Ndërron jetë shkrimtari Arif Demolli

Prishtinë, 6 mars 2017 – Sot, në Prishtinë, në moshën 68 vjeçare, ndërroi jetë poeti e shkrimtari i njohur, Arif Demolli.

I ndjeri Demolli nuk e përballoi sëmundjen e rëndë nga e cila vuajti dy vitet e fundit. Me gjithë sëmundjen, ai nuk u dorëzua kurrë dhe mori pjesë aktive në manifestimet letrare e kulturore. Herën e fundit, ai mori pjesë edhe në manifestimin letrar e kulturore kushtuar Ditës së Pavarësisë së Kosovës, që u mbajt më 16 shkurt, në Bibliotekën e Qytetit “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë.

Arif Demolli lindi më 2 maj 1949 në Gllogovicë të Prishtinës. Shkollën fillore e nisi në vendlindje dhe e mbaroi në Prishtinë, ku kreu edhe shkollën e mesme normale dhe studimet në Fakultetin e Filologjisë, grupin e gjuhës dhe letërsisë shqiptare.

Pak kohë ka punuar në arsim, e pasatj ka punuar në revistën e studentëve “Bota e Re”, në Televizionin e Prishtinës, dhe në revistat “Fjala” dhe “Pionieri”.

Prej përfundimit të luftës e deri në pensionin e tij, ka punuar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë.

Më 1981 ai u burgos dhe u dënua me dy vjet burg për shkak të ideve të tij politike dhe angazhimit për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Deri në vitin 1990 atij iu ndaluan e drejta për punë dhe e drejta për botimin e veprave të tij letrare.

Arif Demolli ka shkruar kryesisht prozë dhe poezi, për femijë e për të rritur. Është marrë edhe me përkthime letrare.

Tregimet e tij janë përfshirë në panorama dhe antologji të ndryshme të prozatorëve shqiptarë.

Arif Demolli ishte fitues i shumë çmimeve letrare. Ndër të tjera, ai është nderuar me Çmimin “Pjetër Bogdani” të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, për romanin “Të gjallët dhe të vdekurit e një fëmijërie”, me çmimin letrar “Vehbi Kikaj” të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, për librin “Pse gjirafa ka qafë të gjatë”, me Çmimin letrar “Ymer Elshani” për veprën më të mirë të botuar ndërmjet dy karvanëve letrarë për fëmijë, për veprën “Në kafaz për gaz”.

Vitin e kaluar ai u nderua edhe me Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”, të cilin e ndan Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit.

Arif Demolli i ka lënë të botuara  këto vepra:

“Pëllumbat e kujtimeve” (1978), “Ballkonet e një qyteze” (1979), “Lushi si askushi” (1980), “Fjalim para tokave të vjetra”, Njeriu i blertë”, “Ante portas”, “Shkullësit e përjetshëm”, “Të gjallët dhe të vdekurit e një fëmijërie (1993), “Lushi në kopshtin e magjepsur”, “Druri ku duan të jetojnë të gjithë”, “Vdekja e Akanit” (1990), “Pse gjirafa ka qafë të gjatë”, “Farët magjike”, “Lulevera dhe Ylberi”, “Si mbetën gjallë shqiptarët”, “Pëllumbat e kujtimeve”, “Kur je më i vogli”, “Nën kafaz-tërë gaz” (2010}, “Plaku Zemërbardhë”.

Ai e ka përkthyer veprën “Pushtimi i lumturisë” të nobelistit Bertrand Russell.

Ishte autor i teksteve shkollore: Leximi 1 – për klasën e parë,  Leximi 2 – për klasën e dytë dhe Leximi 3 – për klasën e tretë. (r.m.)

One Response to “Ndërron jetë shkrimtari Arif Demolli”

Read below or add a comment...

  1. Ismail says:

    Arifi ishte njeri nder prozatoret-tegimtaret me te spikatur edhe ne nivelin artistik edhe ne nivelin ideor e kombetare te krijimeve te Tija tregimtar.Kishte stil e fryme, dalur nga brumi i kesaj buke-gjuhe e kesaj Toke atdhetarizmes shqiptare. Ngushllime Bashkshortes,femijeve, Familjes se gjere e farefisit Demolli,miqve dhe gjithe lexueseve dhe popullit shqiptare.

Comment

*