Në kujtim të Grigor Zoraqit

Nga Julika Prifti

Sot u nda nga jeta nje shok i vjeter dhe shume i dashur per mua. Ai ishte shembull i njeriut inteligjent, te kulturuar, pa cmire e pa urrejtje. Shqiperia humbi shume ne fushen gjenetike ku Grigor Zoraqi i punoi pa u lodhur me perkushtim te jashtezakonshem, miqte humbet njeriun e ndershem e te sinqerte, shoket njeriun e dashur e te besuar. Më poshtë vijon një shkrim i ribotuar me këtë rast.

 

Krimbi i Mëndafshit

Pas mbarimit të studimeve në Romë të Italisë,  shoku im, u  kthyer në Tiranë.  Tani ai ishte punonjës në Intitutitin e Veterinarisë në Kamëz. Unë isha punonjëse në Institutin e Monumenteve të Kulturës në Tiranë. Ai ishte shkencëtar e pedagog,  unë isha redaktorja e revistës Monument. Po Grisha qeshte e thoshte “ ne jemi njësoj se te dy punojmë në institut”. Grisha ( kështu thërritej Grigor Zoraqi nga të gjithë të afërmit) ishte një nga shokët e mi më të mirë sepse ishte i sinqertë, inteligjent, punëtor,  pa pikë smire a xhelozie.

Me Grishën kalonim këndshëm  në mbrëmjet me kërcime e këngë të ndaluara, që i organizonim në shtëpitë tona, me rrethin më të ngushtë shoqëror në vitet ‘ 80.  Po unë kënaqesha edhe më shumë kur takoheshim rastësisht  e i besonim njeri-tjetrin tregimin e barcaletave më  të rrezikshme kundër partiakëve, anëtarëve të byrosë politike, apo çdo fenomeni qe ne e cilësonim të gabuar e dritë shkurtër.

Një ditë u takuam rastësisht tek blinim akullorë në rrugën e Dibrës, përballë pallatitit ku banonte Dritëro Agolli, për të hequr disi vapën e Tiranës. Edhe në javët e para të shtatorit vapa e Tiranës ndihej mjaft e fortë e akulloret shijonin shumë mirë. Ne lëpinim me qejf akulloret kur Grisha  u ul në gjunjë që të bëhej i barabartë me gjatësinë e  djalit tim, Eri, sikur të ishin shokë të një moshe dhe e pyeti:

-Eri, ke pare ti krimba mëndafshi?

-Krimba mëndafshi?

-Po. Krimba mëndafshi.

– Prej vërteti?

-Po prej vërteti.

-Jo. Nuk kam parë asnjëherë. Po kam parë krimba fallco.

-Krimba fallco? – pyeti me kuriozitet Grisha.

-Krimba fallco kam parë plot- e siguroi djali.

-Çfarë është një krimb fallco? Krimb i  balsamosur?

– Krimba fallco janë ata që nuk marrin frymë e rrinë rehat në faqet e librave që me lexon mami.- e sqaroi Eri.

– E kuptova.  Atëhere  unë kam një propozim. Ti do ti  thuash  mamit të të sjellë në Institutin Bujqësor të Kamzës që të shikosh krimba mëndafshi të vërtetë.  Si thua ?

-Unë them shumë mirë- tha Eri me entuziasm. Por menjëherë pyeti i shqetësuar

-Sa të mëdhenj janë krimbat e mëndafshit?

-Shumë më të vegjël se ty – ia hoqi frikën Grisha.

U vendos dita dhe ora e “takimit” me krimbat e mëndafshit. Grisha me tregoi dhe vendin e nisjes së autobuzit për në Kamëz,  fare pranë Bankës së Shtetit. Autobuzi niset në krye të çdo ore. Po ju merrni atë pas orës tetë se ai ka shumë vende të lira për tu ulur sugjeroi Grisha.

Në ditën e caktuar u përgatitem të shkonim në Kamëz. Së pari do të merrnim autobuzin Kinostudio – Kombinat e pastaj atë të Kamzës.

Edhe unë isha disi e emocionuar si Eri. Jo se do shikoja krimbat e mëndafshit, po sepse kjo ishte hera  e parë që po shkelja në Kamëz.  Atë e kisha parë shpesh kur udhëtoja për në Shkodër, po kurrë nuk isha bërë mbarë ta vizitoja. Kamza dukej e bukur me kodra të buta te mbushara me vreshta apo pemë të ndryshme e me  fusha me ngjyra forta apo te zbehta në varësi të  stinës së vitit.

Grisha po na priste në stacionin e fundit.

-I ke duar e pastra? – e pyeti ai Erin

-Po. Pse? Do të hamë gjëra të mira – pyeti Eri me hare.

-Po –e mori kthesën shpejt Grisha. Do hamë gjëra të mira po do takojmë edhe  krimbat e mëndafshit. Ato  nuk pranojnë të takohen me fëmijë të papastër?

