Ndryshimi i radhës në Shtëpinë e Bardhë – largohet Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson

Në vend të tij, Trump emëron Mike Pompeo drejtorin e CIA-s

 

WASHINGTON — President Trump njoftoi me anë të rrjetit shoqëror Tuitër se Mike Pompeo, drejtor i CIA-s ishte caktuar Sekretar Shteti duke zëvendësuar Rex W. Tillerson.
Një zyrtar i lartë i administratës tha se një ekip i ri në krye të Departamentit të Shtetit nevojitet për shkak të bisedimeve për paqe me Kim Jong-un, diktatorin e Koresë së Veriut dhe për një numër negociatash tregëtare.
Mbaron kështu një nga shërbimet më të shkurtra në pozitën e Sekretarit të Shtetit në histori, ndërsa është shtuar edhe një zëvendësim tjetër, në vajtje-ardhjet e shumta të administratës Trump.
Presidenti amerikan iu përgjigj përpara disa ditëve kritikave se Shtëpia e Bardhë është në kaos me shpjegimin se ndryshimet kanë ndodhur për shkak të dinamikës së lartë të punës dhe jo rrëmujës dhe hutisë.
Largimi i Tillersonit mbetet gjithësesi një ngjarja më e madhe në administratën e re, që prej pushimit nga puna të shefit të FBI-së, James Comey.
Në serinë e të larguarve janë edhe Steve Banon, kryestrategjist i fushatës zgjedhore, Reince Priebus shef i kabinetit të presidentit, Michael Flynn ish-Këshiltari për Sigurinë Kombëtare, etj.
Bursa ka reaguar me një rënie të fortë të dollarit pas lajmit të largimit të Sekretarit të Shtetit, ndërsa kritikë të Presidentit Trump kanë aluduar se shkarkimi vjen vetëm një ditë pasi Tillerson akuzoi Rusinë për përdorimin e gazit nervin për të vrarë një ish-spiun rus që jetonte në Mbretërinë e Bashkuar.
Në fakt, është folur se Tillerson dhe Trump kanë pasur një numër kontradiktash në muajt e fundit, ndonëse të dy i kanë mohuar këto zëra.
Një nga pakënaqësitë kryesore të Rex Tillersonit ka qenë veprimet e papritura nga Trump pa u këshilluar me Sekretarin. Për shembull gazetarët e kishin mësuar përpara Tillersonit pranimin e tij për t’u takuar me diktatorin koreanoverior.
Trump lavdëroi Mike Pompeon, por nuk dha asnjë sqarim se pse po e bënte ndryshimin, duke lënë fushë të hapur për spekullime nga vëzhguesit dhe media.
Gina Haspel do të jetë gruaja e parë në historinë amerikane që do të drejtojë CIA-n, tani që Mike Pompeo merr në duar kreun e Departamentit të Shtetit. Të dy duhet që të miratohen nga Senati Amerikan për këto poste.
(Ruben Avxhiu)

Comment

*