Në New York, maji vjen me shpresa se jeta do të fitojë

Shifra premtuese nga lufta kundër sëmundjes COVID-19

 

Nga Ruben Avxhiu
Sot, kur governatori Andrew Cuomo dha konferencën e ditës për shtyp, ai njoftoi se në 24 orët e fundit kishin humbur jetën vetëm 289 vetë nga COVID-19.
Lajmi i vdekjes është i tmerrshëm për të afërmit e secilit prej tyre, por për statistikat tona, shifra e re rikonfirmon optimizmin për të ardhmen e shpejtë. Ajo shënon një rënie cilësore.
Kanë ikur ditët kur vdisnin gati 800 në ditë, pa llogaritur ata që humbën jetën në shtëpira, pa u testuar, pa marrë ndihmë mjekësore. Për gati një javë pastaj kemi pasur 400+ vdekje në rang shteti.
Tani më në fund u zbrit për herë të parë poshtë 300-ës.
Grafiku blu (sipër) tregon numrat e jetëve të humbura, çdo ditë po edhe si mesatare shtatëditëshe për të matur drejtimin më shumë se numrat absolutë të çdo dite. Ato premtojnë për mirë.
New York-u ishte epiqendra e kësaj krize në SHBA. Vendi i goditur më së shumti për shkak të milionave të turistëve, nga Italia, Kina, shtetet e tjera në SHBA. New York City është një metropol gjigand, me një system metroje që sipas të gjitha treguesve ka luajtur një rol tragjik në përhapjen e virusit.
Komunitetet më të varfra kanë qenë më të goditurat, po ashtu edhe ato të emigrantëve për shkak të jetesës së bashku të familjeve të mëdha, të detyrimit për të dalë në punë për shkak të nevojës, për shkak të punësimit në sektorë të shpallura “thelbësorë”, për shkak të mungesës së kujdesit mjekësor të rregullt, për shkak të mënyrës së jetesës, po edhe kulturës shoqërizuese që karakterizon këto komunitete përfshi edhe atë shqiptar. Distancimi shoqëror ka qenë brutal po ka shpëtuar jetë njerëzish.
Grafiku me dy kurbat tregon shtrimet në spital dhe pacientët në terapi intensive (ICU). Rënia është e dukshme. Ndërsa dikur Cuomo druhej nëse do të mjaftonin 90,000 shtretër spitali në New York, numri i pacientëve me COVID-19, në mbarë shtetin, nuk e kaloi shifrën 20,000 dhe si mund ta dalloni nga grafiku po shkon drejt rënies. Po ashtu edhe shifra tragjike e terapisë intensive, që është e nevojshme për rastet më të rënda e që ka prodhuar qindra të vdekur çdo ditë.

Shtrimet në spital dhe numri i pacientëve në terapi intensive (ICU) sipas datave.


Nuk do të merrem me debatet absurde për legjitimitetin e masave shtrënguese tjetërkund në SHBA, po në New York ato kanë qenë të domosdoshme dhe mbase duhej të kishin qenë shumë më shtrënguese e marrë shumë më herët. Mbyllja e metrosë gjatë natës është e vonuar. Pastrimi me dizinfektim i përditshëm i saj një masë që duhej marrë që ditën e parë.

Nëse rënia vazhdon dhe një model në grafikun me të kuqe parashikon uljen në zero të vdekjeve në një ditë të bukura maji, shteti mund të fillojë të hapet pak nga pak. Një plan çlirimi fillon me hapjen e disa bizneseve e lehtësimin gradual të masave. Kjo sigurisht ka nevojë të shoqërohet me gatishmërinë psikologjike të njerëzve. Disa do të dalin të detyruar nga vendi i punës e disa do të druhen e do të presin për të parë se çfarë ndodh. Ngrohja e kohës mendohet se mund të pengojë përhapjen e dobësojë virusin. Po ashtu edhe imuniteti i njerëzve që e kanë kaluar tashmë sëmundjen. Testimet po bëhen dalëngadalë më shumta në dispozicion, më të lehta e më të parrezikshme për t’u kryer. Pas masakrës së koronavirusit në New York City e përtej, pak ngurrim dhe kujdes i trepuar në hapat çliruese është i arsyeshëm dhe i kuptueshëm. Po gjigandi me pesë superlagjet do të ngrihet në këmbë pa dyshim. Dhe bashkë me të, i gjithë shteti me të njëjtin emër.

Comment

*