-Vërtet?- pyeti Eri shume i çuditur nga ky zbulim i ri.

-Vertet! – e siguroi Grisha, që i pëlqente të luante me fantazinë e tij.

Ai na udhëhoqi në ambientet e ndryshme të Institutit e pastaj na çoi tek një sallë e vogël . Aty kishte një sërë tavolinash mbuluar me gjethe të mëdha jeshile. Tek- tuk dukeshin edhe ca krimba.

-Po të prezantoj me krimbat e mëndafshit . Ky fëmija i pastër është Eri – vazhdoi prezantimin Grisha, sikur krimbat të ishin shokë të Erit.

Eri u ngrit në majë të gishtave për të parë më mire “shokët e rinj”.

-Çfarë po bëjnë? –pyeti ai Grishën.

-Po kullotin –qe përgjigjja e tij.

-Kullotin? Po ata nuk janë lope apo kuaj? – komentoi Eri.

-Jo nuk janë – qeshi Grisha. Po kështu quhen edhe vaftet e ngrënjes së krimbave të mendjafshit.

-Çfarë pëlqejnë të hanë krimbat e mëndafshit?- pyeti Eri.

-Krimbat e mëndafshit hanë me qejf gjethet e manit.

-Mua nuk më pëlqejnë gjethet.  Mua me pëlqejnë të ha  manat – vuri në dukje Eri.

-Ashtu është më mirë. Se i kemi ushqimet e ndara.  Apo jo? – e pyety Grisha duke vënë buzën në gaz. Ne hamë  manat e krimbat gjethet. Mirë apo jo?

-Qenkan të vegjël – tha Eri me njëfarë përçmimi të lehtë.

-Të vegjël po shiko sa shpejt hanë – i tërhoqi vëmendjen Grisha.  E di se ç’bëjnë kur e mbushin barkun plot?

-Flenë !– tha Eri .

– E gjete. Po përpara se të flenë krimbat e mëndafshit prodhojnë një fije të hollë e me të mbështillen mirë nga të gjitha anët. Ja si kjo. Secili krimb krijon kukulen e vet  e aty fle më mirë seç fle ti në krevatin tënd. Nga kukulja marrim pastaj fijet e mëndafshit.- E di ti çfarë është mëndafshi.

-Po e di. Është fustani i preferuar i mamit – tha Eri.

Ne qeshem me të madhe.

-Po pse më i preferuari? – e ngacmoi Grisha.

-Sepse është nga jashtë shtetit.-u përgjegj aty për aty Eri.

Nuk kishte faj. Sa herë i kisha thënë të kishte kujdes e të mos ma njolloste fustanin prej mëndafshi që ma kishin sjellë nga Amerika.

-Mëndafshi është i butë, i  lëmuar, i lehtë dhe shumë i freskët në trup. Prandaj mami e mban me kujdes – filloi mësimin për Erin Grisha.

Leksioni i mëndafshit vazhdoi me shpjegimet për kohën e rritjes së krimbave, të kthimit të tyre në kukule e pastaj të marrjes së fijes prej kukules e deri në prodhimin e mëndafshit. Grisha nuk harroi të përmendte edhe vendet që prodhonin pëlhurat më të mira të mëndafshit.

Pasi hëngrëm frutat që Grisha i kishte ruajtur në frigoriferin e tij te zyrës ai  na çoi deri tek stacioni i autobuzit. U  ndamë të lodhur por të kënaqur nga njohuritë e reja që kishim mësuar.

-Mami kur të dal unë jashtë shtetit do të të blej shumë dhurata prej mëndafshi- deklaroi biri im.

-Vetëm dil jashtë shtetit, e mos me bli asnjë gjë, – i thashë unë. –ajo është dhurata më e mirë për mua. Dalja jote jashtë shtetit.

-Eri ishte shumë i vogël dhe natyrisht nuk i kuptonte ndalimet e sistemit socialist. Dalja jashtë shteti ishte gati e pamundur ne rrëgjimin hoxhist.

Kur zbritëm nga autobuzi desha të bëj një përmbledhje të ditës.

– Ku vajtëm sot?

-Në Institutin Bujqësor të Kamzës.

-Pse?

-Të takonim Grishën,shokun e mamit – u përgjegj Eri shpejt e shpejt.

Unë prisja të përmendte në fillim krimbat e mëndafshit, por për fëmijët shokët e shoqet zinin vendin kryesor para çdo “mësimi”.

-Çfarë pamë në Intitutin Bujqësor të Kamzës? – vazhdova unë.

-Krimbat e mëndafshit- qe përgjigjja  e Erit.

-E çfarë marrim nga krimbat e mëndafshit? – e pyeta unë.

-Mëndafsh! – tha Eri shpejt e shpejt.

