Ndërron jetë në Amerikë “Mjeshtëri i Madh” Frederik Banda

Ka ndërruar jetë në moshën 70-vjeçare violinisti i shquar shqiptar Frederik Banda, i cili për dekada të tëra mahniti publikun brenda dhe jashtë vendit me talentin dhe virtuozitetin e tij të rrallë. Fitues i shumë çmimeve kombëtare dhe i akorduar me Urdhërin “Mjeshtër i Madh”, maestro Banda ndërroi jetë paqësisht i rrethuar nga familja e tij në 31 gusht 2020 në shtetin Connecticut të Amerikës.

I njohur në rrethet artistike si “Paganini shqiptar”, Banda u diplomua për violinë në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1973. Përveç Urdhërit “Mjeshtër i Madh”, ai ishte dekoruar dy herë me Urdhërin “Naim Frashëri”, si dhe ishte shpallur fitues i konkursit të parë të muzikantëve në Shqipëri në vitin 1973. Dallime të tjera përfshijnë dhe medaljen për interpretim të shquar në turneun e Ansamblit Popullor Kombëtar në Gjermani në vitin 1983.

Koha kur mjeshtri Banda ishte solist në Ansamblin Popullor Kombëtar kujtohet ende si periudha e artë e këtij institucioni të rëndësishëm kulturor dhe artistik. Ikona e muzikës popullore, Merita Halili, tha se ndjehej e privilegjuar që kishte punuar dhe interpretuar me violinistin, të cilin e quajti “Paganini shqiptar.” Ndërsa kitaristi i shquar Edmond Xhani veçoi përvojën e pasur dhe aftësitë artistike të violinistit Banda, sidomos rolin dhe kontributin e tij të çmuar në rritjen e nivelit të artit shqiptar.

Qysh prej turneut në Azi në vitin 1967 kur ai ishte ende student dhe deri ne vitin 2014 kur ai e mbylli karrierrën artistike në Teatrin e Operas the të Baletit, ku dhe arriti majën duke u ngjitur në rangun e Violinës së Parë, Banda magjepsi jo vetëm artdashësin e thjeshtë nëpër katër kontinente të ndryshme, por impresionoi gjithashtu një numër figurash botërore si Zëvendës Presidentin e Amerikës, Joe Biden; Sekretarin Amerikan të Shtetit, James Baker; aktorin e madh, Michael Douglas, etj.

Maestro Banda ka lënë gjurmë të dukshme në artin shqiptar. Kompozitori Ilir Dangëllia vlerësoi kontributin dhe rolin e tij në ngritjen lartë të imazhit të artit shqiptar nëpër botë, duke u shprehur se ende kujton emocionet që e përshkonin sa herë që dëgjonte tingujt që maestro Banda shpaloste plot mjeshtëri e ndjenjë. Ndërsa fizarmonicisti Raif Hyseni, tha se ishte magjepsur nga violinisti qysh në fëmijëri kur në Mitrovicë “ilegalisht” ndiqte nëpërmejt ekranit në TVSH programin e Ansamblit Kombëtar ku solisti Banda ishte figurë qendrore.

Klasiku i rallë spikati ndër dekada për dhuntinë artistike, lojën plot ndjenjë dhe aftësitë e tij teknike absolute. Interpretiment virtuoze në “Teatro Olimpico di Roma” në vitin 1985 dhe në teatrin prestigjioz “Champs-Elysees” në Francë në vitin 1980 janë veçse disa prej arritjeve të shumta në skenat botërore. Ndërkohë, artdashësit kujtojnë ende me plot nostalgji lojën e mjeshtrit Banda në turneun madhështor në Kosovë në vitin 1971, turne që i dha një frymëmarrje kulturore jetike trevës që prej dekadash ishte tepër e etur për sado pak kontakt me shtetin amë.

Disa nga faktet e tjera interesante të karrierës së pasur të ketij kolosi artistik përfshijnë lojën si solist në kolonat zanore të disa prej perlave të kinematografisë shqiptare, si filmat “Gjeneral Gramafoni”, “Tinguj Lufte”, etj. Maestro Banda kishte një repertor mjaft të pasur artistik, sidomos përsa i përket muzikës klasike botërore të një niveli interpretimi teknik shumë kërkues. Megjithatë, artisti i shquar ishte aq krenar për muzikën shqiptare saqë shumë prej interpretimve të tij ai i niste me “Lule Borë” dhe i mbyllte ato me “Vajta Kalova.” Kjo, në një farë mënyre, ishte një prej metodave të tij për t’i treguar publikut që, ndonëse ai me violinën e tij i kishte rënë globit kryq e tërthor, për maestro Bandën nisja dhe fundi i udhëtimit të tij të gjatë e të bukur artistik lidheshin pikërisht me kombin e tij.

Pjesë e Teatrit të Operas dhe Baletit nga viti 1972 deri ne vitin 2014, violinisti Banda ekzekutoi çdo sezon artistik në operat, baletet dhe koncertet e ndryshme që u vunë ne skenë si dhe mori pjesë rregullisht në Festivalet e Gjirokastrës dhe në festivale të tjera në vend.

Ai po ashtu mori pjesë në shumë festivale artistike ndërkombëtare, ku ekzekutoi solo dhe në grup, si Angli (2002), Australi (1992), Danimark (1990), Austri (1988, 1982, 1986), Itali (1985, 1978 dhe 1977), Zvicër 1984, Gjermani dhe Egjipt (1983), Turqi (1983 dhe 1979), Greqi (1981, 1978 dhe 1977), Francë (1980), Suedi dhe Novegji (1976), Kinë (1974 dhe 1967), Rumani (1974), Kosovë dhe Maqedoni (1971).

Maestro Banda ishte një nga ambasadorët më të denjë të artit dhe kulturës shqiptare nëpër botë. Ndonëse gjatë karrierës së tij ky violinist i rrallë mori oferta pune nga disa orkestra filarmonike të ndryshme, si në Amerikë ashtu dhe në Australi, ai zgjodhi që gjithmonë bazën e tij artistike ta kishte në Shqipëri. Me gjurmët që ky personalitet klasik ka lënë në artin shqiptar, maestro Banda padyshim që do të mbetet një shembull i shkëlqyer për brezat e ardhshëm artistikë shqitarë.

Me Ansamblin Kombëtar – 1980.

Frederik Banda me këngëtaren e madhe Vace Zela – Octoberfest Mynih 1983

Me ish-Sekretarin e Shtetit James Baker – Darka Vjetore e KKSHA-së.

Me Zëvendës-Presidentin Joe Biden

Frederik Banda dhe aktori i famshëm Michael Douglas, Tiranë, 20 tetor 1999.

Frederik Banda, Lili Cingu, Rexhep Celiku, Agim Krajka – artistë të shquar shqiptarë.

Frederik Banda dhe Ramiz Kovaci.

One Response to “Ndërron jetë në Amerikë “Mjeshtëri i Madh” Frederik Banda”

Read below or add a comment...

  1. Sadik Elshani says:

    Ne foton e fundit nuk eshte Ibrahim Tukiqi, por Ramiz Kovaci.

Comment

*