Në garë me njëri-tjetrin, jo me Serbinë

Ruben Avxhiu

Diçka nuk ishte në rregull dje me ministrin e Jashtëm të Kosovës, në OKB. Po në fakt shumë gjëra nuk janë në rregull në përgjithësi me jetën politike në Kosovë në vitet e fundit.
Njëfarësoj nxitimi i ministrit të Jashtëm për të lajmëruar suksese diplomatike më duket pjesë e të njëjtës sëmundje që nxit edhe maninë për t’u tallur me entuziasmin e keqllogaritur të tij.
Çfarë ndodhi dje?
Ministri i Jashtëm i Kosovës vrapoi t’i jepte dorën Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, kur ky po kalonte në një nga korridoret e selisë qendrore të OKB-së.
Së dyti, kreu i diplomacisë kosovare bisedoi për pak minuta me kryeministrin e Marokut, një vend interesant arab e afrikanoverior që nuk e ka njohur ende Kosovën.
Cili ishte problemi me këto ngjarje normale?
Mënyra sesi i përshkroi në rrjetet sociale ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli. Që të dy rastet i paraqiti si “takime”. Për të dyja pësoi tallje dhe kritika. Trump sigurisht as që ka interes të komentojë për ngjarjen, por kryeministri i Marokut ka reaguar disi në mënyrë jodiplomatike duke shkruar në rrjetin social Tuiter se një “zotëri nga Kosova” iu imponua gjatë pushimit. Ai shtoi se asgjë nuk u bisedua për marrëdhëniet dypalëshe dhe se Maroku nuk ka ndërmend ta njohë Kosovën.
Një reagim i këtij lloji është gjë e rrallë. Është e qartë se ai nuk ka ardhur nga përshtypjet e takimit me ministrin Behgjet Pacolli (protagonistin e të dy rasteve të mësipërme), por për shkak të postimit në rrjetin social Tuitër të fotografisë nga biseda dhe shënimit që e paraqiste bisedën mes të dyve si një takim të rregullt.
Duket se për kryeministrin e Marokut, kjo ka qenë praktikë e keqe diplomatike. Një bisedë jozyrtare duhet të mbetet private. Në rast publikimi, është mirë që interlokutorit t’i merret leje, të konsultohet ose të paktën të mos paraitet në llogarinë zyrtare të ministrit në rrjetet sociale.
Këto publikime mund t’i krijojnë probleme politike bashkëbiseduesit. Kryeministri i Marokut ka problemet e veta politike në vend, me koalicionin që drejton. Nuk ka nevojë për telashin e kotë të sqarimit përballë opozitës apo opinionit publik nëse ka ndryshuar linjë politika e jashtme marokene.
Do të ishte mirë që Maroku ta njihte Kosovën, po janë bërë 110 njohje në botë dhe një më shumë nuk do të ndryshonte asgjë në mënyrë thelbësore. Ashtu si Kosova edhe Maroku e ka parë javën e Asamblesë së Përgjithshme vjetore në OKB, si një mundësi për të përparuar kauzat që kanë rëndësi për vendin e tij. Gjëja e fundit për të cilën ka nevojë është një akuzë nga opozita apo kundërshtarët e tij politikë se ai po flet ndryshe në Rabat e ndryshe në New York.
Akoma më tepër, shtete si Maroku me problem akute me krahina që duan shkëputje, si Saharaja Perëndimore, nuk ka luksin politik të bëjnë favore me njohje vendesh si Kosova. Ideale do të ishte që këto vende të liheshin nga fundi. Udhëheqësve të këtyre vendeve, si kryeministri El Othmani u duhet lënë hapësira dhe mirëkuptimi i nevojshëm politik. Disa vende janë akoma më sensitive ndaj portretizimit në rrjetet sociale. Duket se kryeministri i Marokut është nervozuar nga postimi në Tuitër i ministrit Pacolli.
Po pse ndoh diçka e tillë?
Le ta nisim edhe njëherë nga fillimi. Java në Sesionit të ri vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së është gjithmonë një rast i mirë për Kosovën për të ndihmuar kauzën e saj të njohjes së pavarësisë.
“E gjithë bota” mblidhet këtu në New York dhe udhëheqës ambiciozë të vendeve të mesme e të vogla kanë të krijojnë kontakte që janë shumë më të ndërlikuara kur shkojnë mes protokolleve zyrtare.
Mund të anashkalosh, zyrtarë, këshilltarë e burokratë e të takohesh drejtpërdrejt me një njeri si Donald Trump. Në kushte normale, që të marrësh edhe 10 sekonda nga koha e kryetarit të shtetit amerikan, një fushatë e stërzgjatur dhe e stërholluar diplomatike e politike duhet vënë në zbatim.
Çdo vit, Kosova ka dërguar një delegacion shumë më të madh në New York sesa ka pasur nevojë. Është e vërtetë se këtu mblidhet gjithë bota, po asgjë nuk vendoset vërtet këtë javë. Është thjesht një ekspozitë kauzash.
E keqja është se me kalimin e kohës, në vend që të vijnë në New York për t’i ekspozuar botës kauzën e drejtë të Kosovës, vijnë për t’i ekspozuar popullit të Kosovës lidhjet e tyre personale politike me udhëheqës të botës.
Akoma më keq tani që e vetmja mënyrë për të krijuar qeveri ishte bashkimi i shumë partive në spektrin e copëzuar politik të Kosovës.
