Në emër të dashurisë për vendlindjen

– Shënime për librin “ Pak dritë në themelet e Sinicës”, me autor Ibrahim Memellin-

 

Para disa ditësh, sinicarë me banim në Korçë,shokë e miq të tyre, u mblodhën në promovimin e librit “Pak dritë në themelet e Sinicës”, me autor Ibrahim Memellin, me profesion mësues. Kishin dëshirë të mësonin si është pasqyruar në faqet e librit, historia e fshatit të tyre të bukur, aty në prehër të maleve , në Devollin e Sipërm.Folën në atë takim dhe vlerësuan përkushtimin e Ibrahimit, sinicarët Stavri Dimashi, Perikli Pano, Marsela Jorgji, etj. Autori i librit, duke falenderuar pjesëmarrësit, theksoi se ishte dashuria për Sinicën dhe sinicarët, ajo që e nxiti per t’u marë me këtë punë të lodhëshme. Veprimtaria u pasqyrua te TV “Korça” dhe TV “Lobi”.
** *
Më në fund, kemi në dorë një libër të plotë për Sinicën dhe sinicarët, fryt i një pune disavjeçare të bashkëfshatarit tonë, Ibrahim Memelli. Është kjo një ngjarje e veçantë, që duhet të na gëzojë. E filloi këtë punë para 7-8 vjetësh por u sëmur dhe e uli pak ritmin. Kërkoi që ta përgatisnim bashkë librin. Në fillim pranova por më pas u largova në Amerikë dhe nuk isha më pranë Sinicës e sinicarëve , të “vilja” të dhëna që kërkonte libri. Më dukej se do t’i hyja padrejtësisht në “pjesë” Ibrahimit duke qënë bashkëautor dhe u tërhoqa. Ai vazhdoi të punojë për barrën që kishte marrë mbi supe, në emër të dashurisë për Sinicën dhe sinicarët. I hyri kësaj pune , pa patur ndonjë mbështetje financiare, siç veprohet në këto raste. Punoi me atë parullën e vjetër: “Me forcat e veta”.
Nga Dishnica e Korçës, ku banon prej disa vjetësh, shkoi disa herë në Sinicë, për të “gërmuar” e për të mbledhur copëza të historisë së saj, të lashtësisë, zakoneve e traditave,bujqësisë e blegtorisë, këngëve e valleve , historisë së luftës e të punës ,të burimeve e shkëmbenjve, gjithçkaje të veçantë që ka Sinica jonë. Shkoi në Korçë, Elbasan, Pogradec, Durrës, etj, kudo ku ka sinicarë, për të mbledhur fakte ,dokumenta e fotografi, që kanë të bëjnë me Sinicën e sinicarët. Nuk u tërhoq, edhe kur dikush “nuk ia kishte ngenë të merej me këto punë”. Kontaktoi për këtë qëllim edhe me sinicarë në emigracion si në Amerikë, Greqi, Kanada, Itali, etj. Mblodhi shumë “miell” për të “gatuar” këtë botim. E “siti” disa herë e pastaj e shtroi në “sorfën” e sinicarëve, miqve të tyre e lexuesve të tjerë, për ta “shijuar”. Është një periudhë e gjatë ajo që ka “gërmaur” , që nga lashtësia (afër Sinicës është një vendbanim me emrin Selisht, që i përket shekullit të 7-6 Para Erës së Re) e deri në ditët tona.
Harmonia fetare, një cilësi që spikat në Sinicë mes dy besimeve, të krishterë e myslimanë, është një temë të cilës autroi i ka kushtuar një vëmendje të veçantë, duke e konkretizuar me mjaft fakte. Lidhja me fshatrat fqinë, si Dardhën, Qytezën, Arzën, Mirasin, etj, është një kapitull tjetër , pjesë e këtij libri. Me këto fshatra, e ka bashkuar jo vetëm fqinjësia territoriale, por edhe zakone e tradita të përbashkëta. Sinica, Dardha e Qyteza, kanë mjaft këngë e valle të përbashkëta, siç është ajo e Isuf Arapit, e cila është luajtur në tre këto fshatra. I bashkon edhe xibuni i njëjtë, i cili gjithashtu ka qënë pjesë e veshjes tradicionale të këtyre fshatrave. I ka bashkuar shkolla 7(8) vjeçare e Sinicës, një nga shkollat më të mira në qarkun e Korçës, ku mësonin nxënës nga tre fshatrat. I ka bashkuar edhe puna e përbashkët në një kooperativë.
Një vëmendje të veçantë i ka kushtuar autori Kanunores së Shoqërisë Sinicare “Lulëzimi”, hartuar në vitin 1927 nga një grup sinicarësh dhe miratuar nga prefektura e Korçës. Motivi i saj ishte: “Ndihma e birit ndaj vendit të lindjes.” Kjo kanunore, ishte një lloj statuti për fshatin dhe në disa drejtime, ajo ka vlerë aktuale. Figurat e mbi 25 sinicarëve të shquar,(kaq ka përzgjedhur autori por sigurisht që ka edhe më shumë) të cilët lanë gjurmë me punën e tyre, në Shqipëri e përtej saj, zenë gjithashtu vend në faqet e këtij botimi.
