Në Kosovë, fillojnë investimet për hekurudha moderne

Prishtinë, 7 shkurt 2019 – Nga fillimi i vitit 2021, Kosova synon të ketë një rrjet hekurudhor funksional. Rehabilitimi i segmentit të parë hekurudhor në relacionin, Prishtinë – Hani i Elezit në kufi me Maqedoninë, që përfshin hekurudhën në një gjatësi prej 65 kilometrash, ka filluar të mërkurën, kurse pritet të përfundojë për 24 muaj.

Ky projekt do të kushtojë 78 milionë euro.

Ndërkohë, po paralajmërohet që së shpejti të fillojë edhe linja e dytë, që përfshin rrjetin hekurudhor Prishtinë – Leshak, në kufirin më Serbinë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se modernizimi i infrastrukturës hekurudhore ka rëndësi strategjike për vendin.

“Hekurudhat e Kosovës i kanë edhe dy faza tjera të nevojshme dhe ato segmente së shpejti do t’i kemi të gatshme. Nuk jemi larg nënshkrimit të kontratave për to, që do të thotë se për segmentin tjetër puna nuk do të zgjasë 24 muaj, por ndoshta 12 muaj. Kështu që në pranverën e vitit 2021, jo vetëm që do të kemi të mbyllur seksionin prej Fushë Kosovës deri në Han të Elezit, por do ta kemi të përfunduar deri në Merdarë, Leshak. Kosova më në fund do të ketë rrjetin hekurudhor funksional dhe kualitativ”, tha ai.

Haradinaj i bëri këto komente pas nënshkrimit të kontratës komerciale për rehabilitimin e linjës së dhjetë hekurudhore ndërmjet kompanisë Infrakos dhe kompanisë fituese “Generale Construzioni Ferrovarie”.

Projektet rajonale hekurudhore ishin diskutuar në Procesin e Berlinit, në vitin 2014, në të cilin përfshihen dymbëdhjetë shtete, prej tyre edhe gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Kosova.

Mbështetja e projekteve rajonale, ku transporti zë vend të rëndësishëm, ishte pjesë edhe e Samitit të Ballkanit Perëndimor që është mbajtur në vitin 2017 në Itali, ku liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ata të Bashkimit Evropian patën nënshkruar Traktatin e Komunitetit të Transportit.

Kurse, marrëveshja për projektin për rehabilitimin e linjës hekurudhore ‘10’, ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, (BERZH) është nënshkruar në fillim të vitit të kaluar.

Projekti hekurudhor ‘10’ i Kosovës është pjesë e rrjetit hekurudhor kryesor të Ballkanit Perëndimor. Një zgjerim i Rrjeteve Trans-Evropiane të Transportit është pjesë e përpjekjeve më të gjera të Bashkimit Evropian për të promovuar lidhjen e transportit në Ballkanin Perëndimor.

Agron Thaçi, kryeshef ekzekutiv në kompaninë “Infrakos”, kompani kjo që merret me infrastrukturën hekurudhore, tha se pas kësaj hekurudhat do të jenë moderne, cilësore dhe që i plotëson të gjitha kriteret e Bashkimit Evropian.

“Ne mund të themi se do të krijojmë kushte dhe mundësi që trenat prapë të rikthehen nga Mynih ndërmjet Strasburgut dhe të riaktivizojmë edhe më linjën e mëhershme deri në Athinë dhe më gjerë. Pra, ky projekt nuk ka konotacion të brendshëm, është projekt rajonal dhe vetë pjesëmarrja e financimit e tregon këtë”, tha Thaçi.

Infrastruktura hekurudhore në Kosovë aktualisht vazhdon të përballet me një gjendje jo të mirë. Binarët, ndërtesat e stacioneve, stabilimentet sinjalizuese, pastaj operimet hekurudhore, lokomotivat, vagonët e udhëtarëve janë të vjetruara.

Shpejtësia e trenave, për shkak të kushteve teknike në linjat aktuale, mund të zhvillohet në 50 kilometra në orë, kurse me renovimin e hekurudhave, trenat do të qarkullojnë deri në 150 kilometra në orë.

Rehabilitimin e infrastrukturës hekurudhore po e konsiderojnë vendim të qëlluar edhe disa qytetarë. Artan Behrami, menaxher në një kompani private në Prishtinë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se modernizmi i hekurudhave dhe trenave do të shkarkonte komunikacionin rrugor.

“Unë mendoj se funksionalizimi i hekurudhave, në masë të madhe do të shkarkonte komunikacionin me vetura pasi qytetarët do të udhëtonin me tren. Pastaj, udhëtimi me tren është më i shpejtë dhe më i lirë sesa me autobus ose veturë”, thekson Behrami.

Ndryshe, fillimi i shtrirjes së rrjetit hekurudhor nëpër Kosovë ka filluar në vitin 1874, ku u ndërtua linja e parë hekurudhore në relacionin Hani i Elezit – Fushë Kosovë – Mitrovicë.

Aktualisht, në Kosovë vija të rregullta për transport të brendshëm përmes trenave, ka në relacionin Prishtinë – Pejë, Hani i Elezit – Fushë Kosovë dhe anasjelltas.

Ndërsa, për transport ndërkombëtar, hekurudhat e Kosovës kanë një tren të rregullt, që quhet “treni i shpejtë”, i cili qarkullon një herë në ditë në relacionin Prishtinë – Shkup – Prishtinë.

(Nadie Ahmeti, REL)

Comment

*