Në mbrojtje të vitit 2020!

Duke përzënë vitin e vjetër, një shekull më parë, në kohën e epidemisë së Gripit Spanjoll.

Nga Ruben Avxhiu

Dua të them disa fjalë të mira për vitin 2020.

E di që është viti që të gjithë mezi kemi pritur të mbarojë, që ia kemi përplasur derën pas kurrizit pa dalë mirë nga kalendari, se ishte një vit që mori shumë më tepër jetë njereëzish, na mbylli në kuvlira, paralizoi jetën që bëjmë e krijoi e thelloi konflikte e të tjera.

Mirëpo, çfarë shansesh kishte ky vit? I njollosur përjetë nga një virus të cilin ia bënë “peshqesh” që në ditën e parë.

Sëmundjen e quajmë COVID-19, se filloi në vitin 2019. Mirëpo, vitin 2019 që iku e na la sherrin nuk e shan njeri. Shajnë të gjithë këtë 365-ditorin që erdhi pas e u desh të merrej me pasojat.

Në mënyrë të ngjashme, viti 2021 mund të mbahet mend si viti i ringjalljes, i rimëkëmbjes pavarësisht se nuk do të ishte dot i tillë pa vaksinën që ia la si dhuratë përpara se të largohej ky 2020 që e urryem të gjithë.

Kështu që e kam ndërruar fletën sot. Tani që iku e nuk na dëgjon më, do t’i them faleminderit vitit 2020, për ato gjëra që mundi të bënte. Le të kujtojnë se vitet e tjera do të kishin shkuar më mirë në këto rrethanat të tmerrshme. Faleminderit për heronjtë e vijës së parë të frontit, faleminderit për milionat që mbijetuan, për shkencën që realizoi në pak muaj një vaksinë që zakonisht merr vite, faleminderit që pavarësisht nga kaosi, lajmet e rreme, dyshimit ndaj të vërtetës, orekut të bestytnive, arsyeja dhe kthjelltësia u provuan si më të forta dhe fitimtare.

Nga dëshira për ta hequr qafe sa me shpejt këtë vit 2020, harruam se sa shumë më keq mund të kishte shkuar. Nuk do t’ia falim çfarë na mori po as nuk duhet të harrojmë se çfarë na dha.

Gëzuar tani këtë Vit të Ri 2021. Me fat!

One Response to “Në mbrojtje të vitit 2020!”

Read below or add a comment...

  1. Sali Bollati says:

    Z Ruben Faleminderit per publikimet e shkrimet origjinale ne gazeten qe drejton; por sa per vitin qe shkoi e mos ardhte me i tille; mire e kenduan Parodistet e Vlores :VAVANCULLO 2020 te perkthyer tamam alla Pellumb Kulla
    Por me qe nje fare njeriu mbante vehten si i frymezuar nga shemtima e rrezuar e Amerikes dhe me paturpesi ishte mbuluar padrejtesisht me flamurin tone;por kishte harruar gjuhen e lindjes se tije; edhe une nuk po ta perkthej
    VAVANCULLO 2020.te gjithe shemtirat e Tiranes
    Te lutem, mos ma mer per keq. Shendet

Comment

*