar Dom Preng Ndërvashaj.Telefonin e tij ua kishte dhënë Abedin Mulosmanaj.I telefonoi Preng Ndervashës dhe i kërkoi ndihmë. I tha se ishin tetë vetë në Beograd dhe donin të kalonin në Itali, por nuk dinin se si dhe ku të shkonin.Askush nuk i priste.
Ai udhëzon që sapo të arrinin në Trieste t’i hidhnin pasaportat dhe të merrnin taksi e të paraqiteshin në kampin e emigrantëve. Atje, u kishte thënë dom Ndërvasahj, do t’i priste nipi i tij. Ashtu vepruan. Morën trenin dhe u nisën. Sapo kanë mbërritur në Triestë kanë marrë taksinë dhe janë paraqitur në kampin e emigrantëve. I priti i nipi i Preng Ndërvashës. Interpoli i mori në intervistë. Që aty i dërguan në Latina, ku qëndruan gjashtë muaj. Më pas i mori ambasada amerikane dhe i intervistoi. Edhe sot në kujtesën e Mustafë Elezit ka mbetur sjellja shumë e ngrohtë e personelit amerikan.Mirëpo dikush e bllokoi familjen Elezi në çastet e fundit. Ishte një urdhër i Ministrisë së Brendshme që s’dihet se në ç’rrethana u gatua. Më pas i vendosën në San Piage. Atje jeta ishte e vështirë. Mustafa së bashku me Hasan Isufin dhe Halil Hamzën, shkuan në Vatikan për të kërkuar ndihmë. Atje takuan Preng Ndërvashaj.Shkon dhe Gjon Markaj dhe pasi bisedon me ta bën një raport për në Ministrinë e Brendshme Italiane. I ka ndihmuar atje edhe Gjon Buçaj. Pas gjashtë muajësh Italia ua hapi dritën jeshile drejt Amerikës. Nuk e harron atë ditë Mustafë Elezi. Ka qenë 24 shkurt 1968. Edhe pse qe ditë e ftohtë dimri, Mustafa thotë se ai dhe e gjithë familja, fëmijët më shumë, ndjenin ngazëllimin e një pranvere në shpirt.

Fillimi i vështirë në SHBA

Nga veprimtaritë në komunite, fotografi e gjetur nga Cezar Ndreu

Me ndihmën e mikut Uk Qerimi, u vendos në Bronx të Nju Jork-ut, në një apartament, që u kish zënë ai me rentë. Ëndrra për të ardhë në Amerikë e kishte munduar tërë jetën Mustafë Elezin, por kur u vendos aty e pa se në jetë nuk ishte si në ëndërr. Mosditja e gjuhës angleze i shumëfishonte vështirësitë. Italishtja dhe ajo pak frëngjishte që dinte nuk po i hynin në punë. E kujton fillimin e vështirë, ku në një bllok të vogël shënonte emrat e rrugëve që të mos humbte dhe kërkimet e pasuksesshme për të gjetur një punë për të mbajtë familjen e për të paguar rentën e banesës. Kaluan shtatë muaj pa punë dhe vetja po i rëndohej çdo ditë e më tepër. Në ndihmë i ka ardhë miqësia dhe shoqëria, që i kanë dhuruar ndihma për të jetuar e për të paguar rentën.Pas shtatë muajësh ka qenë Imam Isa Hoxha, që, Mustafën dhe shumë të tjerë nga Malësia e Gjakovës, i ka sistemuar në pastrime në Manhattan në 14 rrugë, në avenunë e parë. Mustafa u ndje mirë aty nga që i hyri në punë italishtja. Pronari ishte Italian dhe kuptoheshin shumë mirë me njëri-tjetrin.Ai kujton se ndihmoi edhe shqiptarë të tjerë si Xhaferr Elezin, Sali Nezën e shumë të sapoardhur, që më vonë krijuan bizneset e tyre . Më pas, Mustafa, nisi një punë tjetër, duke larë dritaret. Iu desh kohë derisa të stabilizohej si doorman, portier në Muzeun Metropolitan në Avenunë e Pestë në Manhatan. Aty punoi derisa doli në pension. Nga çështja kombëtare s’hoqi dorë. Mustafa u anëtarësua që në fillim në Federatën Panshqiptare Vatra. Ia kishte dëgjuar emrin e madh Vatrës dhe mori një grup shokësh dhe trokiti në derën e saj në qershor 1968.Që atëherë nuk u nda nga Vatra duke qenë pjesmarrës i rregullt në veprimtaritë që organizonte federata. Ka qenë edhe aktivist i Xhamisë. Ishte ndër mbështetësit e ndërtimit të Xhamisë në Brooklyn. Ashtu siç çdo popull këtu në Amerikë ka faltoret e veta edhe muslimanët shqiptarë duhej të kishin faltoret e tyre, thotë ai.
Për tetë vjet ka qenë nënkryetar i Këshillit të xhamisë, në kohën kur kryetar ishte Rexhep Kumbarçe, apo më vonë me Abdulla Kaloshin. Në kujtesë ka shumë aksione për mbledhjen e të hollave në ndihmë të xhamisë. Kështu në kohën e Rexhep Kumbarçes ai udhëhoqi një aksion të sukseshëm, ku u mblodhën rreth 90 mijë dollarë, një shumë e madhe për atë kohë. Ka qenë dhe sekretar i xhamisë. Përpara se të ndërtohej xhamija, Mustafë Elezi ishte pjesë e komisionit ndërfetar të shqiptarëve, në kohën kur Imam Isa Hoxha bashkëpunonte ngushtësisht me Monsinjor Zef Oroshin dhe Kishën Orthodokse të Bostonit.
E kujton me krenari ditën e inaugurimit të Qendërs Islame Shqiptare në Bruklin, kur kishin ardhë për t’u gëzuar me ta shumë shqiptarë nga shtetet e Amerikës, madje edhe nga Kanadaja. Në gëzimin e tyre ishte bërë pjesë edhe “Zëri i Amerikës”. Mustafa ka mbajtë fjalimin atë ditë dhe është duartrokitë e përgëzur për fjalët atdhetare, që tha aty.
Së bashku me Abdulla Kaloshin ai ishte përkrahës dhe pjesmarrës në të gjitha demonstratat e komunitetit shqiptar për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës dhe atyre kundër komunizmit në Shqipëri. Në demonstrata, kujton ai, nuk mungonte asnjëherë Imam Isa Hoxha.Ai kujton se 3 mijë shqiptarë kanë demonstruar në Washington.Mustafa ka qenë përherë i dashuruar pas fjalës shqipes. Ai ka shkruar në vazhdimësi poezi për ngjarje historike dhe ato ngjarje që ka përjetuar vetë dhe që i kanë lënë gjurmë në shpirt. Për shumë kohë ka qenë dhe një nga drejtuesit e revistës ”Pëprjekja jonë”, duke qenë nënkryetar i Këshillit Botues. Ishte jo vetëm fetare revista, por edhe letrare. Mustafë Elezi, nuk është kursyer për çështjen kombëtare. Ka kontribuar qoftë për Vatrën, qoftë për xhaminë dhe në të gjitha veprimtaritë, ku ka marrë pjesë. Mustafa së bashku me Ahmet Rexhepin dhe Hasan Gashin kanë hapur shkollën shqipe, të cilën e mbajtën për dy vjet në Nju Jork. Ka qenë edhe anëtar i këshillit të Vatrës deri në vitin 2002.