-Shkël ! – thërrita unë. Fjalën shkëlyeshëm e kishim shkurtuar dhe ndiheshim të kënaqur sa herë e fusnim në përdorim në bisedat tona.  Më vajti  në mendje t’i bëja disa  pyetje të tjera djalit. Pyetje për krimba të tjerë. Do të vazhdonte  analogjinë e krimbit të mëndafshit  apo do të kujtonte eksperienca të tjera të jetës së tij e nuk do të binte në “grackën” e përgatitur nga mamaja.

-Nga krimbi i mëndafshit marrim mëndafsh. Po nga krimbi i mollës? – e pyeta unë pa përdorur frazën “çfarë marrim”.

-Mollë – u përgjegj Eri pa u menduar fare.

Djali kishte rënë në “gurthin analogjik”. Nëse nga krimbi i mëndafshit marrim mëndafsh , nga krimi i mollëve duhet të marrësh mollë. Çfarë tjetër?

-Po nga krimbi  i dardhës ? – vazhdova unë.

-Dardha.

-Po nga krimi i lakrave?

-Lakra.

Nuk i ndërpreva pyetjet e mia derisa arritëm përpara derës së apartamentit.

Për disa minuta “Bota “ që njihja qe ndërruar krejtësisht. Krimbat ishin bërë prodhuesit e çdo lloj fruti a zarzavati, për të cilat u kujtova të pyesja djalin djalin atë pasdite.

Nuk i dhashë një leksion tjetër.  Leksioni i  krimbave te mëndafshit ishte i mjaftueshëm për një katër vjeçar.

Kishte plot ditë të tjera për leksione të reja e për të njohur më mirë botën që na rrethonte.

 

NJOFTIMI I AKADEMISE SE SHKENCAVE

Grigor Zoraqi ka lindur dhe eshte rritur ne Tirane ne nje familje me tradita dhe vlera te vecanta kulturore. Shkollen e mesme e kreu ne gjimnazin “Petro Nini Luarasi” duke u dalluar si nje nga nxenesit me te shkelqyer qe ka patur historikisht kjo shkolle. Studimet universitare i kreu ne Universitetin “LA Sapienza” ne Rome, Itali ne vitet 1979-1985 ku u dallua per rezultatet e larta ne pergatitjen e tij shkencore.

Pas kthimit ne Shqiperi punoi si pedagog i Gjenetikes prane Fakultetit te Veterinarise, Universiteti Bujqesor i Tiranes, ku mbrojti me sukses me 1991 titullin “Kandidat i Shkencave” njohur me vone Doktor i Shkencave. Ne fillim te viteve ’90 largohet perseri ne Itali ku punon si kerkues shkencor ne disa institucione te RENDESISHME shkencore si Departamenti i Mjekesise Eksperimentale dhe Patologjise se Pergjithshme te Universitetit “La Sapienza” te Romes, Instituti i Teknologjise Biomjekesore, ne disa laboratore te Qendres Kombetare te Semundjeve Gjenetike ne Itali etj duke fituar nje pervoje te cmuar ne kerkimin shkencor.

Me kthimin ne Shqiperi duke filluar nga viti 2004 Grigori punon si drejtues i Qendres se Diagnostikes Molekulare dhe Kerkimeve Gjenetike prane spitalit “Mbreteresha Geraldine”. Nderkohe, Grigori ka dhene nje kontribut te shquar edhe si pedagog i jashtem prane Fakultetit te Shkencave te Natyres, Universiteti i Tiranes.

Me formimin e tij shkencor ai eshte nder gjenetistet me kontribut te vecante ne Shqiperi, si autor i nje numri te madh artikujsh dhe punimesh shkencore te botuara ne revistat me te mira shkencore, pjesmarres i perhershme ne shume kongrese dhe konferenca shkencore Kombetare dhe Nderkombetare.

Nga viti 2007, Grigori behet anetar i bordit botues te revistes shkencore “Balcan Journal of Medical Genetics”.
Hartues i shume projekteve kerkimore me vlere Kombetare per parandalimin e disa semundjeve te trashegueshme ne vendin tone, disa prej te cileve ende ne perpunim e siper. Me pervojen e fituar, me cilesine e punes se tij kerkimore dhe saktesine e rezultateve te tij pa dyshim Grigori quhej “mjeshtri” i analizave te ADN-se ne nivelin molekular. Kete e kane provuar nga after te gjithe studentet qe kane pergatitur punimet e tyre ne nivelin “Master” si dhe ata te cilet Grigori i ka udhehequr per fitimin e grades shkencore “Doktor i Shkencave”. Veprimtaria e tij intensive shkencore e nderprere pa pritur do te mbetet gjithnje si shembull per te gjithe. Ndarja e Tij nga jeta është humbje e madhe jo vetëm për njerëzit e dashur të familjes, për Akademinë e Shkencave dhe të gjithë bashkëpunëtorët dhe shkencen shqiptare. Qofte i paharruar kujtimi i tij!

Ribotuar nga J.V/Dosja.al

Comment

*