Në Muzeun Historik Kombëtar hapet Pavijoni i Terrorit Komunist në Shqipëri

Tiranë, 23 gusht 2018 – Në Ditën Europiane e Kujtesës së Viktimave të Komunizmit, në Muzeun Historik Kombëtar, në Tiranë, është hapur një ekspozitë e viktimave të komunizmit në Shqipëri.

Në Pavijonin e Terrorit Komunist në Shqipëri, në katin e dytë të Muzeut Historik Kombëtar, janë ekpozuae dokumente, fotografi dhe rreth 130 artefakte e objekte historike, të vendosura në linjën tematiko-kronologjike për periudhën 1944-1990.

Bien në sy sidomos pantallonat e të internuarit Gjon Vatnikaj (Tunxhi), të arnuara me fije flokësh të nënës së tij, Mrika Tunxhit, gjatë kohës së internimit.

Interes për publikun paraqesin edhe fotografitë kushtuar incidentit në Ambasadën Sovjetike dhe të proceseve gjyqësore të zhvilluara ndaj deputetëve liberalë të parlamentit shqiptar.

Në pavijon vizitorët do të gjejnë një hartë ku pasqyrohen burgjet, kampet me punë të detyruar si dhe kampet e internimit në territorin e shtetit shqiptar.

Në Shqipërinë e asaj kohe gjendeshin spitale-burgje dhe spitale psikiatrikë ku “kuroheshin” të akuzuarit politikë. Atmosfera brenda modelit të një qelie të asaj periudhe padyshim që krijon emocione tek vizitorët.

Në pavijon është pasqyruar edhe përndjekja politike ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe të Çamërisë, raporton ATSH. (r.m.)

Comment

*