Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Wess Mitchell, arrin nesër në Prishtinë

Prishtinë, 11 mars 2018 – Ndihmës-Sekretari i Shtetit për Çështje të Europës dhe Euro-Azisë, Wess Mitchell, do të arrijë nesër (e hënë) në Prishtinë, në kuadrë të një turneu që do të zhvillojë në Ballkan.

Nesër, në Prishtinë, Mitchell do të zhvillojë takime me zyrtarët më të lartë shtetërorë, përfshirë presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj  dhe me përfaqësues të tjerë të politikës dhe shoqërisë civile.

“Ai do të inkurajojë Qeverinë e Kosovës që të përparojë në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të forcojë sundimin e ligjit, të nxisë rritjen ekonomike dhe të kapërcejë sfidat rajonale në të mirë të stabilitetit dhe integrimeve perëndimore”, thuhet në një komunikatë të Departamentit të Shtetit, transmeton kallxo.com.

Të martën, Ndihmës-Sekretari Mirchell do të shkojë në Shkup, ku do të takohet me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, dhe me ministrin e Jashtëm, Nikola Dimitrov.

Sipas komunikatës, zyrtari i lartë amerikan do të ritheksojë mbështetjen e SHBA-së për aspiratat euro-atlantike të Maqedonisë, do të ofrojë mbështetje për negociatat mes Greqinë dhe do t’i kërkojë qeverisë maqedonase të implementojë reformat për të përmirësuar qeverisjen demokratike, rendin dhe ligjin dhe për të pasur media të lira.

Më 14 mars,  Wess Mitchell do të qëndrojë në Beograd, ku do të takohet me zyrtarë të lartë, përfshihrë presidentin Aleksandar Vuçiq, kryeministren Ana Bërnabiq, dhe liderët e opozitës.

Departamenti i Shtetit bën të ditur se Mitchell do të ritheksojë marrëdhëniet e fuqishme mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe do t’i kërkojë Qeverisë serbe që të shtyjë përpara normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të bëjë reformat e nevojshme për të arritur qëllimet për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe të mbështesë në mënyrë aktive stabilitetin rajonal.

Në Athinë, ku do të qëndrojë më 15 mars, Ndihmës-Sekretari Mitchell do të takohet me zyrtarë të lartë grekë, me të cilët do të diskutojë për thellimin e lidhjeve strategjike SHBA-Greqi dhe për forcimin e bashkëpunimit bilateral, përfshirë fushën e mbrojtjes, energjisë, tregtisë dhe investimeve.

Mitchell do ta përfundojë turneun e tij më 16 mars, me vizitën në Nikozi, ku do të takojë zyrtarë të Republikës së Qipros, për të biseduar për zgjidhjet rajonale, përfshirë zhvillimin e resurseve të energjisë në Mesdheun Lindor. Ai do të takohet edhe me liderë të qipriotëve grekë dhe qipriotëve turq, si dhe me përfaqësues të Kombeve të Bashkuara. (r.m.)

Comment

*