Pjesa e dytë e librit, i kushtohet pemës gjenealogjike të familjeve sinicare. Janë gjithësej 182 familje që autori ka mundur të identifikojë. Ishte kjo një nga punët më të vështira të tij, pasi shumica e familjeve janë larguar nga fshati, disa në qytete të Shqipërisë, e tjerë në emigracion. Ndonjë familje edhe është zhdukur në mjergullën e viteve. Të pakta janë familjet sinicare që e kanë bërë pemën e tyre familjare, pasi kjo kërkon shumë punë. Ibrahimi ynë, mblodhi të dhëna jo për një fis e dy, por për të gjitha familjet sinicare. Vërtet një stërmundim i madh! Duke ditur vështirësitë që kishte kjo punë, mbaj mend që i thashë:” Le ta bëjë vetë çdo familje pemën e vet. Ti vazhdo me pjesët e tjera të librit”. Por, ai nuk më dëgjoi. Dhe bëri mirë. Ja ku kemi tani edhe pemët gjenealogjike të familjeve sinicare. Është kjo një vlerë tjetër e çmuar e këtij libri.
Vërtet vitet e fundit, janë botuar libra të pjesshëm për Sinicën e sinicarët, siç ishte ai i Jorgo Themelit, i Apostol Sterjos (kryesisht familjarë)si dhe libri me kujtime i veteranit, Andrea Themeli, por libri i Ibrahimit, është shumë i plotë. Megjithatë, jo se ky libër ka ezauruar gjithçka për Sinicën e sinicarët. ”Loja “ është e hapur.”Lojtarë” të tjerë , sinicarë apo studjues të ndryshëm, mund ta vazhdojnë këtë punë, duke shtuar një “ruazë” tjetër në “gjerdanin” sinicar. Siç ka thënë një poet:” Në këtë qiell, ka vend për miliarda yje”.
Në emër të dashurisë për Sinicën dhe sinicarët, duhet të vazhdojmë punën në forma të tjera për pasqyrimin e vlerave e traditave të fshatit tonë. Ndërtimi i muzeut, një detyrë që na pret. Me kontributin e dhënë nga shumë sinicarë në emigracion e në Shqipëri gjatë vitit 2015, u rikonstruktua çatia e shkollës së vjetër, por kjo është vetëm një pjesë e asaj që duhet bërë. Kontributi duhet të vazhdojë, deri në ndërtimin e plotë të muzeut, ashtu siç bënë dardharët, duke ndërtuar një muze model, jo vetëm për zonën tonë, por për gjithë fshatrat e Shqipërisë. Me një zë të përbashkët, duhet të flasim edhe në pushtetin lokal e atë qëndror, për ndërtimin e rrugës së Sinicës, e cila do t’i japë një frymëmarje të re fshatit. Premtime janë bërë prej shumë vitesh, por, siç thotë populli ”Fjala e mirë e guri në trastë”. Mbase, para zgjedhjeve të këtij viti, do të ketë përsëri premtime dhe kush e di (?!) i vjen rradha edhe kësaj rruge, e cila është ndër të paktat në Devoll që ka mbetur pa regulluar. Bashkia Bilisht ka premtuar të regullojë çatinë e shkollës së re, e cila është dëmtuar qysh në vjeshtën e kaluar. Le të shpresojmë se do ta mbajë fjalën.
Punë të tjera , “të vogla” në dukje por të rëndësishme, mund të bëjmë për Sinicën. Të përgatisim edhe një film dokumentar, të cilin kam dëshirë ta realizoj unë, duke patur edhe ndihmën e sinicarëve. Skenarin e kam gati dhe shpresoj që këtë verë të filloj xhirimet. Po të bashkohemi, mundësitë janë për të bërë shumë gjëra. Dhe shembujt i kemi mes nesh. Ibrahimi punoi disa vjet dhe përgatiti këtë libër. Albert Hysolli, i vetëm harxhoi miliona lek dhe na bëri çezmat e fshatit. Mirënjohje për të dy këta sinicarë! Albert Hysolli, hartoi projektin dhe ndoqi në çdo hap, punën për rikonstruksionin e çatisë së shkollës e më tej për kthimin e saj në muze. Shumë punë mund të bëhen, po ta zgjidhim pak “qesen”, po të afrojmë miq e biznesmenë për të kontribuar, po ta ngremë zërin më shumë edhe në strukturat e pushtetit vendor e qëndror.
Sinica është familja jonë e dytë. Krahas dashurisë e mallit për të, duhet edhe të na dhimbset, pasi ajo i mban sytë nga ne. Le ta ndihmojmë e t’i mbyllim ca plagë. Sinica na thërret . Le ta dëgjojmë zërin e saj! Le ta përtërijmë atë, megjithëse është “plakur e rrudhur” nga largimet. Brezi ynë, fëmijët tanë si dhe pasardhësit e tyre, duhet ta mbajnë ndezur zjarrin e dashurisë për Sinicën, për vendlindjen tonë, djepin që na përkundi.
Nga Fuat Memelli

IMG_3692 FullSizeRender(3) IMG_3718 IMG_3722 FullSizeRender(4) FullSizeRender(5) IMG_3719
IMG_3733(1)

Comment

*