Ndryshimi ndodhi. Le të jetë i suksesshëm!

Drilon Gashi

Nga Drilon Gashi

Lëvizja Vetëvendosje me nismën e zj. Vjosa Osmani shënuan fitoren më të madhen në historinë e re të Kosovës. U votua ndryshimi dhe mbase u arrit referendumi, duke jetësuar premtimin elektoral të të zgjedhurit kryeministër Albin Kurti dhe të kandidatës për Presidente Vjosa Osmani.
Vota sa ishte përkrahëse e ndryshimit të prirë nga LVV, ishte edhe ndëshkuese për partitë dominuese të pasluftës: PDK, LDK, AAK dhe NISMA. Votuesit donin zhvillim ekonomik, drejtësi dhe sundim të ligjit. Sidomos për shkak se edhe zhvillimi, edhe drejtësia, e deritashme, ishin të pamjaftueshme. Votuesit besoj se donin edhe kompetencë, profesionalizëm, dhe pavarësi institucionale—edhe ky do të ishte një ndryshim. Në fund, edhe politika e jashtme kishte nevojë për t’u përmirësuar. Partitë që kishin qeverisur gjithsesi kishin ruajtur marrëdhëniet me aleatët kryesorë të Kosovës, por nuk i kishin kultivuar sa duhet. Nuk e kishin forcuar sa duhet shërbimin e jashtëm të Kosovës. Dhe ishte sidomos mungesa e reformimit dhe të qeverisjes së mirë brenda Kosovës që gjithnjë mbante peng thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve të Kosovës me këta aleatë dhe me botën e jashtme. Votuesit nga diaspora treguan se sa të lidhur janë me Kosovën duke marrë pjesë në këto zgjedhje me postë dhe me udhëtime për në Kosovë. Ata po vazhdojnë një kulture të çmuar rilindase, ku ata që ju janë larguar Kosovës ende e kanë në mendje e në zemer dhe duan ndryshimin për të mirën e përgjithshme të Kosovës dhe të popullit të saj anëkënd botës.
Por, më shumë se ndryshim në Qeveri, Kosova ka nevojë për ndryshim në qeverisje. Në shtimin e dinamikës së punës për të mirën e vendit, në gjetjen dhe bërjen e politikave publike përparimtare. Në fuqizimin e sektorit privat si punëdhënësin kryesor të vendit. Në shtimin e hulumtimit dhe ngritjen e nivelit të arsimit të lartë. Dhe në bërjen e reformave të mëdha dhe prekëse në arsim dhe shëndetësi më gjerësisht. Që të veprohet në të gjitha këto sektore përnjëherë, e në masë të madhe, është e pamundur. Por qeverisja e mirë dhe objektiva të qarta për sektore të prioritizuara, dhe puna kryesore e zbatimit, do të mund të arrinte shumë.
Në politikën e jashtme, Kosova duhet të angazhohet në fuqizimin e subjektivitetit, në thellimin e marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike me miqt dhe aleatët, me projekte dhe marrëveshje konkrete bashkëpunimi. Këtu do të kërkohet më shumë angazhim nga ana e Kosovës. Dhe do të kërkohet angazhim për të bindur shtetet mosnjohëse që të njohin Kosovën, në Bashkim Europian por edhe përtej. Angazhim për dialogun Kosovë-Serbi duhet të ketë që nga dita e parë e Qeverisë së ardhshme. Edhe pse jo prioritet i të zgjedhurit kryeministër (sepse nuk ishte prioritet i lartë i votuesve), ai dhe Qeveria e ardhshme duhet të jenë gati për të bashkëpunuar me aleatët kurdo që të hapet “dritarja e mundësisë” për këtë dialog. E për të shfrytëzuar atë dritare për interesin më të mirë të Kosovës, kërkesat maksimaliste të Kosovës duhet të studiohen, të artikulohen dhe të arsyetohen në mënyrën më të mirë. Fuqizimi i mëtejmë i Shtetit të Kosovës gjithsesi e forcon Kosovën në dialogun me Serbinë, kështu që do të mund të kishte bashkërendim me SHBA-t dhe BE-n bazuar në dinamikën e preferuar për të gjjthë.
Kosova ka pasur jostabilitet në qeveri për vite të tëra, dhe ka bërë progres të pamjaftueshëm—brenda dhe jashtë vendit. Prandaj suksesi i Qeverisë së ardhshme është në interes të të gjithëve. Që ajo të përmirësojë qeverisjen dhe rrjedhimisht kulturën e qeverisjes. Shpresoj që t’ia shohim hajrin! Shpresoj gjithashtu që partitë PDK, LDK dhe AAK do të reformohen më tutje, që të bëhën opozitë e fortë sepse do të duhet opozitë e fortë, sidomos me një parti të vetme në pushtet.
Në fund, Kosova le ta ketë suksesin në politikë që ka arritur në fushat e tjera. Ky popull ka treguar se di të bashkohet e të arrij synime të mëdha. Andaj le të mos mbetemi duke analizuar se kush i ka bërë apo po i bën më shumë dëm Kosovës por le të mendojmë bashkërisht se si të bëjmë më të mirën për Kosovën, dhe më gjerësisht, më të mirën për kombin shqiptar. Suksese të gjithëve!

Comment

*