Në kujtim të patriotit Tahir Kerrnaja dhe përpjekjeve për njohjen e çështjes së Kosovës dhe viseve shqiptare në Ballkan

(Me rastin e 18 vjetorit të vdekjes)

 

Nga: Drita Gjongecaj

Shtator 2020

Më 4 shtator mbushen 18 vjet që kur u nda nga jeta Tahir Kerrnaja i cili njihej me emrin “Babë Tahiri” apo “Njeriu i Demonstratave”. Tahir Curran Kerrnaja ia kushtoi krejt jetën përpjekjeve për njohjen e cështjes së shqiptarëve në trojet etnike e sidomos Kosovës.

Ai ishte nga fshati Kerrnajë në zonën e Gashit të Tropojës nga një familje e njohur për tradita patriotike. Megjithëse kjo ishte në të vërtetë familja e nënës sime, për arsye sigurie nga rregjimi komunist, nuk flitej shumë për të në praninë e ne të rinjve pasi, i akuzuar për vepra që nuk i kishte kryer, ai ishte arratisur nga Shqipëria.
Ndër ato që kisha dëgjuar unë ishte se ai i jepte një rëndësi të vecantë arsimimit dhe, në një kohë kur shumica dërrmuese e popullsisë në Shqipëri ishte analfabete, pikërisht në vitet ‘30 ai kishte ndjekur shkollën Amerikane Bujqësore në Kavajë. Më vonë ai ndoqi edhe shkollën e Kuesturës në Itali.
Personalisht e kuptova nga afër ndjeshmërinë dhe vlerësimin e tij ndaj arsimimit në verën e vitit 1991 kur ai më dërgon nga Amerika një cantë lëkure cilësore librash, ngjyrë kafe, me shënimin: “… Mos ju ndaj shkollimit se vetëm dituria të con përpara. …”
Deri në atë kohë askush nga familja nuk kishte dijeni për punën e tij madhore në NY në shërbim të kombit e shqiptarëve pasi lidhjet me jashtë ishin të këputura plotësisht. Unë u vendosa në Amerikë në muajt e fundit të jetës së tij, kështu që përvec dy-tre takimeve të shkurtra nuk pata fatin të shpenzoj kohë me të. Ishte fjalëpak dhe më se modest. Duke e quajtur veten thjesht ushtar në cështjen e Kosovës, punën kolosale dhe arritjet ia atribuonte bashkëpunëtorëve e mbështetësve të shumtë të aktivitetit të tij dhe organizatës Rinia Shqiptare e Kosovës në Botën e Lirë (RShKBL) e themeluar nga vetë ai.

Në rininë e tij në Shqipëri, Tahir Kerrnaja i ishte bashkuar forcave partizane, më vonë forcave nacionaliste dhe kishte shërbyer edhe në kuesturën e Tiranës. Me një akuzë të sajuar nga qeveria komuniste, ai qe dënuar fillimisht me vdekje. Meqë nuk kishte prova dhe duke qenë se asnjë nga dëshmitarët nuk e mbështetën akuzën ndaj tij, vendimi ndryshoi në dënim me burgim të përjetshëm që më vonë përsëri u ul në disa vite. Për afro 10 vjet ai vuajti në kampet e burgjet famëkeqe të Shqipërisë së atëhershme përfshi edhe Kampin e Vdekjes në Kavajë. Vuajtje e tortura të paimagjinueshme përjetoi ai pastaj në ish-Jugosllavi derisa më në fund fitoi statusin e emigrantit politik dhe në vitin 1963 hyri në Amerikë.

