Në Beograd u mbajt protesta e opozitës “Për zgjedhje të lira”

Beograd, 6 tetor 2017 – Të premten në mbrëmje, në Beograd është mbajtur një protestë me moton “Për zgjedhje të ndershme”, përmes së cilës pjesëmarrësit kanë kërkuar që institucionet shtetërore të Serbisë të krijojnë kushte për zgjedhje të lira e të ndershme.

Protesta është organizuar nga Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (Pokret Slobodnih Građana – PSG),  me mbështetjen e disa partive të tjera opozitare të Serbisë.

Midis rreth 4 mijë protestuesve kanë qenë edhe liderët e përfaqësuesit e disa partive opozitare, organizatave të shoqërisë civile dhe figura të rëndësishme të botës akademike dhe të kulturës dhe artit në Serbi.

Protestuesve u është drejtuar e para Aida Çoroviq nga nga Lëvizja e Qytetarëve të Lirë, e cila ka thënë se Beogradi “është okupuar” nga pushtetarët arrogantë e të paskrupullt dhe nga varësit e shërbëtorët e tyre besnikë, të cilët po e zhvatin dhe po e varfërojnë Serbinë çdo ditë e më shunë.

“A e ndjeni poshtërimin për faktin se sot jemi një ndër vendet më të varfra në Europë?”, u është drejtuar ajo protestuesve.

Regjisori Janko Balak u ka bërë thirrje pjesëmarrësve të protestës që t’i kundërvihen pushtetit aktual të Serbisë.

“Dhuna është emri dhe mbiemri i këtij pushteti”, ka theksuar Balak.

Shkrimtari Gojko Teshiq e ka nisur fjalën e tij me vargje të poezisë “Zgjohu Serbi” të shkrimtarit e iluministit të madh serb të shekullit 19, Dositej Obradoviq.

Ai ka thënë se “Sheshi i Republikës” duhet të bëhet përsëri, siç është shprehur, “Shesh i kryengritjes dhe lirisë” dhe ka bërë thirrje për bashkimin e opozitës.

Kryetari i Odës së Avokatëve të Beogradit, Vladimir Gajiq, u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në, siç e ka quajtur ai, “fillimin e ri demokratik të Serbisë”. Ai ka theksuar se ndërrimi i pushtetit aktual të Serbisë “është i pamundur pa ndryshime dhe demokraci”.

“Kufomat politike të regjimit të Millosheviqit sot tallen me atë që e ka krijuar populli në mënyrë legjitime – me lirinë”, ka theksuar Gajiq, duke theksuar se beson që në Serbi ekziston ende “fryma e lirisë dhe drejtësisë”.

Studenti Filip Vuksha ka thënë se moshatarët e tij po e baktisin vendin në mënyrë masovike, për shkak se pushteti aktual në Serbi “ka okupuar gjithçka” dhe e ka fundosur perspektivën e të rinjëve.

Në protestë kanë marrë pjesë edhe një numër i konsiderueshëm i studentëve pjesëmarrës të protestës kundër diktaturës në Serbi, të mbajtur në muajin prill, në Beograd.

Organizatorët e kanë paralajmëruar protestën e radhës për datën 20 tetor.

 

(Ramadan Muçolli, sipas gazetës beogradase “Danas”)

Comment

*