Në Ferizaj, kapen 220 kilogramë marihuanë, arrestohen 6 të dyshuar

Prishtinë, 10 shkurt 2019 – Gjashtë persona janë arrestuar gjatë një operacioni të realizuar të shtunën në Ferizaj.

Sipas Policisë së Kosovës, tre prej të arrestuarve janë shtetas të Kosovës, kurse tre të tjerët janë shtetas të Maqedonisë.

Policia njofton se në operacionin, i cili është ndërmarrë pas një hetimi disamujor, kanë qenë të përfshira njësitë kundër trafikimit me drogë të Ferizajt dhe njësitë për reagime të shpejtë.

Ky operacion policor është realizuar nën urdhëresën dhe bashkëpunimin e ngushtë me Prokurorinë Themelore Ferizaj, pasi është vazhdimësi e hetimeve që ndërlidhet me një operacion policor të realizuar në tetor të vitit 2018.

Si rezultat i vazhdimit të hetimeve intensive me 09.02.2019, në dy lokacione të Ferizajt është realizuar kontroll policor, i cili ka rezultuar me arrestimin e personave të dyshuar, nën dyshimin e bazuar se kanë vepruar si grup kriminal të përfshirë në veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Gjatë këtij operacioni policor është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e substancave narkotike e llojit  marihuanë e mbështjellë në 193 paketimeve, e cila pas matjes ka rezultuar të jenë 209.202 kg.

Gjatë këtij operacioni policor  janë arrestuar gjashtë personat e dyshuar: Xh.S.  (viti i lindjes 1990), shtetas i Kosovës, B.S. (1978), shtetas i Kosovës, G.K.  (1991), F.B. (1992), shtetas i Maqedonisë, J.B. (1997), shtetas i Maqedonisë, dhe F.B. (1994) shtetas i Maqedonisë.

Sipas Policisë, në këto lokacione përveç konfiskimit të substancës narkotike, në cilësi të provave materiale  janë gjetur dhe konfiskuar edhe: Katër vetura (pasat, Venta, Golf IV dhe Sharan), para kesh 839 euro e 95 centë, 520 denarë maqedonas, 3 dollarë amerikanë dhe gjashtë telefona celularë.

Referuar operacionit të parë policor të realizuar në tetor të vitit 2018, ku ishin konfiskuar 108 kilogramë e 13.3 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, si dhe tani rastit të mbrëmshëm ku janë konfiskuar 193 paketimeve, në sasi prej 209.202 kg. totali rezulton të jetë rreth 317 kilogramë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit  personave të dyshuar iu është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, përderisa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

Policia ka publikuar edhe fotografitë nga operacioni i konfiskimit të substancës narkotike, e cila dyshohet se ishte e përgatitur për t’u transportuar jashtë shtetit të Kosovës. (r.m.)

Comment

*