Në Berlinale 2019 do të garojë edhe një film nga Kosova

Berlin, 7 shkurt 2019 – Sot në Berlin fillon festivali ndërkombëtar i filmit “Berlinale”.

Në mesin e 400 filmave që do të garojnë në kategori të ndryshme do të jetë edhe një film nga Kosova. Kjo është hera e parë që një film nga Kosova përfshihet në programit zyrtar të këtij festivali prestigjioz.

Filmi “Në mes”, në regji të Samir Karahodës, do të konkurrojë në kategorinë e filmave të metrazhit të shkurtër, “Berlinale Shorts”. Ky film 14-minutësh e trajton një temë krejtësisht mashkullore, shumë karakteristike për Kosovën, solidaritetin vëllazëror për ndërtimin e shtëpive të njëjta, me ndihmën e mërgimtarëve.

Premiera botërore e këtij filmi do të jepet më 12 shkurt, në Berlin, kurse për  median dhe publikun ai do të shfaqet më 8 shkurt.

Kosova e ka dërguar në Berlinale edhe regjisoren e re More Raça, e cila merr pjesë në kuadër të programit “Berlinale Talents”, i cili u  krijon mundësi 250 kineastëve, regjisorëve e aktorëve të rinj e të talentuar nga gjithë bota që ta prezantojnë veten e tyre dhe të vënë kontakte me kolegë të fushës së tyre.

Në Berlinale do të shfaqen 400 filma. 23 filma të metrazhit të gjatë do të jenë në garën kryesore. 17 prej tyre konkurrojnë për “Ariun e Artë” dhe për “Ariun e Argjendtë”.

Çmimi “Ariu i Nderit” për vepër jetësore do t’i jepet aktores Charlotte Rampling.

Juria e festivalit kryesohet nga aktorja franceze Juliette Binoche,  fituese e çmimit “Oscar”.

Comment

*