Me largpamësi, ai themeloi Shoqërinë RShKBL (Albanian Kosovar Youth in the Free World-AKYFW) dhe mblodhi rreth vetes shumë anëtarë e bashkëpunëtorë me të cilët nuk reshtën punën e organizuar për sensibilizimin ndaj shtypjes së rëndë sllavo-komuniste të shqiptarëve në Kosovë dhe territore tjera në Jugosllavi, kërkesës për mbrojtjen e të drejtave të tyre, si dhe të drejtat e shqiptarëve kudo në trojet etnike. Disa nga bashkëpunëtorët më të ngushtë ishin familja e Musë dhe Shahe [Kerrnaja] Zherka (të vetmit të afërm të tij në Amerikë në atë kohë), Vëllazrit Bytyci (Bitici), Maliq Arifaj, Prof. Dr. Rexhep Krasniqi, Kryetar i Komitetit Shqipëria e Lirë, Prof. Sami Repishti, Prof. Peter Prifti, e shumë e shumë të tjerë. Sic e përshkruajnë, muret e apartamantit i kishte mbushur me parulla, fletëthirrje e pjesë të shkëputura nga gazetat e kohës duke e kthyer banesën e tij në 43 Street në zyrë të organizatës. Në program shkruhej shprehimisht se vullnetarët e këtij grupimi janë të mobilizuar në shërbim të kauzës së kombit shqiptar dhe asaj të ribashkimit nacional shqiptar; se në kushtet aktuale, detyra më urgjente është qartësimi i opinionit publik i pozitës në të cilën ndodhen vëllezërit e motrat kosovare; se veprimet do të zhvillohen në mënyrë paqësore, etj. Vetëm në harkun kohor të një muaji, përgjatë më se 30 vjetëve, fletushkat në anglisht dhe në shqip kapnin shifrën e 4 apo 5000 të tilla të shpërndara. Një aktivitet patriotik në këto përmasa në llojin e vet mbetet padyshim unik jo vetëm për volumin e materialeve, por edhe për kohështrirjen në dekada dhe përhapjen gjeografike brenda e jashtë Amerikës. Njohja e thellë e gjendjes, largpamësia, energjia, trimëria e përkushtimi deri në vetëmohim ishin mbledhur në figurën e Babë Tahirit.

Në aktivitetin e tij në Amerikë, Tahir Kerrnaja mbetet unik edhe si individ në disa drejtime: forma e organizimit të RShKBL, përkushtimi maksimal, shtytja dhe motivimi që u jepte anëtarëve dhe përkrahësve, etj. Qysh me ardhjen në Amerikë e deri në fund të jetës, Tahir Kerrnaja ia dedikoi tërësisht cështjes kombëtare kohën, mundin, biles edhe të gjitha të ardhurat e veta personale që i mbeteshin pas detyrimeve të qirasë e ushqimit. Ai ishte nismëtari, themeluesi, udhëheqësi, dhe propaganduesi i RShKBL. Ishte aktiviteti i mirëorganizuar dhe paqësor i drejtuar nga Babë Tahiri dhe RShKBL i cili i parapriu dhe krijoi kushtet për krijimin më vonë të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane (American Albanian Civic League (AACL) dhe Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan (National Albanian American Council-NAAC) të cilat gjithashtu luajtën rol esencial në lobimin ndaj cështjes së Kosovës.

Vetë ish-Presidenti Ibrahim Rugova e ka vlerësuar punën e Tahir Kerrnajës me këto fjalë: “… Duke ndjekur traditën shqiptare, Babë Tahiri u bë lajmëtar i çështjes së Kosovës, u bë burrë i kushtrimit, që nuk pushoi natë e ditë… Babë Tahiri me veprën e tij ishte një pioner i lëvizjes shqiptare në mbështetje të Kosovës në Shtetet e Bashkuara, lëvizje kjo e cila së shpejti u bë aq e fuqishme sa që të siguronte respektin dhe admirimin e Kongresit, të Administratës dhe të popullit amerikan. Me punën e tij, ai përshpejtoi lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Tahir Kërrnaja do të mbetet si njëri ndër burrat e shquar të Kosovës dhe të botës shqiptare. Ai e përmbylli shekullin e tij të mbushur me një vepër të shkëlqyer për Kosovën dhe kombin shqiptar. Jemi krenar që e patëm.”

Në librin e tij “Kosova: Rruga e Lirisë – Roli i Rinisë Shqiptare të Kosovës në Botën e Lirë në Clirimin e Kosovës”, autori Sergio Bitici përshkruan qartë rolin e pakrahasueshëm të Babë Tahirit dhe shton se “… pa angazhimin e palodhur të Tahir Kerrnajës kjo organizatë nuk do të egzistonte”.

Tahir Kerrnaja nuk krijoi familje por iu përkushtua Kosovës më gjithë fuqitë e tij. Trupi i tij u cua në Kosovë i shoqëruar nga nipat e tij Hysen Kerrnaja e Kujtim Zherka, bashkëpunëtorë, miq dhe admirues duke plotësuar kështu amanetin e tij për t’u prehur në Prishtinën e lirë.

Premtime janë dhënë herë pas here që Tahir Kerrnajës do t’i ngrihet një shtatore në Prishtinë por deri më sot nuk ka filluar një projekt i tillë. Të shpresojmë se arsenali i cmuar i punës së tij do të përjetësohet në një mënyrë a formë që edhe brezat e ardhshëm të mësojnë kush ishte Babë Tahiri dhe cili ishte roli i tij në historinë e lirisë së Kosovës.

Comment

*