Në Adriatik, sekuestrohet një gomone me 352 kg marihuanë

Tiranë, 11 tetor 2018 – Një tjetër gomone me marihuanë që trafikohej nga Shqipëria drejt Italisë është sekuestruar sot në ujërat e Adriatikut, transmeton Ora News.tv.

Policia Financiare italiane, në bashkëpunim me rojen bregdetare të Barit, ka ndaluar një gomone të dyshimtë që po lundronte nga ujërat ndërkombëtare drejt brigjeve italiane.

Pas kontrollit, në një fund të dyfishtë të mjetit lundrues, janë gjetur 352 kg marihuanë, e konfeksionuar në 222 pako.

Në pranga është vënë skafisti, një italian 41 vjeçar, banues në qytetin e Leçes.

Operacioni është kryer në bashkëpunim me reparitin e Financës italiane pozicionuar në portin e Durrësit.

Sipas Financës Italiane, droga e kapur mund t’u sillte organizatave kriminale një përfitim prej mbi 3 milionë eurosh.

Prej janarit të vitit 2018 e deri më sot, në Adriatik janë sekuestruar 17 mjete lundruese, me 17 tonë marihuanë. Në pranga janë vënë 40 skafistë. (r.m.)

Comment

*