Në Kosovë, energjia elektrike u shtrenjtua 25 për qind

Në muajin qershor, energjia elektrike në Kosovë u shtrenjtua mbi 25 për qind, në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Ngritje të çmimit shënuan edhe gazi dhe lëndët djegëse.

 

Prishtinë, 16 korrik 2017 – Sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) të publikuar nga Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK), në muajin qershor janë regjistruar çmime më të larta se në muajin paraprak.

Pemët, rryma dhe lëndët djegëse janë kontribuuesit kryesorë të rritjes së çmimeve.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0.3% në muajin qershor 2017, krahasuar me muajin maj 2017. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: pemë (5.6%); rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (17.9%)-(ngritje e çmimit të energjisë elektrike) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.9% në IHÇK-it”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Ulje të çmimeve kishte te disa produkte ushqimore.

Qumështi së bashku me djathin dhe vezët ndikuan në neutralizimin e ngritjes së çmimeve tek nëngrupet e tjera.

“Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet: qumësht, djathë dhe vezë (-2.2%); perime (-8.2%); përdorimi i pajisjeve për transportin personal (-0.6%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.6%) në IHÇK”, thotë komunikata.

Shkalla e inflacionit e matur në muajin qershor 2017 në krahasim me muajin qershor 2016 ishte 1.9%.

Publikimi i ASK-së konstaton se edhe rryma ishte më e shtrenjtë këtë qershor në raport me qershorin e 2016-ës.

“Ngritje e çmimit të energjisë elektrike për 25.4%, krahasuar me tarifat verore të muajt qershor të vitit 2016”, thuhet në raportin e ASK-së.

Rritje kishte edhe te përdorim i pajisjeve për transportin personal (3.8%)-(ngritje e çmimit të naftës dhe benzinës) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2.1% në IHÇK.

Sipas komunikatës, ngritja e çmimeve u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve te nëngrupet: blerje e automjeteve -1.7 për qind; pajisjeve audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informatave -6.8 për qind,  me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0.2 për qind  në Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit.

(r.m.)

Comment

*