Në 1999, erdhi nga Kosova si refugjat në SHBA – Në 2014 u bashkua me ISIS-in

Lirim Sulejmani tani shpreson se do ta shpëtojë përsëri Amerika, duke mos e  lënë në duart e ushtrisë së Asadit

 

Nga Ruben Avxhiu

Kur ishte 23 vjeç, Lirim Sulejmani erdhi në SHBA si refugjat për t’i shpëtuar luftës në Kosovë.
Në Amerikë, i dhanë status refugjati pastaj edhe nënshtetësi.
16 vjet më vonë, në 2014, iku me të gjithë familjen për t’iu bashkuar ISIS-it në Irak dhe Siri!!
Tani kërkon të kthehet në Kosovë. Thotë se ka qenë pjesë e Shtetit Islamik por nuk ka luftuar. Problemi është që të gjithë ata që po kthehen thonë se nuk kanë luftuar.
Lirimi është një prej disa qindra nënshtetasve amerikanë që u bashkuan me ISIS-in duke filluar nga viti 2014.
Ai është gjithashtu një nga rreth pesë mijë të burgosur që janë kapur pas rënies së bazës së fundit të ISIS-it në Siri.
20 vjet më parë, Amerika e shpëtoi në dy drejtime. I dha statusin e refugjatit (e pastaj nënshtetësinë) si dhe ndërhyri në Kosovë duke e çliruar e duke i dhënë fund luftës aty.
Tani Lirim Sulejmani shpreson që SHBA ta shpëtojë edhe njëherë. Ai ka frikë se tani që SHBA u tërhoq duke i lënë kurdët vetëm përballë sulmeve siriane dhe turke, nga burgjet kurdedo të përfundojë në dorë të ushtrisë së Asadit, një kriminel lufte që ka masakruar civilë e jo më këta që dyshohen se mund të kenë qenë pjesë e ISIS-it.
Gruaja dhe dy fëmijët janë në një kamp tjetër.
Autoritetet amerikane e kanë intervistuar dy herë. SHBA do që t’i hetojë nënshtetasit e saj për të gjetur nëse kanë kryer krime lufte. Lirimi thotë se preferon një burg në Kosovë, po SHBA do ta ekstradojë në burgjet e saj të sigurisë së lartë nëse arrin në përfundimin se është kriminel lufte.
Historia e tij tingëllon ironike për shumë shqiptarë. Ai erdhi nga Kosova në SHBA për t’i ikur luftës, kur djemtë e Batalionit Atlantik shkonin në drejtimin e kundërt, nga SHBA në Kosovë, drejt luftës.
Deri këtu është në rregull, sepse jo të gjithë jemi të pushkës dhe askush nuk duhet të detyrohet të luftojë në kundërshtim me ndërgjegjen.
Mirëpo, ironia është e fortë kur mendon se pastaj kur filloi lufta në Siri dhe Irak, po ky njeri shkon tani drejt luftës. Madje merr me vete edhe fëmijët përkatësisht 2 dhe 4 vjeç!!
Intervistuesve që e kanë pyetur, u tha se jeta në Perëndim është plot mëkate dhe se donte të jetonte në mënyrë të virtytshme në një vend me moral islamik.
Po mirë i thanë, po pse nuk shkove fjala vjen në Arabinë Saudite?
Lirim Sulejmani u tha se kishte vështirësi burokratike, në Siri shkoje më kollaj vetëm sa kaloje kufirin. Ai thotë se u ka dhënë 500 dollarë ushtarëve turq në kufi dhe ata e kanë lënë të kalojë.
Ai thotë se nuk ka parë videot me prerje koke. Nuk ka shkuar aty për dhunë.
Ka shkuar të punojë në ndërtim se në SHBA, në Chicago ka mbaruar studimet për inxhinieri ndërtimi. Që aty është vendosur dhe ka jetuar edhe në Kanada, ku edhe u bë besimtar i devotshëm.
Në Chicago ka jetur edhe gruan me të cilën është martuar. Për të ka thënë se mund të jetë me origjinë polake. Fëmijët quhen Aisha dhe Muhamad.
Ai thotë se është gënjyer nga videot e propagandës së ISIS-it ku dilnin myslimanë që thonin se sa e lumtur ishte jeta në Shteti Islamik.
Pranon se ka punuar roje dhe se ka transportuar armë për ushtarët e ISIS-it por jo se ka shtënë ndonjëherë vetë me armë përveçse në stërvitje.
Ai tha se në fund ishte zhgënjyer nga ISIS se nuk u tregonin se çfarë po ndodhte. Ushqimet ishin vetëm për komandantët
“Domethënë si në botën perëndimore edhe këtu. Një formë e kontrollit mbi njerëzit është frika”, tha ai.
Ndërsa pseudo-kalifati po zvogëlohej me shpejtësi, pak përpara rrëzimit të qytetit të fundit. Lirim Sulejmani iu bashkua me gjihë familjes, të ashtuquajturit korridor humanitar, të krijuar nga ndërkombëtarët.
Frika e tij ishte se do të vdisnin nga uria. Trupat kurde të Forcave Demokratike Siriane e arrestuan dhe e burgosën. Familja u vendos në një kamp për familjarët e ISIS-it.
Tani, e pranon se është penduar që la Amerikën e Kanadanë, për Shtetin Islamik.

Comment

*