Në New York, tani kanë zbarkuar edhe presidenti, edhe kryeministri edhe ministri i Jashtëm, që të gjithë më shumë në konkurrencë me njëri-tjetrin sesa me Serbinë. Me Thaçin dhe Haradinajn që kanë një numër takimesh në SHBA, me kujtimin e takimeve të shumta të ish-ministrit të Jashtëm Enver Hoxhaj, në mjediset e OKB-së, ministri Pacolli e ndjen mesa duket veten në një presion në të cilin nuk duhet të jetë.
Ishte obsesioni për të dëshmuar suksesin e tij që e bëri të publikojë bisedën private me një kryeministër dhe shtrëngimin e dorës me Presidentin Trump. Të dyja dy veprime shumë të mira pavarësisht prej talljes prej kritikëve në rrjete. Nuk ka asgjë të keqe me to. Politika është optikë. Dhe të gjithë politikanët ekzagjerojnë. Por deri në një pikë të caktuar.
Do të ishte mungesë sinqeriteti nëse do ta trajtonim Pacollin si një rast më vete, i cili vrapon t’i jepte dorën Presidentit Trump. Disa që nuk po ua themi emrin kanë shpenzuar qindra mijëra dollarë, e kanë shkelur ligjet e Shteteve të Bashkuara për një çast fotografimi me presidentin e radhës amerikan. Kjo është dëshmi e mungesës së seriozitetit të klasës politike shqiptare nga Tirana në Prishtinë, po edhe një tregues tronditës për shoqërinë shqiptare. Politikanët nxitojnë të fitojnë momente të tilla sepse ato kanë sukses në atdhe. Ndryshe do të tregonin vetëpërmbajtje.
As nuk kam dyshim që një pjesë e talljeve e kritikave janë gjithashtu të motivuara nga politika. Kosova nuk ka qenë kurrë më e përçarë sesa sot. Kritika është legjitime, po problem nuk është vetëm personal, po problem i kohës.
Mua më pëlqen që, si ministër i Jashtëm, Pacolli ka një interes të posaçëm me rajone ku Kosova ka çaluar në njohje, sidomos me Afrikën. Kur Ivica Daçiq shkonte me durim dhe kuriozitet, në samitet afrikane e islamike, homologu i tij, Hashim Thaçi dilte nga Prishtina vetëm për Paris, Londër e kryeqendra të tilla.
Sigurisht, Thaçi thjesht kishte parkuar momentalisht karrireën e tij politike në ministrinë e Jashtme, duke hequr një ministër të aftë si Enver Hoxhajn, deri sa të rihapej posti i Presidentit. Asnjë ministër i Jashtëm i Kosovës nuk duhet të jetë tepër i madh për Afrikën, Lindjen e Mesme, Amerikën Latine apo Azinë. Të paktën jo, sa kohë që nuk ka gjetur një zgjidhje për pesë vendet anëtare të BE-së.
Nga ana tjetër, Pacolli druhem se po rishfaq simptomat e sëmundjes së vjetër të konkurrencës me ministrinë e Jashtme, kur si biznesmen apo si kryetar partie në opozitë pretendonte se kishte qenë ai, dhe jo ministri i Jashtëm i kohës, apo diplomacitë perëndimore që kishin siguruar këtë apo atë njohje. Ai mund të ketë pasur vërtet ndikim në ndonjë rast, po këmbëngulja për meritë nganjëherë ka efektin e kundërt. Sigurisht, pak ambicje personale ndihmon në këtë punë dhe nuk imagjinoj dot ndonjë politikan që nuk ia bën me sy vetes në pasqyrë. Është sëmundje profesionale. Po ministri Pacolli duhet të mësojë të shijojë kënaqësinë e lojës së gjatë. E bisedave private dhe meritave të padhëna. Ai mund të habitet se sa shumë sukses mund të fillojë të ketë në momentin që do ta lërë meritën të mbetet në ajër, pa zot. Le t’i shfaqë pretendimet të gjitha në fund, me një libër kujtimesh. Fama në kohën e rrjeteve sociale shkon e vjen. Është i të vraposh për të kapur erën.
Në rastin konkret, ministri Pacolli duhet t’i dërgojë falje privatisht kryeministrit maroken, që ia ka botuar fotografinë pa u marrë vesh me të dhe ta sqarojë se nuk ka shkruar se “u fol për marrëdhënie dypalëshe” po vetëm për vullnetin e Kosovës për të krijuar kontakte institucionale. Zyra Kontakti në Kosovë kanë edhe vetë Serbia e Rusia. Maroku mund ta krijojë kontaktin me Kosovën pa qenë nevoja ta njohë republikën.
Do të ishte akoma më mirë, nëse ai vetë, kryeministri dhe presidenti i Kosovës, përpara se të niseshin për fushatë në New York, të takoheshin mes tyre dhe të gjenin një qendrim të përbashkët për politikën e jashtme të Kosovës. Se tre udhëheqës që nuk takohen dot me njëri-tjetrin e nuk bindin dot njëri-tjetrin për një qendrim të përbashkët nuk kanë punë të vërtiten nëpër New York për të folur me udhëheqës të botës.
Nuk ka sabotim më të madh të kauzës së Kosovës sesa paraqitja e tre udhëheqësve të saj, me tre versione të ndryshme të politikës së saj, me tre agjenda takimesh të pa koordinuara, të nxitura jo për të plotësuar njëri-tjetrin por për ta konkurruar e sfiduar; të tre në garë për të treguar se është ky e jo dy të tjerët që përfaqëson vërtet Kosovën në botë, apo botën në Kosovë.
Kosova ka nevojë për një qeveri të vetme e për një politikë të jashtme, jo këtë trinitetin e pashenjtë që po shohim në New York.

Comment

*