Në 20 vjetorin e rënies së Ardian Krasniqit

Harry Bajraktari

Sot, para 20 vjetësh ra heroikisht dëshmori i kombit Ardian Krasniqi, në luftë kundër forcave serbe në Kliqinë të Pejës. Ardian Krasniqi ishte ndër ushtarët e parët që u inkuadrua në radhët e UÇK-së.
U lind në Vranoc të Lugu i Baranit. Rrjedh nga familja e Sylërexhëve e cila ka dhënë shumë për çështjen kombëtare-në luftërat e ndryshme për lirinë e Kosovës.
Qysh si nxënës i gjimnazit, pa format e dhunës dhe keqtrajtimet e shqiptarëve nga regjimi terrorist i Millosheviq. I frymëzuar nga e kaluara historike, e sidomos nga skenat rrënqethëse që i shihte përditë në rrugët e Pejës, me disa shokë organizoi demonstrata dhe protesta në shenjë solidarizimi me grevën e minatorëve të “Trepçës”, në vitin 1989.
Në vitet e 90-ta me grupin e tij filloi grumbullimin e armëve për të kundërshtuar regjimin serb. Në këtë kohë Adriani Krasniqi kalon në ilegalitet dhe vendoset në Shqipëri. Inkuadrimi i tij në radhët e UÇK-së daton qysh në pranverën e vitit 1992, si komandant i njësitit për Dukagjin. Veprimtarinë e tij e zhvillonte në relacionin Kosovë-Shqipëri.
Kështu nga Shqipëria ai ka hyrë mbi 40 herë në Kosovë, duke sjellë armatim për UÇK-në. Merrej edhe me sulme të drejtpërdrejta.
Ai ishte në lidhje të ngushtë me Zahir Pajazitin, njëri ndër organizatorët kryesor të UÇK-së. Së bashku me Ilir Kunushevcin, Mujë Krasniqin-Kapuçin dhe Qerim Kelmendin, në një aksion të armatosur në vjeshtën e vitit 1997 kundër stacionit të policisë serbe në Kliqinë të Lugut të Baranit, bie heroikisht Adriani, një luftëtar i madh i lirisë së Kosovës. Më vonë, do të bien në luftë kundër ushtrisë serbe edhe dy shokët e tij, Mujë Krasniqi-Kapuçi dhe Ilir Konushevci.
Ardian Krasniqi është shembull tipik se si të luftohej për lirinë e Kosovës. Rënia e tij ishte frymzim për shumë luftëtarë të UÇK-së.

Comment

*