Në Maqedoninë e Veriut, opozita e akuzon qeverinë për blerje votash me para të buxhetit

Shkup, 14 nëntor 2019 – Propozim-buxheti për vitin 2020 i projektuar në 3.9 miliardë euro, apo 200 milionë euro më shumë se ai i vitit 2019, ka nxitur reagime të shumta për atë nëse do të realizohen ose jo parashikimet nga qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe ajo që do të formohet pas zgjedhjeve të 12 prillit.

Qeveria ka planifikuar që të hyrat buxhetore të sillen në 3.6 miliardë euro, deficiti është parashikuar në 2.3 për qind, inflacioni prej 1.7 për qind kurse rritja ekonomike në 3.8 për qind të prodhimit vendor bruto. Kryeministri Zoran Zaev, ka thënë se projektimet janë reale ndërsa buxhetin e ka vlerësuar si historik për nga shuma e propozuar dhe interesat e qytetarëve.

“Politikat e kësaj qeverie në periudhën në vijim do t’i përkushtohen kapitalit tonë më të fuqishëm, atij njerëzor në mbështetje për rritjen dhe kujdesin ndaj çdo qytetari”, ka deklaruar kreu i qeverisë duke njoftuar në veçanti masat për rritjen e pagave.

Sipas projektimeve për pagat e shërbyesve të administratës do të ndahen 485 milionë euro, për rritjen e pagave të punonjësve të arsimit dhe shëndetësisë 40 milionë euro ndërsa për rritjen e pensioneve 48 milionë euro. Për investime kapitale janë paraparë 374 milionë euro, por pa dhënë detaje nëse këto mjete do të realizohen duke marrë parasysh dështimin e investimeve këtë vit.

Nga opozita kanë thënë se propozim buxheti nuk është gjë tjetër, por vetëm se keqpërdorim i shumës së projektuar për blerjen e votave në zgjedhjet e 12 prillit.

“Pushteti në vitin 2020 planifikon të shpenzojë 3.9 miliardë euro për programe populiste dhe jo zhvillimore. Ndarja e vetëm 380 milionë eurove për investime kapitale nga një buxhet kaq i madh, është qesharak. Ky është buxhet më jozhvillimor në historinë e Maqedonisë. Kemi të bëjmë me buxhet për blerje votash”, ka deklaruar Nikolla Micevski nga VMRO DPMNE-ja.

Njohësit e çështjeve ekonomike vërejtjet kryesore në projektimet buxhetore i kanë për rritjen e pagave. “Rritja e pagave në arsim dhe shëndetësi është një veprim pozitiv, por rritja lineare e pagave në sektorë të tjerë të administratës publike është i paqëndrueshëm dhe mund të ketë ndikim disproporcional në stafin më produktiv”, thonë nga organizata “Finance Think”.

“Shuma që Qeveria do të shpenzojë për rritjen e pensioneve nga 700 deri në 900 denarë (10-15 euro) është mbi pragun e harmonizuar dhe të përcaktuar me ligj, që rrezikon zbatimin e vazhdueshëm të reformës së pensioneve”, ka deklaruar Bllagica Petreski, njohëse e çështjeve të ekonomisë.

Në një studim të publikuar këto ditë, akademiku Izet Zeqiri i ka hedhur poshtë pretendimet e qeverisë se buxheti është projektuar për më shumë para për qytetarët duke e ilustruar këtë me shpenzimet në rritje të qytetarëve për shërbimet shëndetësore.

“Pikërisht participimi për shërbime shëndetësore nga kjo qeveri dita ditës shënon rritje që janë të papërballueshme nga qytetarët e papunë apo me të hyra minimale. Situatë e njëjtë është edhe me taksat e ndryshme administrative që nga viti në vit shënojnë rritje duke goditur pikërisht xhepin e qytetarëve”, thuhet në reagimin e akademik Izet Zeqiri, njohës i çështjeve të ekonomisë.

(Isuf Kadriu, REL)

Comment

*