Në kohën e pandemisë, rriten remitencat në Kosovë

Prishtinë, 6 gusht 2020 – Banka Qendrore e Kosovës kishte parashikuar rënie të remitencave për 4.7 për qind, për shkak të pandemisë COVID-19. Por, këto parashikime kanë dalë të pasakta. Madje, remitencat gjatë kohës së pandemisë janë rritur.

Dërgesat familjare të mërgimtarëve të gjashtë muajve të parë të vitit 2020 kanë qenë për 27.8 milionë euro më të larta se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, në gjashtë muajt e parë të këtij viti mërgimtarët kanë dërguar në Kosovë 433.2 milionë euro, ndërsa vitin e kaliar I kishin dërguar 405.4 milionë euro.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, rënie e remitencave ishte shënuar vetëm në muajt mars dhe prill,kur ka filluar pandemia në Kosovë. Por, kjo situatë është përmbysur në dy muajt e kaluar, maj e qershor, kur ka pasur rritje të remitencave për 33.7 milionë euro.

Kryetari i Odës Ekonomikë të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se rritja e remitencave është shumë e mirë për ekonominë e vendit.

“Diaspora, pavarësisht se nuk ka ardhur, ka vazhduar të kujdeset për familjet që i kanë këtu dhe, ndoshta, një pjesë të mjeteve që nuk ka arritur t’i shpenzojë gjatë muajve të verës, për pushime në Kosovë, i ka dërguar përmes përmes sistemit bankar. Normalisht kjo është gjë shumë mirë për ekonominë e vendit”, ka thënë Rukiqi për KTV.

Ai e pret që edhe gjatë muajve të tjerë të vitit të vazhdojë ky trend i dërgesave nga diaspora.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, më së shumti mjete janë dërguar nga Gjermania, Zvicra, SHBA-të, Italia, Austria dhe Franca.

Në këto statistika nuk janë përfshirë më shumë se 700 mijë euro që mërgimtarët kosovarë i kanë dërguar si mbështetje për përballimin e pandemisë së koronavirusit, në llogarinë që ishte hapur nga Qeveria e Kosovës që drejtohej nga Albin Kurti.

(r.m.)

Comment

*