 

Krenaria për sukseset e fëmijëve

Familja Elezi, siç respektonte kodin tradicional të besës e të traditës, po ashtu shkollonte gjeneratën e re. Vetë Mustafa kishte marrë arsim të rregullt të kohës, kishte studiuar për financë në Ferizaj. Vëllai, Jaho, që u pushkatua në Pejë, ka pasë mbaruar gjimnazin në Shkodër, një vëlla tjetër ka pasë studiuar në Medrese në Tiranë; edhe një kushëri i tij, Hysni Hoxha ka qenë një ndër nxënësit e shkëlqyer të Medreses në Tiranë dhe është përzgjedhur si ndër më të mirë për të vazhduar studimet e larta në Kajro. U diplomua shkëlqyshëm për Teologji dhe filozofi. Ai u bë një ndër profesorët e Universitetit qendror të Arabisë Saudite, ku dha mësim deri në vitin 1972. Kur erdhi në SHBA dhe u bë pjesë e demonstratave dhe u thoshte shqiptarëve; në vend të përshëndetjes ”tungajtjeta”, përshëndetuni me njëri-tjetrin me fjalën ”Kosova”.
Mustafë Elezi ndjehet i gëzuar sepse investimi më i madh i tij ka qenë në shkollimin fëmijëve. Të tre fëmijët e lindur në Ferizaj dhe dy të lindur në SHBA; Sanija dhe Nderimi, i janë përkushtuar arsimimit të plotë dhe kanë arritur suksese në jetë. Mërgimi, djali i madh, pasi përfundoi shkëlqyshëm shkollën e mesme, studio në Peas University, Bashkimi i ka kryer studimet universitare në Iona College në New Roshell.Të dy djemtë kanë arritur rezultate të shkëlqyera në studimet universitare. Mërgimi punoi shumë kohë si anlalist në Golden Sections, tani është Chif Ekzecutiv for Information në City Group. Ndërsa Bashkimi ka punuar menaxher në një kompani ndërtesash në Manhattan, ndërsa tani vazhdon që të merret me Realy State.Ai ka kompaninë e vet. Vajza e madhe, Shpresa, e lindur në Ferizaj, edhe pse kishte përfunduar shkollën e mesme shkëlqyshëm, sipas traditës u martua për t’iu përkushtuar familjes, por nuk iu nda shkollës së lartë derisa përfundoi studimet në Adelphi University.
Kur hedh vështrimin pas, Mustafë Demalia, thotë se ishte me fat, që provoi dy botë, atë që i dha vuajtje e dhimbje, dhe këtë në SHBA, ku gëzoi e jetoi në liri.

Comment

*