Në Francë fillon testimi klinik i ilaçeve kundër koronavirusit

Paris, 23 mars 2020 – Në Francë ka filluar testimi klinik i ilaçeve eksperimentale për shërimin nga virusi Covid-19.

Në këto teste pritet të përfshihen rreth 800 pacientë që janë duke u trajtuar në spitalet e qyteteve: Lille, Nantes, Strasburg, Lyon dhe Paris.

Në testime do të përfshihen edhe 3200 pacientë nga shtetet e tjera që janë prekur më së shumti nga virusi i ri, raporton Anadolu Agency.

Njoftimi për fillimin e testimit klinik erdhi nga Instituti Kombëtar i Shëndetit dhe Hulumtimeve Mjekësore, i cili do të jetë organ koordinues i testeeve.

Testimi është duke u udhëhequr nga Florence Ader, specialiste e sëmundjeve ngjitëse në një spital të qytetit Lyon. Ajo ka thënë se në testim do të përfshihen disa lloje të substancave, përfshirë remdesivirin, lopinavirin dhe ritonavirin dhe hidroksiklorokinën.

Kjo e fundit është përbërës kryesor i ilaçit që është përdorur për ta luftuar malarien dhe gjendet në treg edhe tani.

Mjekja ka sqaruar se këto substanca janë pjesë e listës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për trajtime eksperimentale dhe u është dhënë status prioritar për t’u testuar dhe për t’u përdorur.

Deri më tani në Francë kanë vdekur 647 persona dhe mbi 16 mijë janë konfirmuar me koronavirus. Më shumë se 2.200 të prekur nga ky virus janë shëruar dhe janë liruar nga spitalet.

(r.m.)

Comment

*