Në Paris shfaqet dokumentar i ri i Serbisë kundër pranimit të Kosovës në UNESCO

Paris / Prishtinë, 15 shtator 2017 – Në Qendrën Kulturore të Serbisë në Paris sot (e premte) do të jepet premiera botërore e filmit dokumentar “Kosova – moment në civilizim”, i autorit Boris Malagurski.

Ashtu siç e citojnë mediat serbe njoftimin, shfaqja bëhet në kuadër të fushatës së gjerë të shtetit serb kundër anëtarësimit të Kosovës në UNSCO. I pranishëm në këtë ceremoni do të jetë edhe drejtori i asaj që quhet Zyra për Kosovë e Metohi, Marko Gjuriq.

Nëse i gjithë dokumentari është në frymën e “trailerit” të lansuar në muajin gusht, autoritetet serbe kanë zgjedhur vepër propagandistike. Inserti prej 1 minutë e 25 sekondash hapet me një lloj krahasimi midis shqiptarëve dhe pjesëtarëve të ISIS-it. Nis me pamjet kur i ashtuquajturi Shteti Islamik i shkatërron tempujt antikë. Më pas ngrihet pyetja: “A e keni ditur se kjo po ndodh edhe në Evropë?” Shfaqjen pamjet e trazirave të vitit 2004.

“Shfaqja dhe promovimi i këtij filmi, realizimin e të cilit e ka bashkëfinancuar Zyra për Kosovë e Metohi pranë Qeverisë së Serbisë, ka për qëllim që përfaqësuesve të korit diplomatik në Paris, e në veçanti ambasadorëve të vendeve të tjera në UNESCO t’ua prezantojë trashëgiminë kulturorë serbe në Kosovë e Metohi, dhe është një pjesë e fushatës së gjerë të shtetit serb kundër pranimit të Kosovës në UNESCO”, thuhet në një komunikatë për media që është publikuar në mediat serbe.

Në bazë të raportimeve, pas shfaqjes do të mbahet edhe një tribunë “për trashëgiminë kulturore serbe në Kosovë e Metohi, në të cilën, krahas autorit të filmit, do të flasin edhe ambasadori i Serbisë ne UNESCO, Darko Tanaskoviq, dhe drejtori i Zyrës për Kosovë e Metohi, Marko Gjuriq”.

/Insajderi.com/

Comment

*